Sunday, June 8, 2008

Zhvillimet muzikore në shekullin XX-të

Estetika dhe njeriu

Botuar më 08.VI.2008

Mr. Ilir Ramadani

Njëri ndër faktorët kryesorë të zhvillimit të gjithëmbarshëm në jetën e njeriut dhe të kulturës së tij, e cila është pjesë e identitetit artistik, është hovëshmëria kolosale e dinamikës së shpejtë dhe të zhvillimeve teknologjike, si refleksion në proceset që ata kalojnë dhe bartin këtë refleksion. Këto zhvillime marramendëse të teknikës elektronike janë edhe fillime të mendimeve të reja dhe të pamjeve të reja në kulturën dhe ngjarjet muzikore që ndodhen në shekullin XX. Mjetet dhe metodat evoluan dhe arritën në masën e përfytyrimeve novatorike deri atëherë të papara. Megjithatë, së pari evoluoi mendimi i artistit për ta parë botën brenda lirisë së mendimit të tij intelektual dhe shpirtëror, ku gjuha muzikore shkon gjithnjë e më tepër drejtë përsosëshmërisë dhe pasurimit të saj dhe kjo falë veprimtarisë së kompozitorëve të mbarë botës. Në veprat e tyre shfaqen organizime të reja si në: ritëm, melodi, harmoni, timbrikë, polifoni, orkestrim, formë dhe strukturë. Në muzikën e sotme është vështirë të orientohesh, ndoshta asnjëherë në historinë e muzikës nuk janë paraqitur në të njejtën kohë aq shumë dallime midis stileve, shpesh polarisht të kundërta, si në kohën e sotme (mirëpo kjo nuk do të thotë që midis stileve tek kompozitorët, nuk ka asgjë të përbashkët dhe e përbashkëta e të gjthëve është krijimi artistik me bazë të menduarit e barazpeshuar teknologjik). Përmbajtjeve të reja u përgjigjen edhe format e reja të shprehjes muzikore, të cilat zhvillohen në mënyrë logjike, kjo duhet marrë parasysh që nuk duhet këto ndryshime të muzikës bashkëkohore t’i shohim si rastësi ose si prodhim të vetëdëshirës së autorit. Edhe në rastet më ekstreme, të cilat krijohen me qëllim që të shkatërrojnë çdo traditë, mund të gjenden lidhje logjike, ndoshta të fshehura në procesin e zhvillimit shoqëror. Mirëpo, kjo nuk e ndryshon faktin që epoka e re në të shumtën e rasteve e kundërshton stilin e epokës paraardhëse edhepse ato zakonisht përdorin elemente të stileve më të herëshme muzikore (si fakt mund të na shërbej ky zhvillim i stileve: Polifonia vokale-Monodia e Barokut - lulëzimi i Polifonisë së Barokut – Homofonia Klasike – Romantizmi – Neobaroku – Neoklasicizmi etj). Në çdo lloj muzike mund të gjenden lidhje të caktuara me traditën. Asgjë e re nuk krijohet në një hapësirë boshe dhe pa ajër. Gradualisht, nëpërmjet ndryshimeve të caktuara në mendimin muzikor dhe teknikave komozicionale, paraqitet një kthesë në zhvillimin historik, e cila përpos ligjeve të mëparshme (tashmë të vjetëruara), i vendos themelet e ligjeve të reja muzikore; të atyre ligjeve, të cilat vërtetohen dhe në të njëjtën kohë përcakojnë rrugët që do të ndjek puna e mëtejme, përderisa dhe vet ato ligje të reja me kalimin e kohës vjetërohen dhe zëvendësohen me ligje të reja. Në historinë e zhvillimit të muzikës, kanë ndodhur disa ndryshime të rëndësishme të shprehjes muzikore, të përmendim vetëm kalimin e gjatë nga njëzërëshi (monofonia), tek shumëzërëshi (polimelodika) dhe lulëzimi i tij në epokën e Ars Antikës (shek. XIII). Një kthesë e rëndësishme analoge në muzikë ndodhi afër vitit 1600, kur përveç ritmit dhe polimelodikës, më në fund u përforëcua edhe përbërësi i ri i tërësisë muzikore, harmonia homofonike. Ajo aq shpejt i pushtoi mendimet muzikore, sa që u bë element bazë në periudhën e stilit melodiko-harmonik, i cili erdhi më pas. Shekulli i XX paraqet unifikimin e këtyre metodave, me Shën Bergun. Në fillim të shek XX u shemb dominimi i tonalitetit maxhor dhe minor. Pikërisht kjo gjë përfaqësoi vizën thyese në historinë e muzikës prej së cilës filloi gjithë zhvillimi muzikor i mëtejshëm. I gjithë zhvillimi i mendimit muzikor më pas ishte i ndjellur dhe i caktuar nga ndryshimet ekonomike dhe shoqërore: luftërave botërore, krizave, ndikimet nga xhezi, zhvillimet e mëdha teknike, siç janë llampat elektronike, gramofonët, magnetofonët, trafikut të rënduar, sportit etj. Metodat krijuese të kompozitorëve veç e veç, ndonjëherë edhe të shkollave të tëra kompozicionale, filluan gjithnjë e më shumë të largohen nga njëra tjetra. U shfaqen degë të ndryshme të ekspresionizmit, të cilët u përfaqësuan nga Skrajabin dhe kompozitorët austriak Shënberg dhe A.Berg. Stravinski, pas krijimit të veprave të “periudhës ruse”(Petrushka, Dasma, Pranvera e Shenjtë), i’u kthye stilit neoklasik. Në të kundërtën, kompozitorët hungarez Bartok dhe Kodali, si dhe para tyre Janacek vazhdimisht e gjenin burimin e frytëzimit në freskinë, të pazakonshmën dhe thjeshtësinë natyrale të vlerave popullore. Në anën e tij, Hindemiti duke vazhduar hapave të Regerit, erdhi deri te neobaroku. Përfaqësuesit e shkollës kompozicionale franceze “Të gjashtit” (Les six), mes të cilëve bënin pjesë Honeger dhe Mijo, insistonin të shkruanin një muzikë shumë të thjeshtë, as konstruktiviste, as romantike. Mesiani, anëtar i një shkolle tjetër franceze “Franca e Re”, duke u mbështetut në ndikimin e fortë të misticizmit, u mundua të krijojë muzikë që sipas fjalëve të tij, do t’i përngjante vitrazhit të kishave. Këta kompozitor jo vetëm bënë kthesë në mendimin muzikor, por edhe gjetën rrugë të reja për të arritur deri tek plasimi i mendimeve dhe me një fjalë në shekullin XX ndryshoi mënyra e të menduarit muzikor. Kjo ndodhi atëherë kur bota zhvillohej me një dinamik aq të shpejt, sa për një kompozitor ishte e justifikuar fakti i një barazpeshimi në mes saj dhe mendimit dhe mjeteve shprehëse muzikore. Ky refleksion ndodhi edhe tek kompozitorët shqiptar në Kosovë. Edhepse ishin të shkolluar shumë vonë në krahasim me vendet e zhvilluara, (sepse shkolla e parë e muzikës në Kosovë hapet tek pas luftës së dytë botërore, më 1947), mendimi i tyre për t’i parë gjërat ishte po aq i pranishëm me krijimin e rrymave të reja muzikore të kohës. Ndër këta kompozitorë, të cilët avancuan gjuhën e tyre shprehëse përmes shtigjeve dhe thyesës moderne mund të përmendim: Zeqirija Ballatën, Rafet Rudin, dhe kompozitorin me një sensë të jashtëzakonshëm kompozicional Mendi Mengjiqin. Kryesisht në fillimet e tyre, veprat e para i takojnë krijimtarisë nacionale me bazë melosin shqiptar, ndërsa pjesa tjetër dhe njëkohësisht krijimtaria e sotme është ajo atonale, dodekafonike, seriale, avangarde, elektronike etj, stile këto që tashmë janë bazë e krijimeve të tyre dhe gjetjet e vazhdueshme të mënyrave të reja për shprehjen e mendimeve muzikore (të cilat dita-ditës avancojnë në mënyrën e përplasjeve me zhvillimet kolosale të botës moderne dhe postmoderne).

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

No comments: