Sunday, June 15, 2008

Liria në krijimtarinë artistike

Estetika dhe njeriu

Botuar më 15.VI.2008

Liria është atribut i shoqërisë njerëzore dhe individi si pjesëtar i kësaj shoqërie është bartës i drejtpërdrejtë i saj – është edhe arsyeja e parë e formave të larmishme përmes të cilave ajo shfaqet. Liria është mundësia e të shprehurit dhe dëshira për ta bërë këtë gjë, vepra e artit është rezultat i kësaj lirie

Mr. Ilir Ramadani

Liria në aspektin artistik, është edhe një provë artistike për të cilën do të mundohem të realizojë atë që në të gjitha rastet e mundshme na preokupon në larminë muzikore. Sa do të jemi të gatshëm ta shohim lirinë në aspekt artistik, kjo dukuri vjen nga ngjarjet e shumta që ndodhin në ditët e sotme, pasiqë vet jeta na sjell para sprovave të ndryshme, atëherë cili është kontributi që ne e japim për të qenë të lirë në këtë drejtim. Fatmir Hysi thekson se: “Liria është atribut i shoqërisë njerëzore dhe individi si pjesëtar i kësaj shoqërie është bartës i drejtpërdrejtë i saj. Liria është edhe arsyeja e parë e formave të larmishme përmes të cilave ajo shfaqet”. Liria është mundësia e të shprehurit dhe dëshira për ta bërë këtë gjë, vepra e artit është rezultat i kësaj lirie. Njeriu në segmentet e ndryshme të jetës së tij është i sprovuar me ngecje të vazhdueshme të lirisë së shprehjes dhe në këtë aspekt është edhe i penguar të shpreh dhe të ndërtoi mendimet e tija përmes lëmive të ndryshme, e kjo ndodh edhe në lëminë e muzikës. Nëse i jepet mundësia për një gjë të tillë, atëherë është e mundshme të bëjë atë gjë e cila në një formë apo tjetër do të ishte kontribut i dhënë lirisë artistike. Kjo nuk do të thotë që të ishte një hap kundër atyre që në një moment të caktuar mundohen ta përmbysin këtë gjë, dhe reagimet e tyre japin refleksionin e kundërt me parimet e përgjithshme pë cenimin e të drejtës për lirinë e shprehjes deri aty ku nuk e cenon lirinë e individit tjetër. Artisti në krijimtarin e tij, paraqet atë që proceset jetësore i reflektohen dhe barten në ndërgjegjen e tij, përmes ballafaqimeve dhe përplasjeve të shumëta dinamike që ndodhin gjatë formësimit të tij si njeri dhe si artist me një azhurim të qartë në atë që pretendon ta formësoj dhe ta bartë në ndërgjegjen e të tjerëve. Liria kuptohet, vetëm atëherë kur je i lirë të shprehësh mendimet intelektuale në të gjitha situatat kohore (dhe sistemet politike nuk kanë të bëjnë me atë se ndoshta edhe është e papranueshme për ta), apo pa patur pengesë edhe atëherë kur ato mendime janë në hap tjetër me ndjeshmërinë kohore dhe me situatën artistike. Ballafaqimi me situatën artistike presupozon zgjerimin e horizontit të plotë dhe të konceptuar në moment të përzgjedhjes hapësinore të kësaj situate. Liria nuk ka të bëjë me daljen në rrugë dhe me të kërkuarit liri, demokraci, republikë, apo edhe çdo lloj tjetër të kërkesave që ka njeriu, por është në thelbin e çdo gjëje, jo vetëm të asaj parimore dhe ideore, por edhe tek ajo që ne detyrohemi të jemi të kujdesshëm edhe gjatë gjumit që bëjmë. Shprehja liri artistike në suaza të përgjithshme do të thotë shprehje e asaj që në fakt nuk do të ishte edhe aq e pranueshme për faktorë të veçantë në parim, por edhe një ndërtim i ri i ideve dhe vizionit intelektual të përceptueshëm dhe human. Kjo të bënë të jesh gjithmonë në një atmosferë të pakëndshme me të gjithë ata të cilët janë në një nivel të padëshirueshëm (për kufizimin e mendimit të lirë), por intelekti e parasheh koinçidencën në këto raste, që sjellin dobi në krijiminë e individualitetit brenda shoqërisë. Njohja e botës me të gjitha parametrat humane paraqet shoqërinë me një intelegjencë të shquar, e cila kontribuon për të përgatitur sistemin shoqëror dhe të demostrojë njohjen, arsyetimin dhe domosdoshmërinë e hapjes ndaj lirisë artistike. Fatmir Hysi thekson: “Parakushti për të qenë “i lirë” do të ishte talenti, aftësia e mbrendshme e trasheguar apo të themi e lindur e njeriut, për ta parë botën në dimensionin e saj të padukshëm dhe për të krijuar me të gjithë mjetet e mundshme botë të tjera të përfytyruara me bazë të menduarit shpirtëror”. Disa talent shpërthejnë në krijimtarinë e tyre individuale dhe janë pjesë e hapjes së shoqërisë ndaj intelegjencës për të demostruar angazhimin human në të drejtën e shprehjes së mendimeve intelektuale të individit, pjesë e evolucionit njerëzor. Përmbysja e një rrethi të ngushtë mendimesh për botën artistike dhe depërtimi drejt një rendi të ri të formësimit të njeriut ndaj botës universale në hapjen e horizontit për të reflektuar ndërtimin e saj përmes lirisë artistike. Bota e artistit shkon nga hapja, zgjerimi i mendimeve të tij ndaj të tjerëve, pamjeve dhe vështrimeve estetike përmes botës së tij krijuese në botën e të tjerëve, duke aplikar sistemin e brendshëm të ndërgjegjës së tij, në forma dhe mënyra të ndryshme rrethuese dhe reflektim ndaj të tjerëve. Procesi krijues kalon nëpër faza të reflektimeve kohore, të deshifrimeve në rrafshin artistik, hapjes së imagjinatës krijuese ndaj të tjerëve përmes botës së artit, zig-zageve të përmbushura me laramaninë e këndvështrimeve në diapazonin e shoqërisë dhe krijimin e raporteve të thelluara në lirinë artistike. Shoqëria kontribuon në përparimin artistik, në mbështetjen e tyre ndaj hapjeve të vazhdueshme për të parë mbrendinë e botës imagjinare dhe formimin e ndërtimin e saj përmes mendimeve intelektuale të bazuar në të gjykuarit shpirtëror. Përmes lirisë artistike arrihet shembulli më i mirë i krijimit të atmosferës së ngrohtë humane, i asaj pjese ku evidentohet individi - pjesë organike e shoqërisë dhe artit dhe thellimit të hapësirës reflektuese të botës së vogël të artistit, ndaj pjesës tjetër të shoqërisë. Vetëm me një trajtim adekuat të lirisë në terenin artistik, arrihen organizime të reja në mendjen dhe mënyrën e të menduarit shoqëror, përmes njohjes dhe zgjerimit të aftësive individuale-pjesë e vlefshme e kontributit për shoqërinë njerëzore, duke e aplikuar atë në secilin segment kohor.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

No comments: