Tuesday, June 24, 2008

Reformat arsimore dhe matura

Estetika dhe njeriu

Botuar më 24.VI.2008

Refomat arsimore janë të nevojshe, por shumë pak është duke u bërë për realizimin e një gjëje të tillë. Në Kosovë nxënësit e shkollave profesionale të muzikës, që nuk kanë mbajtur asnjë vit matematikë, futen në provimin e maturës pikërisht nga lënda e matematikës. Kjo do të ishte e barabartë nëse nxënësve të gjimnazit u vihen në provimin e maturës lëndët nga muzika si është Solfexho, apo Polifoni.

Mr. Ilir Ramadani

Krahas zhvillimeve politike në vendin tonë dhe synimit për përmirësimin e aspekteve jetësore, probleme të vazhdueshme shfaqen në procesin mësimoro-edukativ. Këto probleme janë pasojë e shumë faktorëve, si nga ana e faktorit vendor, gjithashtu edhe të atyre ndërkombëtar, të cilët me ardhjen në Kosovë, shfaqen “gatishmërinë” për të përmirësuar çdo gjë që kishte rrjedha normale në vendin tonë. Me ardhjen e të parit të arsimit Daksner, filloi edhe një energji e re për rregullimin e shumë çështjeve në edukimin e brezit të ri kosovar. Shumë e shumë herë u fol në media që Kosovës i duhej reformimi i sistemit arsimor, për të qenë në hap me vendet e zhvilluara të Evropës. Këtë qëndrim të ndërkombëtarëve dhe vendorëve e kemi parë si gjënë e shenjtë, atëherë kur nuk kishim pamjen e sotme, se çfarë me të vërtetë do të thotë fjala reformë apo reformim i sistemit arsimor (sot jemi të zhgënjyer, sepse reformat po sjellin kokëçarje në uljen e rezultateve të përgjithshme). Sikur të gjitha vendeve tjera tranzitore edhe Kosovës medoemos i duhej tejkalimi i një procesi të tillë (që nuk mund të përfundon as për një e dy dekada). Një gjë duhet potencuar se është me të drejtë që refomat arsimore janë të nevojshe edhe për vendet që kanë një zhvillim të kënaqshëm arsimor. Pse reforma në Kosovë nuk po jep rezultate? Kush duhet ta bartë përgjegjësinë? A ndoshta nuk shohin mundësinë reale që shkollimi të ketë perspektivë në vendin tonë? Kjo është një çështje shumë e ndieshme dhe e pa kompromis. Arsimi vetëm e vetëm po shkon drejtë shkatërrimit, humbjes së arsyes dhe demotivimit e jo gjetjes së një rruge të re të shfaqur në imagjinatën e të gjithë atyre që ia duan të mirën e vendit. Së pari duhet të nisemi nga pika fillestare e reformues që është nxënësi në qendër dhe mësimdhënësi vëzhgues dhe vlerësues i të nxënit të nxënësve. Në Kosovë po humbet arsyeja për shkollim dhe për një përspektivë për të ardhmen, kjo është e gërshetuar me gjendjen momentale në të cilën gjenden mësimdhënësit. Neve na duhet një sistem i mirëpërgatitur arsimor për të arritur deri tek reflektimi i duhur në shoqëri, në ato sektore ku jemi në ngecje dhe në përballjen tonë me vendet tjera që dita ditës ecin me shpejtuesinë e dritës. Njëri ndër faktorët për të funksionuar reforma më së miri do të duhej të lidhej me funksionimin e trekëndëshit fëmijë-mësimdhënës-prind, që pa dyshim ka ngecje të konsiderueshme apo edhe nuk po funksionon fare, sepse nëse deri para vitit 1999 kishte funksionuar një trekëndësh i tillë, tani e tutje është duke shkuar drejtë një deharmonizimi dhe humbjes së rëndësisë për institucionet arsimore dhe edukative. Derisa një individ me arsim te lartë shihej si një njeri me influencë për rregullimin e çështjeve sipas prioriteteve, tani shihet vetëm hija e tij apo më mirë të themi një personazh komik që vetëm shkatërron e nuk riparon asgjë. Reformimi human! Reformat në arsimin fillor dhe të mesëm nuk mund të bëhen me këto kushte materiale, me këtë gjendje mbijetese për mësimdhënësit, edhepse ishin ata që e mbajtën gjallë popullin e Kosovës, sepse reformimi kërkon një mori mjetesh materiale. Duhet angazhim, mund, energji për të përmbushur misionin e pagarantuar për ne në Kosovë siq janë reformat në arsim. Këtu nuk duhet të anashkalohet edhe arsimi i lartë për të cilin ende nuk ka gatishmëri për një gjë të tillë. Jo pse nuk duhet të ketë reformë në arsimin e lartë (sepse aty duhet të bëhet së pari), por sepse nuk është në interesin e atyre që mundohen të na i mbyllin sytë me reforma plotë gojën dhe ne nuk i shohim se si zhvillohet procesi mësimor në arsimin e lartë. Do ta sjell vetëm një shembull që po të zhvillohej procesi mësimor në shkolla fillore dhe ato të mesme siç zhvillohet në arsimin e lartë, asnjë nga nxënësit e shkollave fillore nuk do të dinte të shkruante e të lexonte (sepse në arsimin e lartë procesi zhvillohet i reformuar). Pra, më e arsyeshme është që në këtë moment të bëhen reformat në arsimin e lartë (ku është një gjendje kaotike) se sa t’i vërsulen shkollave fillore dhe atyre të mesme. Matura shtetërore! Në Kosovë matura kombëtare është zhvilluar për herë të dytë, duke aluduar në vlerësimin e njohurive të marra nga nxënësit për vitet e kaluara në bankat shkollore. Se në çfarë mënyre organizohet një ngjarje e tillë tek ne, nuk duhet të shpresohet për një vlerësim të drejtë dhe të kompletuar. Një gjë është evidente se duhet të studiohen mirë e mirë se cilit profil i takojnë nxënësit e pastaj të bëhen edhe shumë konsultime me persona adekuat për profilet e caktuar, e tek pastaj të vihen në ballafaqim njohuritë e marra nga nxënësit. Kjo ndodh vetëm tek ne në Kosovë që nxënësit e shkollave profesionale të muzikës, që nuk kanë mbajtur asnjë vit matematikë, të futen në provimin e maturës dhe të kenë pyetje nga lënda e matematikës?!... Edhe pse me kohë drejtoritë e arsimit janë lajmëruar se shkollat profesionale të muzikës nuk e posedojnë një lëndë të tillë, prapë se prapë viktimat veq dihen. Kjo do të ishte e barabartë nëse nxënësve të gjimnazit u vihen në provimin e maturës lëndët nga muzika, siq janë Solfexho, apo Polifoni, rezultati do të ishte marrur me mend (nuk do të kishim asnjë përgjegje të saktë). Atëherë nuk është e obligueshme që të kemi respekt për këtë kategori njerëzish që nuk e kanë fare të qartë se çfarë do të thotë të jesh pjesë (nxënës) i një shkolle profesionale e në provim të matures të futesh në lëndët që nuk i ke pasur në planprogram për asnjë vit shkollor. Zoti e bekoftë Kosovën!
(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

No comments: