Sunday, June 29, 2008

Rrjedhat muzikore - jashtë loje

Estetika dhe njeriu

Botuar më 29.VI.2008

Do të ishte e domosdoshme funksionimi i një reviste shkencore për art, ku do të publikonin krijimtaritë e tyre të gjithë krijuesit, ripërtrirjen e shoqatave të kompozitorëve, pedagogëve, artistëve, korit të universitetit etj, do të ishte me interes për rrjedhat muzikore në Kosovë, pasiqë kanë ekzistuar në vitet e 70-ta e tani nuk ekzistojnë.

Mr. Ilir Ramadani

Funksionimi i përgjithshëm i jetës muzikore në Kosovë nuk është në rrjedha të duhura, për shkaqe të ndryshme individuale dhe kolektive. Jeta kulturore është e lënë anash dhe e mbuluar me hijen e ngjarjeve që organizohen nga individ të pa përgjegjshëm (sepse vetëm vrapojnë nga festivali në festival për përfitimet e tyre materiale e asesi të mendojnë qoftë vetëm edhe një herë për begatimin e jetës muzikore në vend). Kosovës i mungojnë aktivitetet e rregullta koncertale-kulturore, organizimet e mirëfillëta me bazë vlerat estetike, enegjia për ripërtrirjen e shoqatave si ajo e kompozitorëve, shoqata e artistëve, shoqata e pedagogëve, kori i universitetit, festivalet e koreve amatore dhe ato profesionale etj… Derisa në vitet e 70-ta kanë ekzistuar këto ngjarje muzikore dhe institucionet kulturore ishin në hap të mirë të krijimit të një tradite për kultivimin e vlerave të vërteta, që i dhanë një puls stabil jetës muzikore në vendin tonë, tani mungon gatishmëria dhe atmosfera e përgjithshme shoqërore për të bërë hapin e parë drejt një funksionim të tillë. Në Kosovë duhet të bëhet një organizim i të gjithë kuadrove që janë numerikisht dyfishi i atyre që ishin në vitet e 70-ta, që me vullnet të mirë, përkushtim, seriozitet, mund të pasqyrojnë vlera tek artdhashësit, duke u bërë bazë e shëndoshë e një reflektimi pozitivë në jetën muzikore. Cila është arsyeja e mos gatishmërisë së individëve kompetentë për një gjë kaq të rëndësishme për jetën muzikore në Kosovë, duhet të kërkohet tek këta persona, që po u lënë jetën muzikore në duar të atyre që vetëm shohin interesin material. Kërkesat janë të shumëta, por në këtë çast kërkesë imediate (në të këtë gjendje të cilën jemi duke kaluar) duhej të ishte funksionimi i një grupi njerëzish të artit (që e vendet e tjera ekziston), që të jenë bazë e hartimit të strategjive afatgjata për zhvillimet muzikore, ku këtu do të bënin pjesë: estetë, kritikë, studiues, muzikologë, etnomuzikologë, kompozitorë, që të medojnë në përmrësimin e situatës artistike. Por, çfarë ndodh tek ne, familiarizmi dhe farefisnia janë të përhapura në të gjitha insitucionet dhe kjo po shkakton rrëmujë në trafikun rrugor, dhe për të arritur deri tek një situatë e dëshiruar, mungon vullneti dhe gatishmëria ambientale për një hap të tillë. Kjo qetësi trafiku mund të vijë vetëm atëherë kur shoqëria kosovare do të vetëdijësohet deri në atë masë sa që tu tregon vendin e merituar atyre që po e shkaktojnë këtë tollovi trafiku. Deri sot, me atë që u pasqyrua organizimi i jetës kulturore, shihet një tendencë e zhvillimeve jo të kënaqshme, të pa vlera (por me bazë të mirë materiale), ku funksionimi muzikor nuk mund ta ketë emrin art, ndërsa për emërin e vërtet duhet të elaburohet një temë e gjatë dhe vetëm atëherë të kemi një emërtim adekuat. Meqë këto zhvillime bëhen, atëherë pse nuk bëhen përpjekje për riorganizimin e shoqatave (që dikur kanë ekzistuar), ku funksionimi i tyre do të ishte shumë me rëndësi për të gjithë krijuesit (funksionimin i shoqatës së kompozitorëve), edhepse tani kemi numerikisht më shumë kompozitorë se sa në vitet kur ka funksionuar kjo shoqatë. Gjithashtu duhet të bëhen përpjekje për rifunksionimin e shoqatës së pedagogëve, që do të ishte një kontibut i veçantë dhënë brezit të ri, në avancimin e programeve, në realizimin e tyre në orët praktike të lëndës së muzikës në shkolla fillore dhe të mesme, si dhe hulumtimin e metodave dhe metodologjive të reja që praktikohen edhe në vendet e zhvilluara të botës. Është koha e fundit të mendohet në rifunksionimin e korit të universitetit që do të bashkonte të gjithë ata individ që janë të talentuar dhe të shprehin talentin e tyre vokal, por duhet së pari të kemi një vullnet për një gjë të tillë dhe një gatishmëri që Qeveria e Kosovës të jetë e gatshme për të avancuar kulturën në vend (pasi që çdo inciativë kërkon një buxhet të caktuar, që ndoshta pikërisht këtu është edhe çelësi i shuarjes së çfarëdo iniciative), pastaj shoqata e artistëve, shoqata e rinisë muzikore etj. Shoqëria në Kosovë (ata që janë përgjegjës për kulturë) duhet të mendojnë për funksionimin e një reviste shkencore për art dhe kulturë, ku do mund ti publikonin krijimtaritë e tyre të gjithë artistët, e kjo të bëhet sa më parë për funksionimin e artit, e jo shtresat intelektuale në vend të mbeten në mëshirë të fatit. Ndoshta ende nuk është kuptuar drejt roli që ka arti në jetën e njeriut, apo është një anashkalim i vetëdijëshëm, e kjo do të dukej qesharake dhe e ultë. Kosova është e hendikepuar pa këto shoqata, rrjedhat muzikore bëhen vetëm në mënyrë private, individuale, fitimprurëse për këta persona, dhe asnjë herë nuk shohim gatishmërinë e tyre për një punë të mirëfilltë, për atë që ka nevojë kultura në vend, por me të vërtet mungon atmosfera për bashkëpunim, për një qasje të drejt ndaj artit, për përmirësimin e imazhit të kulturës në vend dhe kjo duhej të bëhej pa interesa personale, pa bajraktarizma dhe me një energji pozitive për funksionimin sa më të mirë të kulturës dhe artit në vend. Kulturës në Kosovë nuk i nevojitet vetëm mbështetje morale apo filozofike, por është koha e fundit që të bëhen të gjitha përgatitjet adekuate për një qasje sa më të drejt dhe kjo nuk do shumë llafe, por angazhim. Ministria e kulturës nuk do të mund të thotë që nuk posedon mjete materiale për financimin fillestar të një reviste shkencore të artit, derisa ajo të mund të funksionon e vetme. Më mirë është të derdhen mjetet materiale aty ku është e nevojshme se sa tu jepen dhuratë këto mjete, madje me shuma të mëdha sipas gjykimeve emocionale-personale, siq kishte ndodhur që për një album të një individi, ministri i kulturës ta financon atë sipas tekeve dhe shijes së ultë. Kjo degradon kulturën në vend dhe shtersën intelektuale që merren me vlera të vërteta artistike dhe estetike.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

Tuesday, June 24, 2008

Reformat arsimore dhe matura

Estetika dhe njeriu

Botuar më 24.VI.2008

Refomat arsimore janë të nevojshe, por shumë pak është duke u bërë për realizimin e një gjëje të tillë. Në Kosovë nxënësit e shkollave profesionale të muzikës, që nuk kanë mbajtur asnjë vit matematikë, futen në provimin e maturës pikërisht nga lënda e matematikës. Kjo do të ishte e barabartë nëse nxënësve të gjimnazit u vihen në provimin e maturës lëndët nga muzika si është Solfexho, apo Polifoni.

Mr. Ilir Ramadani

Krahas zhvillimeve politike në vendin tonë dhe synimit për përmirësimin e aspekteve jetësore, probleme të vazhdueshme shfaqen në procesin mësimoro-edukativ. Këto probleme janë pasojë e shumë faktorëve, si nga ana e faktorit vendor, gjithashtu edhe të atyre ndërkombëtar, të cilët me ardhjen në Kosovë, shfaqen “gatishmërinë” për të përmirësuar çdo gjë që kishte rrjedha normale në vendin tonë. Me ardhjen e të parit të arsimit Daksner, filloi edhe një energji e re për rregullimin e shumë çështjeve në edukimin e brezit të ri kosovar. Shumë e shumë herë u fol në media që Kosovës i duhej reformimi i sistemit arsimor, për të qenë në hap me vendet e zhvilluara të Evropës. Këtë qëndrim të ndërkombëtarëve dhe vendorëve e kemi parë si gjënë e shenjtë, atëherë kur nuk kishim pamjen e sotme, se çfarë me të vërtetë do të thotë fjala reformë apo reformim i sistemit arsimor (sot jemi të zhgënjyer, sepse reformat po sjellin kokëçarje në uljen e rezultateve të përgjithshme). Sikur të gjitha vendeve tjera tranzitore edhe Kosovës medoemos i duhej tejkalimi i një procesi të tillë (që nuk mund të përfundon as për një e dy dekada). Një gjë duhet potencuar se është me të drejtë që refomat arsimore janë të nevojshe edhe për vendet që kanë një zhvillim të kënaqshëm arsimor. Pse reforma në Kosovë nuk po jep rezultate? Kush duhet ta bartë përgjegjësinë? A ndoshta nuk shohin mundësinë reale që shkollimi të ketë perspektivë në vendin tonë? Kjo është një çështje shumë e ndieshme dhe e pa kompromis. Arsimi vetëm e vetëm po shkon drejtë shkatërrimit, humbjes së arsyes dhe demotivimit e jo gjetjes së një rruge të re të shfaqur në imagjinatën e të gjithë atyre që ia duan të mirën e vendit. Së pari duhet të nisemi nga pika fillestare e reformues që është nxënësi në qendër dhe mësimdhënësi vëzhgues dhe vlerësues i të nxënit të nxënësve. Në Kosovë po humbet arsyeja për shkollim dhe për një përspektivë për të ardhmen, kjo është e gërshetuar me gjendjen momentale në të cilën gjenden mësimdhënësit. Neve na duhet një sistem i mirëpërgatitur arsimor për të arritur deri tek reflektimi i duhur në shoqëri, në ato sektore ku jemi në ngecje dhe në përballjen tonë me vendet tjera që dita ditës ecin me shpejtuesinë e dritës. Njëri ndër faktorët për të funksionuar reforma më së miri do të duhej të lidhej me funksionimin e trekëndëshit fëmijë-mësimdhënës-prind, që pa dyshim ka ngecje të konsiderueshme apo edhe nuk po funksionon fare, sepse nëse deri para vitit 1999 kishte funksionuar një trekëndësh i tillë, tani e tutje është duke shkuar drejtë një deharmonizimi dhe humbjes së rëndësisë për institucionet arsimore dhe edukative. Derisa një individ me arsim te lartë shihej si një njeri me influencë për rregullimin e çështjeve sipas prioriteteve, tani shihet vetëm hija e tij apo më mirë të themi një personazh komik që vetëm shkatërron e nuk riparon asgjë. Reformimi human! Reformat në arsimin fillor dhe të mesëm nuk mund të bëhen me këto kushte materiale, me këtë gjendje mbijetese për mësimdhënësit, edhepse ishin ata që e mbajtën gjallë popullin e Kosovës, sepse reformimi kërkon një mori mjetesh materiale. Duhet angazhim, mund, energji për të përmbushur misionin e pagarantuar për ne në Kosovë siq janë reformat në arsim. Këtu nuk duhet të anashkalohet edhe arsimi i lartë për të cilin ende nuk ka gatishmëri për një gjë të tillë. Jo pse nuk duhet të ketë reformë në arsimin e lartë (sepse aty duhet të bëhet së pari), por sepse nuk është në interesin e atyre që mundohen të na i mbyllin sytë me reforma plotë gojën dhe ne nuk i shohim se si zhvillohet procesi mësimor në arsimin e lartë. Do ta sjell vetëm një shembull që po të zhvillohej procesi mësimor në shkolla fillore dhe ato të mesme siç zhvillohet në arsimin e lartë, asnjë nga nxënësit e shkollave fillore nuk do të dinte të shkruante e të lexonte (sepse në arsimin e lartë procesi zhvillohet i reformuar). Pra, më e arsyeshme është që në këtë moment të bëhen reformat në arsimin e lartë (ku është një gjendje kaotike) se sa t’i vërsulen shkollave fillore dhe atyre të mesme. Matura shtetërore! Në Kosovë matura kombëtare është zhvilluar për herë të dytë, duke aluduar në vlerësimin e njohurive të marra nga nxënësit për vitet e kaluara në bankat shkollore. Se në çfarë mënyre organizohet një ngjarje e tillë tek ne, nuk duhet të shpresohet për një vlerësim të drejtë dhe të kompletuar. Një gjë është evidente se duhet të studiohen mirë e mirë se cilit profil i takojnë nxënësit e pastaj të bëhen edhe shumë konsultime me persona adekuat për profilet e caktuar, e tek pastaj të vihen në ballafaqim njohuritë e marra nga nxënësit. Kjo ndodh vetëm tek ne në Kosovë që nxënësit e shkollave profesionale të muzikës, që nuk kanë mbajtur asnjë vit matematikë, të futen në provimin e maturës dhe të kenë pyetje nga lënda e matematikës?!... Edhe pse me kohë drejtoritë e arsimit janë lajmëruar se shkollat profesionale të muzikës nuk e posedojnë një lëndë të tillë, prapë se prapë viktimat veq dihen. Kjo do të ishte e barabartë nëse nxënësve të gjimnazit u vihen në provimin e maturës lëndët nga muzika, siq janë Solfexho, apo Polifoni, rezultati do të ishte marrur me mend (nuk do të kishim asnjë përgjegje të saktë). Atëherë nuk është e obligueshme që të kemi respekt për këtë kategori njerëzish që nuk e kanë fare të qartë se çfarë do të thotë të jesh pjesë (nxënës) i një shkolle profesionale e në provim të matures të futesh në lëndët që nuk i ke pasur në planprogram për asnjë vit shkollor. Zoti e bekoftë Kosovën!
(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

Sunday, June 15, 2008

Liria në krijimtarinë artistike

Estetika dhe njeriu

Botuar më 15.VI.2008

Liria është atribut i shoqërisë njerëzore dhe individi si pjesëtar i kësaj shoqërie është bartës i drejtpërdrejtë i saj – është edhe arsyeja e parë e formave të larmishme përmes të cilave ajo shfaqet. Liria është mundësia e të shprehurit dhe dëshira për ta bërë këtë gjë, vepra e artit është rezultat i kësaj lirie

Mr. Ilir Ramadani

Liria në aspektin artistik, është edhe një provë artistike për të cilën do të mundohem të realizojë atë që në të gjitha rastet e mundshme na preokupon në larminë muzikore. Sa do të jemi të gatshëm ta shohim lirinë në aspekt artistik, kjo dukuri vjen nga ngjarjet e shumta që ndodhin në ditët e sotme, pasiqë vet jeta na sjell para sprovave të ndryshme, atëherë cili është kontributi që ne e japim për të qenë të lirë në këtë drejtim. Fatmir Hysi thekson se: “Liria është atribut i shoqërisë njerëzore dhe individi si pjesëtar i kësaj shoqërie është bartës i drejtpërdrejtë i saj. Liria është edhe arsyeja e parë e formave të larmishme përmes të cilave ajo shfaqet”. Liria është mundësia e të shprehurit dhe dëshira për ta bërë këtë gjë, vepra e artit është rezultat i kësaj lirie. Njeriu në segmentet e ndryshme të jetës së tij është i sprovuar me ngecje të vazhdueshme të lirisë së shprehjes dhe në këtë aspekt është edhe i penguar të shpreh dhe të ndërtoi mendimet e tija përmes lëmive të ndryshme, e kjo ndodh edhe në lëminë e muzikës. Nëse i jepet mundësia për një gjë të tillë, atëherë është e mundshme të bëjë atë gjë e cila në një formë apo tjetër do të ishte kontribut i dhënë lirisë artistike. Kjo nuk do të thotë që të ishte një hap kundër atyre që në një moment të caktuar mundohen ta përmbysin këtë gjë, dhe reagimet e tyre japin refleksionin e kundërt me parimet e përgjithshme pë cenimin e të drejtës për lirinë e shprehjes deri aty ku nuk e cenon lirinë e individit tjetër. Artisti në krijimtarin e tij, paraqet atë që proceset jetësore i reflektohen dhe barten në ndërgjegjen e tij, përmes ballafaqimeve dhe përplasjeve të shumëta dinamike që ndodhin gjatë formësimit të tij si njeri dhe si artist me një azhurim të qartë në atë që pretendon ta formësoj dhe ta bartë në ndërgjegjen e të tjerëve. Liria kuptohet, vetëm atëherë kur je i lirë të shprehësh mendimet intelektuale në të gjitha situatat kohore (dhe sistemet politike nuk kanë të bëjnë me atë se ndoshta edhe është e papranueshme për ta), apo pa patur pengesë edhe atëherë kur ato mendime janë në hap tjetër me ndjeshmërinë kohore dhe me situatën artistike. Ballafaqimi me situatën artistike presupozon zgjerimin e horizontit të plotë dhe të konceptuar në moment të përzgjedhjes hapësinore të kësaj situate. Liria nuk ka të bëjë me daljen në rrugë dhe me të kërkuarit liri, demokraci, republikë, apo edhe çdo lloj tjetër të kërkesave që ka njeriu, por është në thelbin e çdo gjëje, jo vetëm të asaj parimore dhe ideore, por edhe tek ajo që ne detyrohemi të jemi të kujdesshëm edhe gjatë gjumit që bëjmë. Shprehja liri artistike në suaza të përgjithshme do të thotë shprehje e asaj që në fakt nuk do të ishte edhe aq e pranueshme për faktorë të veçantë në parim, por edhe një ndërtim i ri i ideve dhe vizionit intelektual të përceptueshëm dhe human. Kjo të bënë të jesh gjithmonë në një atmosferë të pakëndshme me të gjithë ata të cilët janë në një nivel të padëshirueshëm (për kufizimin e mendimit të lirë), por intelekti e parasheh koinçidencën në këto raste, që sjellin dobi në krijiminë e individualitetit brenda shoqërisë. Njohja e botës me të gjitha parametrat humane paraqet shoqërinë me një intelegjencë të shquar, e cila kontribuon për të përgatitur sistemin shoqëror dhe të demostrojë njohjen, arsyetimin dhe domosdoshmërinë e hapjes ndaj lirisë artistike. Fatmir Hysi thekson: “Parakushti për të qenë “i lirë” do të ishte talenti, aftësia e mbrendshme e trasheguar apo të themi e lindur e njeriut, për ta parë botën në dimensionin e saj të padukshëm dhe për të krijuar me të gjithë mjetet e mundshme botë të tjera të përfytyruara me bazë të menduarit shpirtëror”. Disa talent shpërthejnë në krijimtarinë e tyre individuale dhe janë pjesë e hapjes së shoqërisë ndaj intelegjencës për të demostruar angazhimin human në të drejtën e shprehjes së mendimeve intelektuale të individit, pjesë e evolucionit njerëzor. Përmbysja e një rrethi të ngushtë mendimesh për botën artistike dhe depërtimi drejt një rendi të ri të formësimit të njeriut ndaj botës universale në hapjen e horizontit për të reflektuar ndërtimin e saj përmes lirisë artistike. Bota e artistit shkon nga hapja, zgjerimi i mendimeve të tij ndaj të tjerëve, pamjeve dhe vështrimeve estetike përmes botës së tij krijuese në botën e të tjerëve, duke aplikar sistemin e brendshëm të ndërgjegjës së tij, në forma dhe mënyra të ndryshme rrethuese dhe reflektim ndaj të tjerëve. Procesi krijues kalon nëpër faza të reflektimeve kohore, të deshifrimeve në rrafshin artistik, hapjes së imagjinatës krijuese ndaj të tjerëve përmes botës së artit, zig-zageve të përmbushura me laramaninë e këndvështrimeve në diapazonin e shoqërisë dhe krijimin e raporteve të thelluara në lirinë artistike. Shoqëria kontribuon në përparimin artistik, në mbështetjen e tyre ndaj hapjeve të vazhdueshme për të parë mbrendinë e botës imagjinare dhe formimin e ndërtimin e saj përmes mendimeve intelektuale të bazuar në të gjykuarit shpirtëror. Përmes lirisë artistike arrihet shembulli më i mirë i krijimit të atmosferës së ngrohtë humane, i asaj pjese ku evidentohet individi - pjesë organike e shoqërisë dhe artit dhe thellimit të hapësirës reflektuese të botës së vogël të artistit, ndaj pjesës tjetër të shoqërisë. Vetëm me një trajtim adekuat të lirisë në terenin artistik, arrihen organizime të reja në mendjen dhe mënyrën e të menduarit shoqëror, përmes njohjes dhe zgjerimit të aftësive individuale-pjesë e vlefshme e kontributit për shoqërinë njerëzore, duke e aplikuar atë në secilin segment kohor.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

Sunday, June 8, 2008

Zhvillimet muzikore në shekullin XX-të

Estetika dhe njeriu

Botuar më 08.VI.2008

Mr. Ilir Ramadani

Njëri ndër faktorët kryesorë të zhvillimit të gjithëmbarshëm në jetën e njeriut dhe të kulturës së tij, e cila është pjesë e identitetit artistik, është hovëshmëria kolosale e dinamikës së shpejtë dhe të zhvillimeve teknologjike, si refleksion në proceset që ata kalojnë dhe bartin këtë refleksion. Këto zhvillime marramendëse të teknikës elektronike janë edhe fillime të mendimeve të reja dhe të pamjeve të reja në kulturën dhe ngjarjet muzikore që ndodhen në shekullin XX. Mjetet dhe metodat evoluan dhe arritën në masën e përfytyrimeve novatorike deri atëherë të papara. Megjithatë, së pari evoluoi mendimi i artistit për ta parë botën brenda lirisë së mendimit të tij intelektual dhe shpirtëror, ku gjuha muzikore shkon gjithnjë e më tepër drejtë përsosëshmërisë dhe pasurimit të saj dhe kjo falë veprimtarisë së kompozitorëve të mbarë botës. Në veprat e tyre shfaqen organizime të reja si në: ritëm, melodi, harmoni, timbrikë, polifoni, orkestrim, formë dhe strukturë. Në muzikën e sotme është vështirë të orientohesh, ndoshta asnjëherë në historinë e muzikës nuk janë paraqitur në të njejtën kohë aq shumë dallime midis stileve, shpesh polarisht të kundërta, si në kohën e sotme (mirëpo kjo nuk do të thotë që midis stileve tek kompozitorët, nuk ka asgjë të përbashkët dhe e përbashkëta e të gjthëve është krijimi artistik me bazë të menduarit e barazpeshuar teknologjik). Përmbajtjeve të reja u përgjigjen edhe format e reja të shprehjes muzikore, të cilat zhvillohen në mënyrë logjike, kjo duhet marrë parasysh që nuk duhet këto ndryshime të muzikës bashkëkohore t’i shohim si rastësi ose si prodhim të vetëdëshirës së autorit. Edhe në rastet më ekstreme, të cilat krijohen me qëllim që të shkatërrojnë çdo traditë, mund të gjenden lidhje logjike, ndoshta të fshehura në procesin e zhvillimit shoqëror. Mirëpo, kjo nuk e ndryshon faktin që epoka e re në të shumtën e rasteve e kundërshton stilin e epokës paraardhëse edhepse ato zakonisht përdorin elemente të stileve më të herëshme muzikore (si fakt mund të na shërbej ky zhvillim i stileve: Polifonia vokale-Monodia e Barokut - lulëzimi i Polifonisë së Barokut – Homofonia Klasike – Romantizmi – Neobaroku – Neoklasicizmi etj). Në çdo lloj muzike mund të gjenden lidhje të caktuara me traditën. Asgjë e re nuk krijohet në një hapësirë boshe dhe pa ajër. Gradualisht, nëpërmjet ndryshimeve të caktuara në mendimin muzikor dhe teknikave komozicionale, paraqitet një kthesë në zhvillimin historik, e cila përpos ligjeve të mëparshme (tashmë të vjetëruara), i vendos themelet e ligjeve të reja muzikore; të atyre ligjeve, të cilat vërtetohen dhe në të njëjtën kohë përcakojnë rrugët që do të ndjek puna e mëtejme, përderisa dhe vet ato ligje të reja me kalimin e kohës vjetërohen dhe zëvendësohen me ligje të reja. Në historinë e zhvillimit të muzikës, kanë ndodhur disa ndryshime të rëndësishme të shprehjes muzikore, të përmendim vetëm kalimin e gjatë nga njëzërëshi (monofonia), tek shumëzërëshi (polimelodika) dhe lulëzimi i tij në epokën e Ars Antikës (shek. XIII). Një kthesë e rëndësishme analoge në muzikë ndodhi afër vitit 1600, kur përveç ritmit dhe polimelodikës, më në fund u përforëcua edhe përbërësi i ri i tërësisë muzikore, harmonia homofonike. Ajo aq shpejt i pushtoi mendimet muzikore, sa që u bë element bazë në periudhën e stilit melodiko-harmonik, i cili erdhi më pas. Shekulli i XX paraqet unifikimin e këtyre metodave, me Shën Bergun. Në fillim të shek XX u shemb dominimi i tonalitetit maxhor dhe minor. Pikërisht kjo gjë përfaqësoi vizën thyese në historinë e muzikës prej së cilës filloi gjithë zhvillimi muzikor i mëtejshëm. I gjithë zhvillimi i mendimit muzikor më pas ishte i ndjellur dhe i caktuar nga ndryshimet ekonomike dhe shoqërore: luftërave botërore, krizave, ndikimet nga xhezi, zhvillimet e mëdha teknike, siç janë llampat elektronike, gramofonët, magnetofonët, trafikut të rënduar, sportit etj. Metodat krijuese të kompozitorëve veç e veç, ndonjëherë edhe të shkollave të tëra kompozicionale, filluan gjithnjë e më shumë të largohen nga njëra tjetra. U shfaqen degë të ndryshme të ekspresionizmit, të cilët u përfaqësuan nga Skrajabin dhe kompozitorët austriak Shënberg dhe A.Berg. Stravinski, pas krijimit të veprave të “periudhës ruse”(Petrushka, Dasma, Pranvera e Shenjtë), i’u kthye stilit neoklasik. Në të kundërtën, kompozitorët hungarez Bartok dhe Kodali, si dhe para tyre Janacek vazhdimisht e gjenin burimin e frytëzimit në freskinë, të pazakonshmën dhe thjeshtësinë natyrale të vlerave popullore. Në anën e tij, Hindemiti duke vazhduar hapave të Regerit, erdhi deri te neobaroku. Përfaqësuesit e shkollës kompozicionale franceze “Të gjashtit” (Les six), mes të cilëve bënin pjesë Honeger dhe Mijo, insistonin të shkruanin një muzikë shumë të thjeshtë, as konstruktiviste, as romantike. Mesiani, anëtar i një shkolle tjetër franceze “Franca e Re”, duke u mbështetut në ndikimin e fortë të misticizmit, u mundua të krijojë muzikë që sipas fjalëve të tij, do t’i përngjante vitrazhit të kishave. Këta kompozitor jo vetëm bënë kthesë në mendimin muzikor, por edhe gjetën rrugë të reja për të arritur deri tek plasimi i mendimeve dhe me një fjalë në shekullin XX ndryshoi mënyra e të menduarit muzikor. Kjo ndodhi atëherë kur bota zhvillohej me një dinamik aq të shpejt, sa për një kompozitor ishte e justifikuar fakti i një barazpeshimi në mes saj dhe mendimit dhe mjeteve shprehëse muzikore. Ky refleksion ndodhi edhe tek kompozitorët shqiptar në Kosovë. Edhepse ishin të shkolluar shumë vonë në krahasim me vendet e zhvilluara, (sepse shkolla e parë e muzikës në Kosovë hapet tek pas luftës së dytë botërore, më 1947), mendimi i tyre për t’i parë gjërat ishte po aq i pranishëm me krijimin e rrymave të reja muzikore të kohës. Ndër këta kompozitorë, të cilët avancuan gjuhën e tyre shprehëse përmes shtigjeve dhe thyesës moderne mund të përmendim: Zeqirija Ballatën, Rafet Rudin, dhe kompozitorin me një sensë të jashtëzakonshëm kompozicional Mendi Mengjiqin. Kryesisht në fillimet e tyre, veprat e para i takojnë krijimtarisë nacionale me bazë melosin shqiptar, ndërsa pjesa tjetër dhe njëkohësisht krijimtaria e sotme është ajo atonale, dodekafonike, seriale, avangarde, elektronike etj, stile këto që tashmë janë bazë e krijimeve të tyre dhe gjetjet e vazhdueshme të mënyrave të reja për shprehjen e mendimeve muzikore (të cilat dita-ditës avancojnë në mënyrën e përplasjeve me zhvillimet kolosale të botës moderne dhe postmoderne).

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

Sunday, June 1, 2008

Artisti dhe impakti me publikun

Estetika dhe njeriu

Botuar më 01.VI.2008

Artistët krijojnë në bazë të përfytyrimeve, përceptimeve, përdorimit të imagjinatës dhe atë e shpalojnë në veprat artistike, e cila do të gjejë rrugën e bashkëjetesës, bashkëkomunikimit me publikun. Artisti krijon për të pasqyruar mendimet intelektuale përmes filozofisë shpirtërore në botën e artit, andaj publiku është vlerësues i këtyre mendimeve.

Mr. Ilir Ramadani

Çdo artist në krijimtarinë individuale mundohet të jetë pjesë e qëndrueshme e realitetit artistik, të krijojë atë që nuk është paraqitur në vepra tjera, që vepra artistike të jetë një shembull i reflektimit të çdo situate me të cilat ballafaqohet njeriu dhe këto situata t’i paraqes përmes mendimeve (varësisht prej gjendjes së tij shpirtërore) dhe t’i plasojë tek publiku. Vet krijimtaria artistike përveq që ka në vete shpirtin e autorit dhe mjeshtërinë e tij individuale, rruga e saj për të dëpërtuar tek shtresat e gjëra dhe komunikimi me ta është një proces tejet dinamik dhe i përcjellur me mënyra të interpretimit të mendimeve pozitive apo edhe qofsjin ato negative në lidhje me atë se çfarë kategorie i përket vepra artistike. Gjëja e parë në të cilën i subordinon artisti mendimet intelektuale dhe shpirtërore është paraqitja e së bukurës e jo ta anashkalojë atë, pasiqë e bukura në art krijon raporte të ndjeshmërisë dhe na bënë të butë emocionalisht. Qëllimi final i çdo artisti është që në veprën e tij të paraqes të bukurën, vendosjen e secilës pjesë në vendin e saj në mënyrë të pakontestueshme dhe të pakrahasueshme për nivelin e paraqitjes, në aspekt të simetrisë, asimetrisë, masës, ekuilibrit, harmonisë, ndjeshmërisë etj. Ju ka shkuar në mendje të bëni pyetje të tilla që do gjenin përgjegjje adekuate në lidhje me artistin dhe impaktin e tij me publikun? Cili do të ishte korelacioni midis tyre? Çfarë roli luan publiku në vlerësimin e veprave artistike? Rezultatet në aspekt estetik do të përgjithësojnë këtë impakt dhe do të tregonin vendin e artistit tek publiku. Derisa krijuesit në ndëgjegjen e tyre kanë të qartë atë se çfarë do të paraqesin në veprat artistike (të deshifruar dhe të vetëdijëshme me atë se si do ti shprehin mendimet artistike), ata krijojnë në bazë të përfytyrimeve, përceptimeve, përdorimit të imagjinatës dhe atë e shpalojnë me një mjeshtëri në këto vepra, të cilat do të gjejnë bashkëjetesë, bashkëkomunikim, bashkëbisedim me masat popullore (publikun). Në një eviniment të deskriptuar nga ana e njeriut që përdor intelegjencën dhe mendimin intelektual, paraqitet njëherit edhe tjetërsimin e ngjarjes reale në atë imagjinative dhe atë me një nivel të lartë artistik. Mirëpo, tjetërsimi i evinimenteve që përshkojnë mendimet e tija në aspekt artistik, është edhe konçiziteti i përvojës dhe ngritjes së tij intelektuale dhe emocionale – spirtuale. Përmbledhja dhe përshkrimi letrar, muzikor, ilustrues, teknik, unifikimi i mendimeve gjithëpërfshirëse japin sinjalin e unifikimit të të gjitha arteve në veprën artistike. Rëndësia e veprës muzikore është edhe në një sferë tjetër, e kjo është impakti që ka vepra muzikore me publikun dhe stimulimi i tij për të avancuar artin (duke gjetur shtigje, rrugë e mënyra të reja teknike, përmbajtësore e formale) e posaqërisht muzikën (në kohën tonë bëhen përpjekje për t¨re gjetur një zgjidhje që do të mundësonte unifikimin e një sistemi të ri notal). Impakti luan rolin kryesor në vlerësimin e drejtë e të fuqishëm të jetëgjatësisë së veprave muzikore – artistike, e kjo është edhe një shtysë e mirë për të parë se në cilën rang radhitet autori i saj. Mobilizimi artistik është vetëm atëherë kur kemi kontrollin e publikut, zgjedhësin më të drejtpërdrejt dhe të saktësuar të një vepre artistike. Se cila vepër mund të jetojë më gjatë në këtë imapkt, atë do të duhet ta shihnim në aspektin kohor që është mundësia e vetme e një përgjegje adekuate. Vepra muzikore vlenë aq sa publiku e mban në kujtesë, kjo do të ishte mënyra e vetme për të parë rëndësinë e një vepre, universalitetin që ka në vet përmbajtjen e mesazhit që transmeton dhe është fakti i argumentuar nga vet publiku. Vepra muzikore nuk mund të krahasohet për nga përmasat e saja, por për nga jetëgjatësia që mbetet në impakt me publikun dhe me mesazhin universal që transmeton dhe bëhet bashkë-ekzistues nëpër shekuj. Krijimtaria artistike si njëra ndër mënyrat e paraqitjes së mendimeve me anë mjeteve shprehëse është formë e komunikimit në mes të artistit (botës së artit të paraqitur prej tij) dhe mbështetjen që do ta gjejnë këto mendime tek publiku dhe në njëfarë mënyre publiku është mekanizmi i vetëm me të cilin do të bëhej balancimi për vlerën e saj. Ky balancim paraqet anën thelbësore të veprës së krijuar nga artisti, megjithatë ky fenomen është edhe një kritik (çfarëdo qoftë ajo pozitive apo negative) për të ngritur në pah nivelin e artistit dhe do të duhej të kontribuonte në synimin e artistit që në çdo vepër të pasqyroj të bukurën e imagjinuar dhe të balancojë raportet e tij me publikun, duke krijuar vlerave estetike. Për ndikimin që ka publiku në krijimtarinë muzikore dhe tek vet artisti, tregon fakti i angazhimit të artistit që të plasoj atë që është më e mira, pasiqë jeta e artistit, krijimtaria e tij, pasqyrimi i mendimeve të realizuara me një vizion të qartë, me një unifikim të asaj që imagjinata e artistit e krijon në horizontin e gjendjes së tij shpirtërore, e cila shërben dhe vlen për publikun si pasqyrë e një realiteti të ri e menduar duke i shfrytëzuar të gjitha shtigjet, rrugët dhe mjetet shprehëse të një niveli të lartë artistik. Për të ardhur deri tek një vlerësim sa më i mirë i veprës artistike nga ana e publikut, vepra duhet të krijohet në përmasa universale, që të ketë dinamikën e zhvillimit kohor, të mbaj vulën e shpirtit dhe të ndjeshmërisë së artistit, të paraqes atë që është unifikim i botës së mbrendshme dhe të jashtme të artistit, që tek publiku këtë botë e shfaq përmes artit dhe specifikave të tij. Impakti i artistit me publikut është një sfidë me të cilën krahasohet vepra e artistit për nga vlera estetike, në mënyrën më të lehtë që do të gjejë realizimi i botës së artistit përmes veprës artistike duke depërtuar tek publiku artëdashës. Andaj ky impakt paraqet njëherit cilësinë që mban vepra artistike e krijuar me një seriozitet dhe angazhim, për të sjellur një frymë të re, duke trajtuar gjendjen psikologjike dhe shpirtërore të artistit dhe kjo pikërisht përmes mesazhit universal që jep për publikun dhe bashkëjeton me të shekuj me radhë. Fenomeni kohë, i zgjidh të gjitha dilemat e vlerësimit të një vepre artistike, se cila është vlera e saj, pasiqë vlerat estetike janë gjithëkohore.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)