Wednesday, September 3, 2008

Muzika dhe artet tjera

Estetika dhe njeriu

Botuar më 23.IX.2008

Qysh prej kohës së gurit e deri në ditët e sotme, arti në përgjithësi e muzika në veçanti është mjeti kryesor me të cilën njeriu demostron forcën e tij ndryshuese përmes kreativitetit shpirtëror. Lidhshmëria midis arteve ekziston dhe kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje, por edhe dallimi midis tyre është evident.

Mr. Ilir Ramadani

Arti në përgjithësi e muzika në veçanti, është një mënyrë e veçantë e të trajtuarit dhe të shprehurit të realiteteve të jetës nëpër kohë, ndërsa e veçanta e gjuhës së artit (modelimit të saj përmes anës shpirtërore), është shprehja e këtyre realiteteve në mënyrë indirekte dhe tërheqëse. Që të jemi më afër asaj se llojet e artit janë kontribut dhe produkt i njeriut dhe modelimit të mendimeve të tija intelektuale të mbështetura në anën shpirtërore, do të ishte ajo që ne pretendojmë të zbarkojmë në hapësirën e madhe universale të artit. Vet njeriu është qenie që i përshtatet ambientit ku jeton dhe vepron. Ai bënë përpjekje të vazhdueshme të jetë pjesë e shoqërisë dhe veten e tij ta reflektoi tek vet shoqëria përmes veprimeve intelektuale që është kontribut drejt plotësimit të kushteve të jetesës me plotë begati dhe harmoni. Qysh prej kohës së gurit e deri në ditët e sotme, arti në përgjithësi e muzika në veçanti është mjeti kryesor me të cilën njeriu demostron forcën e tij ndryshuese - krijuese përmes kreativitetit shpirtëror. Forca e tij shpirtërore është e koordinuar me mendimet intelektuale për të barazpeshuar rutinën e përditshmërisë dhe nevojave që ka njeriu - pjesë biologjike e botës së madhe universale. Jo vetëm gadishmëria e tij për të analizuar dhe vrojtuar ngjarjet e kohës, por edhe koha vet i mundësoi atij që përmes artit – muzikës, njeriu t’i përmbush boshëllëqet e krijuara nga vet sfidat që janë pesë e pandashme e veprimeve të tija. Secili prej arteve në mënyrë të veçantë dhe të specifikuar shtjellon dhe jep mundësi që njeriu t’i shpreh mendimet e veta dhe të jetë i gatshëm të bëjë veten pjesë të këtyre mendimeve, por edhe që përmes veçantisë që e posedon secili prej arteve, të mund të jap sinjalin e qartë të shtresës intelektuale. Siq thekson Fatmir Hysi: Njeriu tek arti gjenë veç tjerash, një formë terapie dhe të ndryshojë, në kuptim humanitar, një radhë dukurish të karakterit moral, e psikik që janë të pandryshueshme, ose ndryshojnë shumë pak në kushtet e marrëdhënieve të tij të përditshme. Me evoluimin historik, arti ndryshoi përmes praktikave të tij konkrete. Arti si përbërës ose reflektues i gjendjes shpirtërore të njeriut, pa dyshim që i përket kohës së caktuar dhe njëkohësishtë edhe epokës në të cilën lind dhe zhvillohet në masë dhe në suaza të fillimit të një rryme të re, e cila do t’i kontrastoj megjithatë përvojës dhe traditave të deri atëherëshme të njerëzve – pranuesëve të artit. Muzika hyn në familjen e madhe të artit, prandaj si e tillë, muzika është shumë më e vaçantë se sa të gjitha artet e tjera (nuk mund që ta kodifikosh muzikën me cilësitë e arteve të tjera). Pse? Po vetë tingulli njëherë, si materiali fillestar gjenetik i muzikës është krejt i ndryshëm nga fjala, nga ngjyra, lëvizja, lëvizja, prandaj kur ne vendosim kriterin e krahasimit ndodhemi përpara dy elementeve themelore: përpara ngjajshmërisë dhe veçantisë. Ngjajshmëria i bënë gjërat që të jenë në një emërues të përbashkët, ndërsa veçanëtia i bënë gjërat të kenë identitetin, pavarësinë e tyre dhe origjinalitetin. Arti muzikor është njëri ndër artet më të shquara meqë gjuha shprehëse muzikore (tingulli) përmban në vete intensitetin, madhështinë e tingullit - përmes lartësisë, dhe fuqinë e depërtimit në gjendjen emocionale të njeriut. Përderisa arti figurativ qysh në kohën primitive ishte mundësi e përshkrimit të evenimenteve të ndryshme pikërisht përmes vizatimeve, ngjyrave dhe pikturave, duke zhvilluar mendimet njerëzore për të pasur një pasqyrë më të kjartë për njeriun dhe veprimtaritë e tij në kohëra të ndryshme (nëpër epoka), arti i arkitekturës bartë në vete pjesën e qëndresës në kohë dhe ky është edhe qëllimi final i këtij arti. Arkitektura atë e bënë përmes monumenteve të madhërishme (që janë të qëndrueshme shekuj me radhë), ku njeriu ndjenë madhështinë e saj dhe këto monumente shekullore njëkohësisht të fusin frikën. Vet muzika (tingulli) përmes veçantisë dhe specificitetit si material dhe burim i prodhimit të një situate artistike tejkalon të gjitha mundësitë e të shprehurit të arteve tjera përmes origjinalitetit dhe madhështisë së vet materilait përpunues që është në gjendje të lëvizë edhe gurin nga vendi i vet. Lidhshmëria midis arteve ekziston dhe kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje (meqë në radhë të parë janë forma të veçata me të cilat njeriu shpreh të gjithë botën shpirtërore - kreativitetin dhe mundësitë e tija të të shprehurit), por dallimi midis tyre reflekton në rrugën e depëtimit dhe shtigjeve për të arritur deri tek efekti që bartë secili prej arteve. P.sh. Teatri i mundësoi njeriut që të shfrytëzoi tërë potencialin e tij për të arritur drejt një përzgjedhje të qëlluar tematike për të vënë në pah përmes skenës mangësitë dhe zhvlerësimin e pjesës së popullatës që bartë pjesën më të madhe të përgjegjësive ndaj shoqërisë - udhëheqësit e saj dhe atë e bënë përmes fjalës, aktrimit, lëvizjeve në skenë, pantomimës, etj, ndërsa në artin muzikor ky fenomen shpjegohet shumë qartë përmes mjeshtrisë së artistit dhe imagjinatës së thellë të tij, sepse është depërtues dhe tek shoqëria bëhet pjesë e pandashme që në hap të parë duke vënë në impakt sferën shpirtërore me atë ekstreme materiale. Arti i letërsisë është ai i cili muzika ka një lidhje më të afërt qysh prej krijimit të neriut dhe evoluimit të tij nëpër kohë. Kjo afërsi dhe është e pranishme për shkak të nevojës së krijimit të një situate emocionale që i vetëm arti i letërsisë e ka shumë të vështirë ta arrijë. Muzika dhe efekti madhështor i tingulllit (materialit me të cilin shprehet ky art) kapërcen kufijtë e çdo arti tjetër, përmes depërtimit më të lehtë dhe të shpejt tek individi – pjesë e çdo komuniteti dhe ngjalljes së botës emocionale gjatë përjetimit të saj (sepse piktura duhet të analizohet që tue kuptohet, ndërsa kënga - që hap rrugët nëpër enët e gjakut pa pasur nevojë për një studim të thelluar).

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

No comments: