Botuar më 09.IX.2008
Këndimi polifonik paraqet thelbin e shprehjes shpirtërore, e ngritur në bazë të vullnetit dhe dëshirës për të pasur jetë të begatshme spirtuale, pa marrë parasysh se interpretuesit e saj nuk kanë përgatitje profesionale, ata shëndritin në stilin e të kënduarit shumëzërësh - polifonik.
Mr. Ilir Ramadani
Këndimi polifonik është princip shumë i vjetër muzikor i shtrirë në zona të ndryshme të veprimit nëpër krahina dhe vise shqiptare, ku karakteristikë e këtyre krahinave është të kënduarit shumëzërësh, që e bënë të dallueshëm për nga mënyra e të kënduarit përball kulturave të vendeve tjera. Nëpër kohë muzika ishte pjesë përbërëse e jetës së njeriut, e paraqitur në të gjitha segmentet e veprimtarisë së tij - qenies biologjike të formuar në sferën spirtuale – intelektuale. Në kontunuitet larmia muzikore është e pandashme nga veprimtaria e tij – pjesë e botës emocionale - shpirtërore, e mbështetur në cilësinë madhështore të njeriut (në aftësinë për të menduar dhe materializuar mendimet - Aristoteli). Ndër principet muzikore kryesore të jugut të Shqipërisë është edhe këndimi shumëzërësh - polifonik, pjesë e folklorit muzikor shqiptar që është e përhapur kryesisht në viset e jugut të Shqipërisë (në Vlorë, Dukat, Kaninë etj). Kjo formë e këndimit është pjesë e pandashme e këngëtarëve amator, të cilët e kultivuan brez pas brezi nëpër epoka dhe hapësirë kohore. Këndimi polifonik është traditë - pjesë e çdo cermonie të komunitetit që jeton atje, por edhe e çdo ahengu, çdo ngjarje ku këta këndojnë me plotë pasion, me një emocion që shpërthen atëherë kur edhe paraqiten në skenë. Polifonia paraqet thelbin e shprehjes së tyre shpirtërore, e ngritur në bazë të vullnetit dhe dëshirës për të pasur jetë të begatshme spirtuale. Këndimi polifoni në esencë paraqet dëshirë dhe mundësi për t’i shprehur ndjenjat e tyre interpretuesit, ku këto këngë janë me karaktere të ndryshme dhe secili prej grupeve polifonike (varësisht nga numëri i anëtarëve që përbën grupi) këngët interpretohen në mënyra të ndryshme. Këngëtarët funksionojnë në formë të grupeve të pavarura prej njëri-tjetërit dhe në interpretimin e këngëve polifonike ata japin maksimumin e mundshëm të tyre (shpërthimin emocional), ku duhet pasur parasysh se ato grupe me plotë energji janë fare pa përgatitje shkollore profesionale, funksionojnë të sinkretizuara dhe origjinale që nuk mund t’i hasësh në polifonitë e vendeve tjera. Polifonia paraqet kulturë, pjesë e identitetit kombëtar - shqiptar dhe njëkohësisht identifikim i origjinalitetitit të kulturës shqiptare në Evropën e kulturave të larmishme. Parametrat e kësaj dicipline shtrihen në mes të katër zërave amator të cilët janë njëkohësisht edhe këndojnë vija të pavarura melodike (pa njërin nga këto zëra do të ishte shumë e zbrazët dhe e mangët si tërësi), por funksionojnë në mënyrë të përkryer, ku koordinimi i tyre bëhet me aq lehtësi sa që do ta kishin të vështirë ta bënin edhe shumë individ që e mbajnë veten për profesionist. Polifonia e Shqipërisë së Jugut është mënyrë origjinale e të kënduarit brez pas brezi nëpër kohë, ku dallon nga këndimet e polifonive të vendeve tjera (p.sh. në Kazakistan polifonia shtrihet deri në parametrat e 6 zërëshit, ndërsa ajo e Shqipërisë së jugut deri në 4 zërësh, e cila për nga tingëllima është shumë më e plotë dhe më e fuqishme se ajo e Kazakistanit, ku dallon për nga mënyra e të kënduarit dhe shprehet përmes disonancave që është një principë i polifonisë së Kazakistanit), sepse përdor glisandot dhe artikulimin e pastër të tingujve gjë që i jep një trajtim të vërtetë këngëve polifonike. Katër zërëshi polifonik i jugut udhëhiqet nga zëri i cili është prijës dhe njëkohësisht thurësi i vargjeve dhe melodive falë mendjemprehtësisë - talentit mënyrës instiktive për të realizuar principin polifonik, pa ndonjë vështirësi në interpretimin e tekstit së bashku me melodinë. Këngët përshkruajnë karaktere të ndryshme, si ato të rutinës ditore po ashtu edhe të kurbetit, të dasmave të festive etj, ku të lëkindin nga vendi për nga fuqia shprehëse si dhe aranzhimin e tyre në katër zërësh. Këngëtarët japim maximumin në organizimet e grupeve të tyre, duke u munduar që të radhiten në gupet që transmetojnë vlera vokale polifonike me arsyen e vetme – që vetëm të kultivojnë dhe bartin traditën shekullore të të parëve. Dy prej zërave tjerë janë bartësit e iso-s me përmasa të tilla që në çdo strofë mund të ngjiten në tonalitet tjera pa ndonjë vështirësi dhe pa pasur preokupimin se po zhvillojnë melodi nëpër pjesë të ndryshme intervalore. Zëri i dytë fillon para se ta mbaroj frazën melodia e parë, apo i bashkangjitet në rrokjet e fundit në iso. Zëri tjetër (i tretë) lëviz nëpër intervale të afërta duke i dhënë një sinjal të shprehjes artistike të vërtetë, kurse i katërti është zë kthyes, i cili luan rolin e kthimit të tij në ison e përbashkët. Ky zhvillim i zërave ndodh jo rastësisht, por paraqet bazën fundamentale të këndimit polifionik të asaj krahine në jug të Shqipërisë. Njëri ndër preokupimet e sotme është futja e polifonisë së jugut të Shqipërisë nën mbrojtjen e UNESKOS, ku duhej të bëhej çdo gjë në mënyrë institucionale që në mënyrë imediate të ndodhte një gjë e tillë. Kjo njëherit do të ishte një shpërblim i dhënë kulturës shqiptare dhe një dëshmi e vërtetuar dhe e arsyetuar se me të vërtetë posedojmë një traditë të begatshme kulturore dhe një trashegimi të çmuar (që e kemi bartur shekuj me radhë dhe se me të vërtetë jemi ndër popujt më të lashtë të Evropës).
(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)
No comments:
Post a Comment