Sunday, August 31, 2008

Harmoni – pjesë integrale e polifonisë

Estetika dhe njeriu

Botuar më 31.VIII.2008

Midis dy epokave qëndron Bachu-maja e ekuilibrit të të gjitha rezultateve të muzikës polifonike të stilit të ngushtë, bashkë me rezultatet e plota të zhvillimit të harmonisë tonale. U arrit ekuilibri i plotë i të gjitha rezultateve të teknikës polifonike me rezultatet e zhvillimit të harmonisë, që mundësoi shumëtaktëshin muzikor (gradaqelat muzikor u mundësuan pikërisht me sistemin tonal).

Mr. Ilir Ramadani


Se a ekziston një marrëdhënieve reciproke midis diciplinave muzikore është e pa diskutueshme, meqë secila prej tyre është dhe do të jetë në shërbim dhe atëherë kur është nevoja i dalin në ndihmë njëra-tjetrës në aspekt të avancimit të muzikës si pjesë fundamentale e artit. Këto marrëdhënie do ti shohim të krijuara në mes të polifonisë nga njëra anë (diciplinë e artë) dhe ndikimit të saj në zhvillimin e harmonisë (e cila më vonë vepron në mënyrë të pavarur). Raportet polifoni - harmoni janë të ndërsjellta, ku njëra paraqet anën horizontale, ndërsa tjetëra anën vertikale të krijimtarisë muzikor. Si lindi dhe si u zhvillua polifonia? Polifonia ka lindur nga melodia (pasiqë vet melodia e ka mundësinë e polifonisë qysh në formën e saj fillestare në një zë) dhe ndikoi në zhvillimin e vet melodisë. Pra, polifonia ndikoi dhe i dha pavarësinë e plotë melodisë dhe vet melodia e thirri në ndihmë polifoninë për ngritjen e saj profesionale. Rezultati i melodisë erdhi vetëm pas përpunimit të plotë të gjithë teknikës polifonike që ishin të domosdoshme për avancimet muzikore. Si ndahet polifonia për nga stilet? E ndarë në dy pjesë mijëvjeçari, polifonia është princip kryesor i shkrimit muzikor: epoka e stilit të ngushtë të polifonisë që filloi në shekullin e X-XI me elementet e para dhe kulmon në shekullin e XVI, ku figurat e asaj kohe ishin Palestrina dhe Orlando Lasso, dy përfaqësuesit më të mdhenjë të polifonisë, ku njëri mbylli një epokë tepër të rëndësishme të kësaj historie dhe la shtigje hapur për epokën tjetër. Këto shtigje që hapi Palestrina, Orlando Lasso i përpunoi më guximshëm duke hapur porta drejtë erërave moderne, ku periudha e parë i takon polifonisë me bazë modale, deri në shek.XVI-të (kjo njihet me emërin polifonia e stilit të ngushtë) dhe pastaj është përpunimi dhe zhvillimi i plotë i harmonisë tonale dhe që shënon edhe lindjen e gjinive ose shtrimit homofonik që ne gjithësesi e klasifikojmë në kuadër të polifonisë, meqenëse i takon shumëzërëshit. Midis këtyre dy epokave qëndron Bachu - maja e ekuilibrit të të gjitha rezultateve të muzikës polifonike të stilit të ngushtë, bashkë me rezultatet e plota të zhvillimit të harmonisë tonale. U arrit ekuilibri i plotë i të gjitha rezultateve të teknikës polifonike me rezultatet e zhvillimit të harmonisë, e cila ka ardhur si rezultat i kësaj polifonie dhe që ka një sistem të harmonisë së tillë që mundësoi shumëtaktëshin muzikor (gradaqelat muzikor u mundësuan pikërisht me sistemin artificial-tonal). Në këta shekuj dhe rezultatet e arritura të polifonisë e mundësuan lindjen e shkencës së re (shek. XVI-të), shkencën e harmonisë, e cila është shkencë e bashkëtingëllimeve muzikore (aspekti verital), algjebra e muzikës, e cila merret me tonalitetin dhe studimin e tij gjithëpërfshirës. Tonaliteti ka në vete individualitetin dhe ekspresivitetin, ku lidhen me idetë dhe përfytyrimet e pamjeve të realizuar me mjete shprehëse muzikore. Dhe me të drejtë tonaliteti konsiderohet si një nga modet meqë prejardhja e tij është pikërisht prej modeve. Polifonia e stilit të ngushtë ka bazë modale, kur themi që ka bazë modale atëherë çfarë është modi? Modi është një mënyrë e të qenit të shkallës. Çdo modë është në raport tërëheqës me tingujt tjerë, ku modi paraqet një gravitet në vete. Në botë njihet rreth 360 e ca mode apo mënyra të krijimit të melodive (varësisht nga traditat e këtyre vendeve). Vetëm në muzikën tonë popullore shqiptare kemi 40 mode, krahasuar me sipërfaqen është një pasuri e jashtëzakonshme, ku modet janë rezultate të melodive. Nuk janë modet që e krijuan melodinë, janë meloditë që në mënyrë të natyrshme duke u krijuar, e kanë në vetvete këtë lloj ligjësie, por raporti në të vërtet melodi – shkallë, është si raporti polifoni – harmoni, ku polifonia ndikoj në zhvillimin e harmonisë, por dhe harmonia nga ana e vet krijoi premise për një zhvillim të mëtutjeshëm të vet muzikës. Muzika përmban në vete edhe ngjyrë, emocion, energji… Komponenti përbërës (kryesor) i çdo vepre muzikore është shkalla muzikore. Atëherë pra ç’është shkalla muzikore, ç’janë modet, si u zhvilluan ato gradualisht, si lindi tonaliteti (që është proces goxha i gjatë historik)? Shkalla muzikore është lidhja funksionale e tingujve me një qendër tonale të vetme, një lidhje funksionale tingujsh në largësi dhe lartësi të ndryshme. Shkalla në vete përmban tri elemente: qendrën tonale, sasinë e tingujve, por edhe mënyrën e renditjes së tingujëve në shkallë dhe funksioni i së cilit prej tyre. Muzika është art kohor dhe si i tillë ai paraqet proqes, duke qenë proqes ka dinamikë: ka ulje, ngritje, ka një energji që rezulton me lëvizje (asnjë lëvizje nuk bëhet pa energji). Në lidhje me sistemin tonal, ai i ngjan skeletit të njeriut, ndërsa e gjithë pjesa tjetër është mishi që e plotëson, kështu janë veprat muzikore. Me zhvillimin e më vonshëm të muzikës u zhvilluan edhe modet që ndryshe quhen sistem artificial i krijuar e jo natyror (dur dhe mol). Një trajtim të veçantë në shkencën e harmonisë kanë pa dyshim disonancat (pjesë të intervaleve që paraqesin rrugën e tejkalimit të situatave muzikore), të cilat janë akumulimet më të rëndësishme të përgatitura, ku përmbajnë zotërimin e tensionit në vete. Pa disonanca muzika do të ishte e pa fuqishme dhe të gjitha problemet muzikore do të ishin të pazgjidhura, të pa renditura sipas mënyrës së ekzistimit të modeve. Ndihmë të madhe për evoluimin e harmonisë si shkencë, paraqet pikërisht modulacioni, i cili paraqet kalimin nga kati i parë tek kati i dytë. Gjithë modulacioni konsiston tek shkalla që hyp në katin e dytë, mandej kati i dytë është i ndërtuar krejtësisht si i pari, i treti po ashtu, i katërti etj. Mirëpo pa modulacion muzika do të ishte shtëpi një katëshe e pa shtrirë në të gjithë sipërfaqen universale të mundësive muzikore-estetike.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

Monday, August 18, 2008

Katarsisi në muzikë

Estetika dhe njeriu

Botuar më 18.VIII.2008

Katarsis do të ishte njësim i spektatorit të artit me modelin e krijuar prej tij. Kjo nënkupton pastrimin e pasioneve jo vetëm dhe jo thjeshtë nga mëshira dhe frika, që ndjen prej përjetimit të subjekteve artistike, por mbi të gjithë regjistrimi në qënien tënde i vlerave të reja komplekse të artit. Katarsisi paraqitet jo vetëm në muzikë e në art, por në çdo situatë me të cilën njeriu merr diçka për vete, për të pastruar dhe për të futur në vetvete atë, në mënyrë të pavetëdijëshme por të efekshme.

Mr. Ilir Ramadani

Njeriu në jetën e përditshme dhe në mënyrë të përgjithësuar shpreh mendimet e tija individuale, ndonjëherë edhe të pa menduara që do të jenë në dëmë të tjetërit, duke u bërë edhe vet pjesë e dëmit të shkaktuar për situatën që do të pasoj dhe do të jetë ai vet protagonist i krijimit të frikës së shkaktuar këtyre mendimeve. Ekziston një mënyrë e veçantë e daljes nga kjo situatë, që me anë të muzikës krijohen premise për tejkalimin dhe krijimin e katarsisit. Çka në të vërtet kuptojmë me katarsisin në art - muzikë? Cila është rëndësia e katarsisit në jetën e artistit dhe në shoqëri? Përse njeriu përjeton brenda vetvetës katasisin dhe cila është baza për përjetimin e tij? Këtyre pyetjeve do t’i përgjigjemi në mënyrë të thjeshtë dhe të përgjithshme që kanë të bëjnë me gjendjen e njeriut dhe midis raporteve të tij që krijojnë katasis. Gjendja psikologjike - shpirtërore e secilit individit kalon nëpër faza dhe segmente kohore, ku këto faza janë të njejta për të gjithë ata që në veten e tyre paraqesin interesin dhe ndjeshmërin për natyrën e problemeve të të gjithë njerëzve. Katarsis është emocion dhe ndjeshmëri ndaj vuajtjeve që sjellin tek njerëzit situatat e caktuara. Situatë post artisike-pastrim i emocioneve me anën e mëshirës dhe frikës. Një shkallë e ndjeshmërisë njerëzore, individuale, një stimulim për të dal nga vetvetja–uni, solodarizim me fatet e njerzëve tjerë, vuajtje e përbashkët, guxim i përbashkët. Veprimi katarsis është një ndryshim psikik i pranuar në mënyrë të vetvetishme e të pakuptueshme nga individi. Katarsis nënkupton përfundimin paqësor e të përkryer të çdo vepre (Gëte). Katarsis do të ishte njësim i spektatorit të artit me modelin e krijuar prej tij. Kjo nënkupton pastrimin e pasioneve jo vetëm dhe jo thjeshtë nga mëshira dhe frika, që ndjen prej përjetimit të subjekteve artistike, por mbi të gjithë regjistrimin në qënien tënde i vlerave të reja komplekse të artit. Katarsisi paraqitet jo vetëm në muzikë e në art, por në çdo situatë me të cilën njeriu merr diçka për vete, për të pastruar dhe për të futur në vetvete atë, në mënyrë të pavetëdijëshme dhe të efekshme. Ja do të mundohem ta ilustroi një shembull me të cilin njeriu përjeton katarsis: Përderisa një gjyqëtar gjatë procesit të gjykimit të një të pandehuri (i cili pafajsisht është i akuzuar dhe mbahet në burg për vepër penale), në këtë moment gjyqtari bëhet pjesë e individit të pafajshëm nga njëra anë (hyn dhe bëhet bashkëpjesmarrës i vuajtjeve në shpirtin e tij) dhe nga ana tjetër është zbatues i ligjit. Përjetimi i katarsisit është vetëm atëherë kur gjyqtari del nga mendimet e veta të trubullta (atëherë kur dikush i afrohet dhe i thotë: hej zgjohu nga mendimet). Katarsis nuk është i barabartë me të gjithë efektet e mundshme të artit, por ai është, megjithatë, një formulë e thjeshtë, e përmbledhur e gjithë funksioneve artistike. Ai është një situatë psikike e pashmangshme dhe e natyrshme, situatë që funksionon, vepron në çdo gjendje të njeriut, përmes emocioneve, psikikës, dhe ndjeshmëria që ka për çdo rast. Aristoteli e demostronte fare thjeshtë si pastrim i pasioneve me anën e mëshirës dhe të frikës, gjë që do të thotë se veprimi i tij bëhet funksional pas përfundimit të tragjedisë, në kohën bosh mes vetë tragjedisë dhe spektatorit. Kur mbaron ëndërra, atëherë tek individi sulmon katarsi për qëllim të futjes së kësaj pjese në vetëveten tonë, në mënyrë të pavetëdijëshme dhe të efektëshme. Në qoftëse një ngjare shkakton vuajtje (greq-eleos), apo (tmerr-fabos) analiza e kësaj ngjarjej të çon drejtë pastrimit (katarsis) të ndjenjave. Spektatori i artit është i inkurajuar të gjejë në veprën artistike diçka nga vetja e vet, një pjesë të unë-it që përpëlitet dhe vështirë se mund ta emërtojë vetveten në kushtet e garës shoqërore për ekzistencë. Kjo do të demostronte një mënyrë të organizimit të njeriut në aspekt të përmbushjes së jetës artistike, në të cilën vepron katarsisi dhe në bashkëqenie me të gjitha efektet që sjell në riorganizimin emocional dhe shpirtëror të tij. Si shfaqet katarsisi përmes muzikës? Në këtë pyetje do të përgjithësojmë atë që sjell katarsis. Qysh në Greqinë e lashtë u pa se përmes tragjedisë greke u arrit tek spektatori në një masë goxha të lartë bashkëqenia me vuajtjet dhe qëndrimi i tyre ndaj mëshirës. Andaj, përjetimi dhe shprehja e saj në muzikë na bënë të rindërtojmë dhe të riorganizojmë mënyrën e efektshme të veprimit katarsis. Ndjeshmëri, që vepron në mënyrë të pavetëdijëshme tek njeriu dhe rezultati i tij paraqet promisa të larta në avancimin drejtë jetës artistike. Çdo vepër e artit - muzikës, në bërthamën e saj, si dhe në paraqitjen e saj tek çdo spektatori, artëdashësi, tek njeriu me shpirt human – pjesë e ngjarjeve që zhvillohen në kohën e caktuar, emocionalisht bartë në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të pa vetëdijëshme fenomenin e katarsisit, pjesë e asaj që quhet bashkëndjesi e vuajtjeve individuale të shoqëruara me frikën e mendimit. Në çdo vepër artistike, njeriu gjenë efektet e katarsisit, veprimin e tij duke na bërë të ndjeshëm për të qenë edhe vetë pjesë atyre emocioneve që shkaktojnë pastrim nga e trubullta, rigjenerimin organik të mendimeve dhe rikrijimin tonë në aspekt të funksionimit sa më të përgjithësuar, duke qenë bashkëpërjetues i gjendjeve të krijuar nga muzika-në mënyrë të pavetëdijëshme dhe efektive. Katarsisi në muzikë të drejton në përmbledhjen emocionale, duke u bërë bashkëveprues me njerëzit që transmetojnë këtë fenomen dhe ti si spektator e përjeton pa u koncenturar fare.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

Monday, August 4, 2008

Individualizmi dhe subjektivizmi

Estetika dhe njeriu

Botuar më 04.VIII.2008

Ana shpirtërore ngjall të dhëna të pashlyeshme në raportet e njeriut me të gjithë fenomenet dhe abstargimin e tij ndaj tyre. Realizimet e tij në mënyrë të ndryshme dhe novatorike në aspekt të krijimt, për gjithë mjedisin shoqëror janë një vizë thyese në mes të kaluarës dhe ardhmës së vetëdijëshme dhe të përsosur me elemente të botës si reflektim i zhvillimeve teknologjike dhe shkencore

Mr. Ilir Ramadani

Proceset historike të ngjallin në kujtesë mendime të shumta rreth qëllimit të krijimitarisë artistike - muzikore dhe të rrethanave nëpër të cilat ato kaluan. Vetë fakti se njeriu nga natyra e tij është qenie e gjallë dhe pjesë organike e botës universale që krijon në vartësi me gjendjen materiale dhe shpirtërore, paraqet gadishmërinë për të sjell objektivat e pretenduara dhe të pa arritura deri tash. Krijimtaria e tij mbështetet nga një mori faktorësh dhe në nuancash të ndryshme kohore, të cilët veprojnë në secilin segment të tij. Ana shpirtërore ngjallë të dhëna të pashlyeshme në raportet e njeriut me të gjithë fenomenet dhe abstargimin e tij ndaj tyre. Realizimet e tij në mënyrë të ndryshme dhe novatorike në aspekt të krijimit, për gjithë mjedisin shoqëror, janë një vizë thyese në mes të kaluarës dhe ardhmës së vetëdijëshme dhe të përsosur me elemente të botës si reflektim i zhvillimeve teknologjike dhe shkencore. Pasqyrimi i pamjeve subjektive bëhet coherentë me shkëlqimin e mendjes dhe intelektit para sfidave të shumta dhe të ngjeshura në artin e muzikës dhe të shpehjeve të tij të brendshme emocionale. Subjektivizmi ka për qëllim të deklaroi haptas botën pragmatike dhe të intelegjencës së pastër, pa pasur nevojë të bëjë justifikime botës së qytetërimit kohor dhe historik. Ajo tendencë e tij për t’i vështruar çështjet në mënyrë individuale, ngre në pah një sërë përvojash dhe përjetimesh të shprehura dhe jo të shprehura deri atëherë, ku i përmbledh në një metodë bashkëkohore dhe princip të punës së tij personale, çështje të cilat zënë vendin në botën e madhe estetike, bile-bile, nganjëherë edhe janë në piadestalin krijues me vlerë universale të shoqëruara nga vokacioni i artistit. Thirrje të tilla janë jo vetëm rastësi në krijimin e imazheve subjektive, të cilat paraqiten në veprën e artit, por ato përqëndrojnë vëmendjen dhe reflektimin e proceseve nëpër të cilat kalon njeriu gjatë evoluimit të tij. Në të gjitha rastet kemi të bëjmë me koherencë në mes të faktorëve shoqëror, si pjesë e proceseve jetësore dhe anës intelektuale dhe subjektive të formës më të ngritur, mendimit që është paraprakisht proces logjik i njeriut. Individualizimi është shenja imediate e njeriut në procesin e formimit të tij artistik. Kjo pasqyrohet në stilin, origjinalitetin dhe në “unë”-in e tij që transmetohet me anë të mjeteve shprehëse dhe të formave të rea novatorike, që sjell në veprimtarinë e tij artistike. Në fakt, individualizmi përbën në vete formën, përmbajtjen, metodën, mënyrën, mjetet, stilin, origjinalitetin, justifikimin, saktësimin, deskriptimin etj. Gjithashtu të gjitha këto veti që i posedon dhe i vë në shërbim të artit, realizohet përmes botës subjektive që është e ndërlidhur edhe në marrëdhëniet në mes të këtyre dy vetive. Faktorë të shtrirë në hapsirën artistike, përbëjnë masat kryesore në angazhimin e tij për të qenë pjesë e botës dhe e zhvillimeve artistike. Nëpërmjet të këtyre faktorëve, gjendja emocionale e tij, mendimet e fikësuara e të përceptuara, të shprehura me anë të mendimeve intelektuale, janë të bazuara në gjendjen e brendshme emocionale dhe shpirtërore. Subjektivizmi është i mbështetur në prekshmërinë e objekteve nga gjendja emocionale dhe sa më shumë të shtrihen e të gjejnë vend në shpirtin e individit, aq më shumë japin edhe rezultatet e kësaj natyre. Kjo ka edhe një mbështetje të arsyetueshme që paraqitet në kohë të caktuar dhe në epokë relative. Koha pikërisht është shtylla kryesore, e cila bartë në vetvete elementet e pashmangëshme të thelbit esencial të çdo trajtese që bëhet nga individi (me bazë të menduarit logjik, si proces i zotërimit të aftësisë së njeriut për të realizuar qëllimet e veta). Subjektivizimi jo vetëm që është realitet i kufizuar individual, por është gjendja e tij e brendshme, që reflekton në veprimtaritë e tij të ndryshme për krijimin e raporteve sa më të mira me hapësirën ku vepron, studion dhe vlerëson e gjykon. Gjykimi individual bëhet në bazë të një shkëputje mendimesh, që reflektohen tek njeriu, ndaj një sërë grumbullimesh të njohurive dhe vlerësimesh të tij, ndaj në këtë aspekt mban vulën e tij shpirtërore. Baza individuale ushëhiqet nga shqetësimet shpirtërore që reflektojnë proceset jetësore tejet dinamike që ndodhin sidomos në shekujt e fundit. Andaj, subjektivizmi është proces që zhvillohet dhe arrihet deri tek origjinaliteti i shprehur përmes individualizmit. Pse Shekspiri nuk e ka emërin Shaip? Kjo përgjegje akumulohet nga ngarkesa e kohës që sjell në koherencë me vlerën kohore të ngjarjeve që e përmbysin botën me zhvillimin e mendimeve për botën dhe manifestimin e tyre përmes rrugëve, metodave, mjeteve me të cilat ata shprehen. Paraqitja subjektive është stili origjinal dhe vlerësues për kohën në të cilën krijuesitë jetojnë, formojnë origjinalitetin, studiojnë dhe veprojnë. Individualizmi dhe subjektivizmi janë pasqyrë për të identifikuar personazhe, epoka dhe vepra e kryevepra, me mesazhet universale që përcjellin dhe që janë të krahasueshme me shekuj. Ky proces që kalon njeriu i artit është edhe një dëshmi për ekzistencën e një energjie të pashterrshme në aspekt të krijimit të asaj që mban vetëm e vetëm një person, një zhvillim në drejtim të sjelljes në art anën e shpirtit krijues përmes individualizmit dhe subjektivizmit, si pjesë qelizore dhe bartëse e gjithë barrës së realizimit të tij krijues.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)