Botuar më 05.V.2008
Trajnimet e mësimdhënësve nga GTZ-ja në Kosovë (me urdhër të MASHT-it), janë jo adekuate dhe të pa justifikueshme për shkollat e muzikës, pasiqë ato që prej themelimit e deri sot, punojnë me një model të tillë, ku tani MASHT-i është zgjuar nga gjumi dhe aplikon një reformë-model nga vendet e ndryshme të botës (duke injoruar faktin që shkollat e muzikës aplikojnë këtë model që nga viti 1947).
Mr. Ilir Ramadani
Vitet e para të pas luftës së dytë botërore në Kosovë u pritën me plotë entuziazëm meqë fillonte një etapë e re për popullin kosovar, hapja e shkollave që kishin për qëllim zhdukjen e analfabetizmit. Për këtë qëllim u hapën shkolla fillore e të mesme dhe ato profesionale, siq është hapja e shkollës së parë të muzikës në Prizren më 1947. Ishte një përvojë e re në arsimin kosovar, por edhe një objektiv drejtë krijimit të gjeneratave profesionale në lëminë e muzikës. Sot funksionojnë gati në çdo qendër të Kosovës shkollat e muzikës (si ato të ulëta dhe ato të mesme), që veprojnë me një sistem pune të pa njohur për inspektorët e arsimit në Kosovë. Energjinë e tyre nuk dëshirojnë ta shpenzojnë së paku duke bërë pyetje se si funksionojnë këto shkolla, prandaj shpesh hasim në keqkuptime për shkak të mos gadishmërisë profesionale të tyre. Kjo mos gadishmëri nga ana e inspektorëve për të pasurë një pasqyrë të qartë të sistemit funksional, paraqet brengën tonë profesionale, e sidomos në parashtrimin e kërkesave nga ana e të zgjedhurëve politik (gjithësesi jo kompetent për shkollat profesionale të muzikës në Kosovë), pasiqë nuk kanë as edhe më të vogëlin informacion në funksionimin e këtyre shkollave (absulutisht sa herë frekuentojnë shkollat e muzikës, rezulton me këto fjalë: “Se nuk kemi kuptuar asgjë”). Kjo është njëri ndër preokupimet tona për të mos i thënë atyre se nëse nuk jeni në gjendje ta kuptoni realizimin e një ore mësimore (teoriko-praktike), atëherë nuk duhet të parashtroni kërkesat e shumëta dhe të pa justifikuara, apo edhe mos ejani fare të inspektoni se u bëtë përrallë, derisa nuk merrni në radhët tuaja njerëz me profil adekuat. Sikur edhe për të gjitha lëmitë tjera që ekziston plan programi mësimor, edhe për shkolla profesionale ekziston një i tillë, që është i krahasueshëm edhe me plan programet e vendeve tjera. Është e pa logjikshme për një intelektual që drejtoria e arsimit dhe inspektorët e saj nuk kanë njohuri se si zhvillohet procesi mësimor në këto shkolla. Andaj, duhet të shtrohen këto pyetje: pse në radhët e inspektorëve të arsimit nuk ka njerëz të profilit muzikor, të cilët do të ishin kompetent për të inspektuar në këto shkolla? Cila është arsyeja e mos prezencës së tyre? A mos vallë është neglizhencë e institucioneve kosovare për të krijuar konfuzitet nga vet drejtoria e arsimit? Pse nuk i jepet hapësirë njerëzve profesionist (adekuat) të merren me punën e tyre? Këto pyetje do të kërkonin përgjegje nga ata të cilët janë në postet e fituara pa një meritë të veçantë. Do të ishte në ndërgjegjen e të gjithëve që nuk janë të profilit adekuat të mos i futin hundët aty ku nuk e kanë vendin. P.sh nëse vjen për inspektim një inspektor i profilit të historisë dhe parashtron kërkesa të kota që nuk përkojnë me realizimin praktik të orëve mësimore në këto shkolla, është një fyerje për këta arsimtarë që punojnë dhe kontribuojnë në edukimin e brezit të ri. Nuk do të thjosha se nuk kanë një arsim të lartë të përfunduar, por për mos njohjen e punës që bëhet në këto shkolla (sepse në orët individuale ne punojmë në një kabinetë me nga një nxënës dhe për ta është një gjë e pa kuptueshëm, ku aplikohet teoria dhe praktika e gërshetuar për çdo orë). Gërshetimi i vetëm adekuat i teorisë dhe praktikës bëhet në shkollat profesionale të muzikës, që duhet të merren shembull në realizimin e orëve mësimore. Madje duke mos qenë në dijeni me zhvillimin e procesit mësimor në këto shkolla, kërkojnë që mësimdhënësit e këtyre shkollave të trajnohen nga njerëz që nuk e kanë profilin adekuat dhe në trajnimet që organizohen, flitet për reformimin e shkollave profesionale, pa i futur edhe specifikat e shkollave të muzikës, ndërsa me e drejtë do të ishte të quheshin TRAJNIME PËR REFORMIMIN E SHKOLLAVE PROFESIONALE TË TEKNIKËS, e jo të Shkollave Profesionale. Këtu do të fokusohesha në trajnimet e personelit mësimor që mbahen nga GTZ-ja në Kosovë (me urdhër të MASHT-it), janë jo adekuate dhe të pa justifikueshme për shkollat e muzikës. Pse? Në rend të parë në këto trjanime janë futur reformat e kuadrit për orët mësimore (realizimi i teorisë në gërshetin me praktikën) që shkollat profesionale të muzikës e aplikojnë që nga themelimi i tyre. Përderisa shkollat e muzikës që prej themelimit e deri në ditët e sotme punojnë me një sistem të tillë, tani MASHT-i është zgjuar nga gjumi dhe aplikon një sistem që është marrë nga vendet e ndryshme të botës (duke injoruar gjenerata dhe profesionist që punojnë në Kosovë). Me keqëardhje do të shprehesha se nuk jemi njerëz që i dispononim informatat e duhura(për reforma), sepse po ti kërkonin ato, do ti gjenin të zbatuar në shkollat profesionale të muzikës. Do t’i ftoja të gjithë ata të cilët janë të interesuar të dinë se si punohet në këto shkolla (dhe si zbatohen teoritë të gërshetuar me praktikë), të kërkojnë informacione të sakta nga njerëzit profesionist e jo nga historianët apo matematicientë e gjuhëtarët, sepse krijojnë në mendjen e tyre kunfuzitet. Nuk është e qëlluar që një person i një profili të caktuar të jetë kërkues për zbatimin e rregullave mësimore edhe në profilet tjera pa u konsultuar me njerëzit profesionist, të cilët e njohin rrjedhën e punës në shkollat e tyre, e sidomos të atyre të shkollave profesionale (në këtë rast e fokusuar për shkollat e muzikës). Duke bërë konsulta të vazhdueshme me njerëz profesionist të lamive të ndryshme, vijmë deri te një strategji e përbashkët për avancimin e sistemit arsimor në vendin tonë, duke paraparë specifikat e secilit profil, e jo të krijohen keqkuptime dhe mos funksionalitet në arsimin kosovar. Derisa do ta kemi një situatë të tillë në arsim dhe marrjen e vendimeve të pa justifikuara nga njerëz që nuk i përkasin profileve adekuate, nuk do të kemi zbatueshmëri nga ana e mësimdhënësve, dhe nuk duhet të shtrohen kërkesat abstrakte (meqë ata vet nuk janë në gjendje të japin një përgjegje të plotë dhe të ezauruar). Shpresojë që shkollat e muzikës në vendin tonë të jenë model i funksionimit të reformave në arsiminin fillor dhe parauniversitar dhe të gjithë ata që nuk e dinë se si funksionojnë këto shkolla, të gjejnë rrugën dhe ta shohin zbatimin e reformave.
(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)
No comments:
Post a Comment