Botuar më 21.IV.2008
Pse mungojnë kuadrot në Kosovë edhe pas më se tri dekadave funksionimi të Fakultetit të Muzikës? Cila është arsyeja e mungesës së tyre? A mos duhet të kërkohet arsyeja dhe shkaku edhe tek vet pedagogët e Fakultetit të Muzikës për mosfunksionimin dhe seriozitetin e tyre në zbatimin e rregullave pedagogjike?
Mr. Ilir Ramadani
Njëri ndër institucionet ku paraqitet shkalla më e lartë e profesionalizmit në Kosovë në lëminë e muzikës është Filharmonia-Opera dhe Baleti, institucion ky i bërë në kohët e fundit temë e diskutuar ndër instancat më të larta në vendin tonë për shkak projektit të ndërtimit dhe të mundësisë së funksionimit të këtij institucioni. Themelimi i një institucioni të tillë është kontributi më i çmuar i bërë kulturës dhe muzikës klasike (po e pëdorë termin klasik për shkak të terminologjisë adekuate, sepse fjala klasik do të thotë as t’i hiqet, as t’i shtohet gjë) në Kosovë, e cila paraqet përmasat më të larta të arritjeve kulturore, zhvillimit dhe avancimit profesional artistik, ngritjen e nivelit të përgjithshëm të përformimit të artistëve kosovarë dhe atyre të huaj që do ta frekuentojnë këtë institucion. Njëherit do të ishte meritë e të gjithë atyre që me këmbëngulësi e seriozitet do të përpiqeshin që sa më shpejtë të është e mundur të realizojnë projektin e ndërtimit me të gjitha parametrat e ndërtimeve bashkëkohore dhe fillimit të funksionimit të Operas kosovare, që do të ishte begatim i jetës kulturore në vend. Dihet mirë se Kosova është e hendikepuar sa i përket numërit të njerëzve profesionist që do të ishin pjesë e këtij institucioni. Ekziston mungesë e madhe e instrumentistëve sidomos të atyre frymorë, ku për çdo koncertim të filharmonisë duhet huazuar instrumentistë nga vendet fqinje. Këtë boshllëk të personave sado pak e zbusin këto huazime, madje mundësojnë koncertimin e orkestrës dhe të instrumentisëve nga vendet tjera që e kanë distinacion përformimin e tyre me filharmoninë e Kosovës. Edhe pse nuk mungojnë organizimet dhe koncertimet e filharmonisë së Kosovës, prapë se prapë nuk është e mjaftueshme gjithëmonë duke krahasuar filharmonitë e vendeve tjera që kanë program të ngjeshur vjetor-mujor dhe javor. Ky projekt do të ishte fillim i mbarë i Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, në ngritjen e kapaciteteve profesionale muzikore dhe përpjekjeve për tu ofruar shtresave intelektuale atë që u kishte munguar deri tani. Në lidhje me mungesën e numërit të njerëzve profesionist (instrumentistëve) individëve adekuat për plotësimin e karrigeve në filharmoninë e Kosovës, disa pyetje duhet shtruar hapur me qëllim të gjetjes së përgjegjeve adekuate. Sa kemi ne kuadro të aftësuar profesionalisht për institucionin më të lartë në Kosovë? Pse mungojnë kuadrot në Kosovë edhe pas më se tri dekadave funksionimi të Fakultetit të Muzikës? Cili është shkaku i mungesës së tyre? A mos duhet kërkohet shkaku edhe tek vet pedagogët e Fakultetit të Muzikës për mosfunksionimin në raport me studentët dhe seriozitetin e tyre në zbatimin e rregullave pedagogjike? A do të duhej të ishin pedagogët përgjegjësit kryesorë në mungesën e krijimit të kuadrove? Është e qartë se rrethanat në të cilat kalon vendi ynë nuk mund të pritet një punë e mirëfilltë në aspektin e krijimit të kuadrove profesioniste - me një përgatitje dhe nivel të lartë artistik. Gjendja materiale është e pafavorshme për pjesën më të madhe të popullit, mundësisë së përballimit të situatës financiare (të pa motivuar për shkollim të lartë), si dhe gjendjes kaotike të shkaktuar nga pjesa akademike, që nuk janë fare prezent në të shumtën e rasteve në procesin mësimor. Kjo gjendje mund të spjegohet vetëm nga ata të cilët janë përgjegjësit kryesorë, që krijuan situatë të varfër me njerëz të seksioneve të ndryshme (instrumentistëve që mungojnë aktualisht në vendin tonë). Njëra ndër përgjigjjet adekuate është se ne jemi ata të cilët nuk dëshirojmë të kemi numër të mjaftueshëm të instrumentistëve (që do të ishin armatë e fuqishme funksionale pas ndërtimit dhe fillimit të funksionimit të Filharmonisë - Operës dhe Baletit), andaj nuk duhet të arsyetohemi në raport me krijimin e kuadrove profesioniste, sepse mos vullneti dhe gadishmëria për të marrë pjesë rregullisht në procesin mësimor, shkakton një arsye për tu ndarë nga profesioni i tyre i instrumentistit ata student të cilët do të ishin pjesë të gatshme për të qenë pjesë e institucionit më të lartue në Kosovë. Medoemos duhej të kërkohej një përgjegjësi për këtë mungesë të instrumentistëve edhe pse Fakulteti i Muzikës funksionon më se tri dekada, madje duke u graduar profesorët të cilët janë bartësit kryesorë të kësaj gjendje, duke pasur parametra për ti pasur kuadrot vendore, por duhet të potencohet neglizhenca, mos përgjegjësia e njerëzve të cilët nuk do të duhej ta kishin ndërgjegjen e pastër me atë se si veprojnë (sikur të ishin monark) apo të quajtur ndryshe kontribuesit kryesorë në mos krijimin e kuadrove profesioniste-artistike, të cilët do të ishin numerikisht të mjaftueshëm atëherë kur do të lindëte nevoja për funksionmin e Filharmonisë dhe Operës. Madje madje, disa prej tyre japin kontribut të çmuar arsimit të lartë duke mbajtur vetëm nga dy apo tri leksione në semestër apo edhe në vit, duke u thirrur në kohë të pamjaftueshme, pasi që kanë më së paku tri e deri në 5-6 vende të punës. Andaj, kjo tregon më së miri shkakun pse në Kosovë ka mungesë të kuadrove që do të duheshin të ishin të përgatitur profesionalisht për të qenë pjesë e institucionit të Operës dhe Filharmonisë së Kosovës. Shpresoj që në një të ardhme të afërtë të kemi ndërgjegjësimin e stafit akademik, të kuptimit të situatës së krijuar në vend nga vet pedagogët, duke mos u arsyetuar se skemi kuadro, por te secili prej tyre të kërkohet angazhim i plotë, seriozitet, përmbushja e obligimeve ndaj vendit, pasiqë të gjithë duhet të kontribuojmë në përmirësimin e kualitetit muzikor dhe aplikimit të llogaridhënies të të gjithë atyre që po japin reflektim negativ në stafin akademik në Kosovë dhe kërkojnë ndihmë nga ministria e kulturës për ti plotësuar nevojat e filharmonisë. Veprimi më adekuat i ministrisë do të ishte në kërkimin e llogaridhënies se pse është kjo gjendje e jo tu jepet e drejta për arsyetime, pasiqë një arsyetim i mirëfilltë nga ana e tyre nuk ekziston dhe do të duhej që tani në këtë moment këta përgjegjës të ishin në një vend tjetër e jo aty ku janë sot.
(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)
No comments:
Post a Comment