Monday, April 14, 2008

Muzika dhe e drejta autoriale

Estetika dhe njeriu

Botuar më 14.IV.2008

E drejta e autorit në vendet e zhvilluara është e aplikueshme e që tek ne ende nuk është bërë asgjë, e cila kontribon në ruajtjen e dinjitetit artistik, identitetin e krijimtarisë artistike, identifikimin e asaj që është personale dhe i përket vetëm një njeriu-një autori. Rregullimi i një ligji për autorësinë dhe aplikimin e tij në vendin tonë do të ishte një stop, një hap i drejtë ndaljes së plasimit të materialeve të marrura apo huazuara

Mr. Ilir Ramadani

Suprimimi i autonomisë dhe tranzicioni që kaloi Kosova në 18 vitet e fundit dhanë fryte të një zhvillimi të pa dëshiruar muzikor. Në radhë të parë kemi zhbërjen institucionale dhe funksionimin e tyre paralel që u krijuan deri në vitin 1999 dhe mos funksionaliteti i institucioneve kosovare pas vitit 1999 e deri në ditët e sotme për të mbrojtur të drejtën e autorit (të aprovuar me një ligj të veçantë). Kjo ishte koha më e mirë për të gjithë ata matrapazë, tregëtarë, manipulatorë, që me çdo kusht kishin në genin e tyre fitimet personale (madje duke u shitur si patriotë dhe atëdhetarë të mëdhenj), në dëmë të gjeneratave që kaluan dhe kalojnë në një atmosferë të çthurrur kulturore, duke plasuar gjithëçka ishte e mundur, përveç vlerave estetike. Shfrytëzimi i kohës pa ligjin për autorësi (i cili do të rregullonte të drejtën e autorësisë), e ka sjellur vendin tonë në gjendje kaotike, të pa drejtë ndaj pjesës më të madhe intelektuale. Kjo kohë ishte e pështatshme për një biznes të ri-“prodhimin e vlerave” dhe manipulimin e tregut me këtë produkt që ndikoi fuqishëm tek masa më e madhe në pranimin e jo vlerave muzikore. Derisa autorësia ka të bëjë në mënyrë të qartë me të drejtën e personit që është autor i vërtet i krijimtarisë muzikore, kjo gjithashtu është e mbështetur me një ligj të veçantë, që të mos u lihet hapësirë për manipulim nga ana e personave të papërgjegjshëm, që kanë një nivel të ultë kulturor. Kjo të bënë të ndihesh i fyer e i pa fuqishëm në impakt me realitetin e hidhur të viteve të tëra në Kosovë, pa një mbështetje të duhur e të qartë, me një vullnet jo të mirë për të kontribuar për një çështje madhore-për të drejtën e autorësisë. Neglizhenca institucionale për aprovimin dhe aplikimin e një të drejte njërëzore i bënë me krah ata njerëz që kanë prioritet përfitimin personal në dëmë të tjetërit, madje edhe në ngritjen e tyre si persona të një rendi të veçantë në shoqëri. Sikurse shprehja e mendimit të lirë në art e në muzikë (liria artistike), që është bazë e krijimtarisë muzikore-estetike, ashtu duhet të jetë edhe mbrojtja dhe e drejta e autorit (e cila është pjesë organike e secilit individid në shoqëritë demokratike) për të pasur korrektësi dhe respekt në zhvillimin e ideve individuale (zhvillimin e kreativitetit njerëzor). Një e drejtë e tillë që në vendet tjera është e aplikueshme e që tek ne ende nuk është bërë asgjë, kontribon në ruajtjen e dinjitetit estetik, identitetin e krijimtarisë artistike, identifikimin e asaj që është personale dhe i përket vetëm një individi-një autori. Në pozitën e sotme autori është njeri pa identitet, me një përbuzje nga shoqëria dhe institucionet vendore (të cilët asesi të merren me të drejtën e autorit) dhe pa fuqi të identifikimit të vetes-pjesë e veprimtarisë së tij artistike. Përmasat e zhvillimeve kundër vlerave të lënë përshtypjen e një komuniteti që nuk di të dallojë të mirën nga e keqja, të bardhën prej të zezës, të bukurën nga e shëmtuara…kur është e qartë që shumica e këngëtarëve - “Yjeve të Kosovës”, janë ata të cilët nuk i njohin këto vlera dhe madje çmohen për atë që bëjnë, vetëm e vetëm që në një formë janë kontribuesit kryesor të asaj që nuk mund të ishte vlerë. Këta këngëtar gjejnë rrugë për të depërtuar deri tek ata njerëz që merren me matrapazëllëqe dhe bashkëpunimi me ta jep fryte të shpejta edhepse nuk do të ishte e pranueshme ajo se çfarë ofrojnë për artëdashësit kosovar. Duhet njëherë e përgjithëmonë tu ndalet hovi i atyre që po lënë gjurmë në muzikë dhe në reflektimin e keq të ngjarjeve muzikore në Kosovë. Ky stopim do të sjellte një freski dhe riorganizim të ngjarjeve muzikore në vend dhe do të paraqiste një imazh që do ta dëshironin të gjithë ata që ia duan të mirë muzikës dhe vendit të tyre. Rregullimi i një ligji për autorësinë dhe aplikimin e tij në vendin tonë do të ishte një stop, një hap drejtë ndaljes së plasimit të materialeve të marrura apo huazuara (të vjedhura, për të mos u shprehur vrazhdë edhepse është e merituar në lidhje me evinimentet që po ndodhin në Kosovë), do të ishte një forëcim, angazhim dhe besim për të kultivuar vlera të larta artistike (edhepse dihet qartë që është përgjegjësi dhe kërkon azhurim në këtë drejtim, ku duhet një organizim i mirëfilltë njerëzor me diapazon të gjërë të njohurive mbi vlerat e vërteta artistike). Autori do të gjente frymëzime nga më të ndryshmet për të krijuar dhe plasuar mendimin e tij me vlera të larta artistike në sferën e muzikës dhe vetëm një rregull i zbatuar me përpikëmëri do të shpërblente tërë mundin dhe energjinë e shpenzuar për krijim artistik. Andaj, duhet të jemi të gatshëm në dhënjen e vendit të duhur e të merituar autorit dhe vlerave të tija muzikore-estetike.
(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

No comments: