Saturday, April 4, 2009

Kosova me imazh të ri

Estetika dhe njeriu

Botuar më 22.02.2009

Simbolet shtetërore “Himni dhe Flamuri” sikurse në çdo vend tjetër përfaqësojnë simbolet historike identifikuese të një shteti e këto tek ne u bënë kundër dëshirës së gjeneratave që dhanë shumë për të pasur simbolet identifikuese shpirtërore të shtetit të dytë shqiptar. Ne jemi përkrahës të Bashkësisë Ndërkombëtare, por jo të humbim atë që është identifikuese e populli tonë

Mr. Ilir Ramadani

Kosova po sfidohet në impakt me një mori problemesh në të gjitha sferat e jetës, të cilat drejtpërdrejt ndikojnë në krijimin e një atmosfere të zymtë dhe joshpresëlënëse për komunitetin që jeton në këtë vend dhe të ardhmën e tij. Gjendja e tillë konsiston në një amulli të përcjellur me rrjedhën e ngjarjeve që kanë ndodhur dhe po vazhdojnë të jenë prezente prej një varg motivesh të ulëta duke i vënë në pah qëndrimet jo reale ndaj popullit dardan. Kjo situatë e rëndë është pasojë e luhatjeve nga individët vendor dhe një qëndrimi jo korrekt nga Bashkësia Ndërkombëtare, që po reflektojnë në stabilitet të brishtë dhe një të ardhme të turbullut. Kjo bënë që të mos ndihemi komod me një trajtim tashmë të ri për shtetin kosovar (me një imazh të ri për Kosovën pa shenja indentifikuese historike) dhe kur në një ditë të afërm të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, të mos mund të identifikojmë lashësinë, përpjekjet për liri dhe traditat e prejardhjen tonë shekullore. Këto përpjekje u bënë nëpërmjet hartimit të një plani për të cilin populli kosovar nuk u është mirënjohës (as ndërkombëtarëve e aq më pak vendorëve), për simbolet e Kosovës: himnin dhe flamurin – simboleve të shtetit të ri (New Born) që lindi i sanksionuar prej gjendjes shpirtërore. Ne jemi përkrahës të Bashkësisë Ndërkombëtare, por jo të humbim atë që është identifikuese për popullin tonë të lashtë dhe përpjekjeve të vazhdueshme që u bënë për krijimin e imazhit të një komuniteti që ka vlera kulturore e njerëzore.
Simbolet shtetërore “Himi dhe Flamuri” sikurse në çdo vend tjetër përfaqësojnë simbolet e një shteti dhe traditave të tyre e këto tek ne u bënë kundër dëshirës së gjeneratave që dhanë shumë për një ditë kur do të mund të ishin ballëhapur. Përshtypja e sotme për këto simbole shtetërore nuk është lehtë e pranueshme për një popull që ka kaluar nëpër një histori të dhimbshme dhe tani të bie preh e tekeve të disa individëve se vetëm ata duhet të jenë përcaktuesit e fatit të Kosovës. Himni dhe Flamuri i Kosovës u bënë me një dinakëri të përdorur me mjeshtëri nga Bashkësia Ndërkombëtare (e përkrahur nga individët kosovar, edhepse ishin fillimisht kundër të çfarëdo flamuri dhe himni tjetër përpos atij për të cilën dhamë shumë jetë me decenie), të cilët vepruan në shëndërrimin (tjetërsimin) dhe deformimin e simboleve me të cilat do të identifikohej vendi Dardan. Disa vite më parë në Kosovë u bë një propozim duke u prezentuar simbolet e Kosovës me të cilat do të identifikohej populli dhe historia kosovare (që do të ishte i arsyeshëm dhe do të bënte pjesë në ndërgjegjen e cilitëdo prej nesh), por ndodhi një moskoordinim apo më mirë të themi një revolt midis krerëve dhe personave me influencë (që me siguri sot dhe tërë jetën e tyre do ta ndiejnë veten e tyre fajtor që nuk i kanë mbështetur ato simbole, që do të vërtetësonin ekzistencën historike të popullit kosovar).
Himni me teks që përshkruan ngjarje të vendit tonë do të ishte zgjedhja adekuate (cili do tekst që vë në pah shpirtin e komunitetit kosovar dhe flamuri me shenjat e shëndritjes së ngjyrave ku do të ishte lehtë të identifikohej prejardhja Dardane, do të kurorëzonte identifikimin e shtetësisë së Kosovës, por ne pranojmë ato gjëra që na servohen nga Bashkësia Ndërkombëtare edhepse janë kundër vullnetit të popullit). Nuk u arrit unifikimi i mendimeve për veten tonë, që në të ardhmën të ndjejnë veten kokëlartë, por u lamë hapësirë të mjaftueshme për zgjdhjen e më të keqes dhe ne u pajtuam pa hezitim që këto të jenë simbolet identifikuese të shtetësisë së Kosovës. Ne reagojmë dhe nuk pajtohemi mes vete, por kur është në pyetje Bashkësia Ndërkombëtare, jemi të pa gojë (edhe atëherë kur veprojmë kundër vetes dhe gjeneratave që me vite përjetuan çdo gjë që është e mundur të përjetojë njeriu nën sundimin e një populli që nuk lë metodë dhe mjet pa përdorur për të vepruar). A e humbi Kosova identitetin e saj duke e shëndërruar në shtet pa asnjë gjurmë të së kaluarës? A është kjo mënyrë e qartë e Bashkësisë Ndërkombëtare për të krijuar një imazh që nuk i pëket Kosovës? Sa jemi ne fajtor që nuk i konsiliduam radhët për simbolet para se të na servoheshin simbolet e tanishme? Cila është përgjegjësia jonë për të gjithë dëshmorët e rënë (për këto simbole që i ndërruam pa një pa dy)?
Kosova festoi një vjetorin e shtetësisë, por sa ishin të përzemërta simbolet për shënimin e një dite me vlerë për Kosovën, që hisorikisht pritej të ndodhte. Shënimi i një dite ishte më tepër pa emocion, me dhembje për jetët e shumëta të humbura dhe për krijimin e një robotizmi njerëzor ku populli i Kosovës ishte i pa shpirt dhe i pa kënaqur me ato simbole që i dhanë një imazh të ri historisë së vendit tonë (apo më mirë të themi festuam me simbole pa emocion të cilat më tepër shkaktojnë neveri sesa dëshirë për to). Lidhjet organike me atë që është pjesë e dekadave nuk mund të humbet për një kohë të shpejt sikurse nuk ka ndodhur asgjë. Kjo është një deformimi i historisë dhe identitetit tonë. Flamuri nuk ka asnjë reflekson të ngjarjeve, komunitetit dhe rrjedhjes që na përcolli, por vetëm përligjje e ngulfatur shpirtërore (robotizëm). Himni është një reaksion i formuluar përmes një laboratori tingujsh që nuk përngjan me kurrëfarë konteksti shqiptar e përcjellur me një radhitje tingujsh në mënyrë matamatikore. Kjo i përgjigjet më tepër asaj që nuk realizon ëndrrën tonë për një himn që do t’i përgjigjet emocioneve dhe gjendjes shpirtërore. Imazhi i ri i Kosovës i dedikohet më tepër një shteti të ri që nuk ka as traditë, as histori, as gjendje shpirtërore, apo ndoshta është një politikë e cila të bënë që pas ndërrimit të gjeneratave kur do të krijohet një rend i ri dhe një frymë e re të mos e kthejnë kokën prapa, por edhe nuk do të jetë në gjendje të ketë fotografinë e duhur të identifikimit tonë. Përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare me këto simbole e vë në provë vërtetësinë gjenetike të popullit dhe asaj që mund të quhet përfaqësim i denjë i shtetit të Kosovës.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

No comments: