Monday, December 29, 2008

Opera si gjini

Estetika dhe njeriu

Botuar më 29.XII.2008

Opera në pjesën dërmuese trajton subjekte jetësore që përmban dhe konflikte të mprehta të cilat shtjellohen, kulmojnë e zgjidhen në skenë; fikson tekstin dramatik ku arrihet konkretësia emocionale përmes detajimit psikologjik që krijon e kënduara në skenë

Mr. Ilir Ramadani

Opera si gjini nuk është formë artistike e izoluar, por një degë e teatrit si spektakël dramatik. Ajo është një formë skenike ku ngjarja dramatike transmetohet tek publiku përmes së kënduarës (nga solistët), orkestrës, personazheve të mbështetur në një koreografi, skenografi, dramaturgji operistike. Kritiku i madh rus Serov e përcakton kështu operan: “Një shfaqje skenike në të cilën ajo që ndodh në skenë, d.m.th ngjarja shprehet përmes muzikës së kënduar nga personazhet pjesëmarrës dhe potenciali i orkestrës në rol herë shoqërues, herë dialogues, e herë komentues. Ajo ka të njejtën veçanti sikurse format teatrale: konfrontimin dramatik, dialogun, por që transmetohet përmes muzikës së kënduar, orkestrës, lojës së aktorëve në skenë, dhe personazheve që trajtohen në libretin e vendosur mbi vijën melodike. Kjo veçanti e kësaj gjinie muziko-teatrale, dikton edhe veçantinë e punës së dramaturgut operistik, e cila konsiston në aftësinë e tij për të nxerr në pah rrjedhën zhvilluese të veprimit në muzikë, përmes përdorimit dhe shfrytëzimit të mjeteve dhe mënyrave të ndryshme të dramaturgjisë muzikore. Avantazh i operas si spektakël teatral, është prania e shumë arteve në të, që në mënyrë sintetizuese veprojnë mbi spektatorin: vepron fjala poetike dhe veprimi skenik përmes pjesëve solistike në bashkëveprim me të kënduarin në amsambël e grup koral, vepron muzika simfonike dhe arti koreografik.
Të gjitha këto i japin operas si gjini avantazhe të padiskutueshme, të cilat i nxjerrin asaj në pah atë artifis që drama e folur nuk e ka (njeriu në jetën e përditshme nuk flet duke kënduar), ku ajo vazhdon të jetojë e të tërheq dëgjues e spektator dhe kjo sepse: opera në pjesën dërmuese trajton subjekte jetësore që përmban dhe konflikte të mprehta të cilat shtjellohen në skenë, kulmojnë me zgjidhjen në skenë. Si gjini teatrale, dramaturgjia operistike i nënshtrohet disa ligjeve analoge me ato të dramës letrare dhe kino-dramaturgjisë. Përmes kësaj tërësie dhe atij teksti të kursyer letrar, i cili vendoset mbi një muzikë ekspresive që zbulon thelbin emocional të asaj çka thuhet, e që këndohet e interpretohet skenikisht (edhe sepse më plastike) të një parti orkestral që mbështet e fuçizon atë që shqiptohen aktori, këngëtari, arrihet që në radhë të parë muzikalisht të transmetohen tek publiku drama të mëdha jetësore, koncentrate emocionale të atyre dramave, të cilat fjala e vetme nuk arrin t’i transmetoj në detaje. Libreti është baza letrare e dramës muzikore, pra e operas. Ai shtjellohet kryesisht në vargje, ndërsa rrallë herë edhe prozë.
Nga ana e tyre libretët mund të jenë shtjellime të mbështetura mbi vepra të njohura letrare (dhe kjo ka qenë një preferencë e kompozitorëve opereistë, por në asnjë mënyrë libreti nuk mund të quhet një gjini e pavarur poetiko - dramatike. Ka ekzistuar një lidhje imtësisht e ngusht dhe e ndërsjellëta në mes të kompozitorëve (si në fazën e krijimit të veprës së tyre, ashtu edhe gjatë realizimit muzikor), por ndonjëherë kompozitorët edhe vetë kanë qenë libretistë të veprave të tyre. Si dramë teatrale, opera shtjellohet brendave akteve, skenave, ku konflikti zhvillohet në kohë, brenda specifikës përkatëse të çdonjërit prej tyre: të fjalës, veprimit skenik të aktorëve, skenografisë, muzikës me të cilën preferohet idea e veprës dramaturgjike të fjalës e lojës aktoreske, por edhe të efekteve pamore e manovrimet me mjediset e sfondit shoqëruese muzikore në realizimin e dramaturgjisë së operës. Gjithashtu orkestra luan rol mjaftë të rëndësishëm, e cila është e vendosur në aspekt polemizues dhe i shumë planësh. Përmes potencialit të saj (pjesë e rëndësishme e dramaturgjisë muzikore të operas), dramaturgut operist i krijohet mundësia të krijojë veprimin dyplanësh. Orkestra mban një pjesë të rëndësishme të peshës dramaturgjike të operas, të cilës i besohet jo vetëm shoqërimi e mbështetja e shtjellimit vokal, por edhe pjesëve hyrëse, universale që në opera të veçanta arrijnë përmasa simfonike.
Ajo e realizon këtë funksion përmes mundësive të mëdha që ajo disponon: potencialin orkestral që shtrihet përmes llojeve të instrumenteve në të gjithë hapësirën katër-oktavëshe diapazonale, shumëngjyrëshmërinë e timbreve (harqe, dru, tunxh) llojllojshmëri e letërsi etj. Në saje të kësaj mundësie, autori i operas mund të përçoj tek spektatori dëgjues nëntekstin emocional të veprimit, ku artifisi ndikon drejtpërdrejt në emocionin e spektatorit. Në dramaturgjinë operistike janë figurat muzikore që bëhen më të rëndësishme e që kthehen në faktorë veprues në transmetim tek spektatori i idesë së veprës operistike. Janë ato që mbi bazën e libretit, ku detajohet subjekti, dramës operistike, përbëjnë përmbajtjen tërësore intonative të operas, e cila shtjellon subjektin në muzikë. Në operë materialet muzikore transmetohen përmes këngëtarëve artifis, solist, korit mix (varësisht prej përmasës së saj), orkestrës, koreografisë, tekstit poetik etj. Opera e aprovoi veten si gjini vokalo-skenike që në vitin 1607 (edhepse përpjekjet e para për të krijuar operën u bënë shumë më herët tek kinezët në shek.XII, e cila nuk e kishte efektin e saj që aprovohet në shek. më vonë). Kërkimet për mënyra të reja të trajtimit të mjeteve shprehëse të harmonisë, të melodisë, veçanërisht orkestracionit e fuçizimit të orkestrës, sollën fillimisht simfonizimin e operas, e më pas ndërtimin e planeve dramaturgjike muzikore.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

Monday, December 15, 2008

Joserioziteti e dëmtoi Korin dhe Filarmoninë - Operën e Kosovës

Estetika dhe njeriu

Botuar më 15.XII.2008

Serioziteti është ilaqi më i preferuar për t’iu shmangur të dëmshmës. Koncerti u dirigjua nga një njeri me mjaft vlerë, me një diapason të gjërë artistik, por artistët kosovar ishin të tejkënaqur me atë që e shpasolën, duke u bërë pjesë e një gjenerate që nuk kanë kapacitet të krahasohen me solistët e vendeve tjera (me përjashtin të një pakice prej tyre)

Mr. Ilir Ramadani

Arti nuk ka gojë, por ka gjuhë specifike, ai të bënë të ndieshëm dhe të prek në instiktin njerëzor. Qasja e drejt artistike e begaton jetën e njeriut gjatë rrugëtimit nëpër sfidat e jetës, duke krijuar një përkufizim dhe filozofi të qartë për kulturën dhe rëndësinë e saj. Muzika është art kohor që përcjell tek publiku emocione të atilla që nuk mund të përqohen përmes arteve tjera (sepse gjenë rrugën e depërtimit shumë më lehtë dhe me pak vështërësi). Këto emocione kësaj radhe tek shtresa intelektuale i përcolli Kori dhe Filarmonia - Opera e Kosovës, me përformim para publikut prishtinas, të një nivel jo të kënaqshëm estetik. Faktor kryesor që e bënë një paraqitje të suksesshme, është qasja e duhur dhe e drejt ndaj artit dhe shtresës intelektule, që ata mos ta ndiejnë veten e tyre të fyer. Performimi dha një pasqyrë të një nivel të ultë të individëve që performuan (si atyre vokal, gjithashtu edhe instrumental). Së pari ishte një vetkënaqësi nga ana e solistëve, që është një gjë e dëmshme për ta, por edhe për ngritjen e tyre artistike ne të ardhmën (sepse mund të performosh çdo ditë e të mos jesh në nivel të barabart me artistët e cilitdo vend tjetër).

Ne vetën kënaqemi e kënaqemi. Urojmë njëri - tjetrin pa e lodhur kokën me të vërtet se si ishte paraqitja jonë (dhe vallë këtë e bëjmë nga mos azhurimi dhe ndjenja për të bukurën në art). Nga vetkënaqësia kemi vetëm dëme e asesi nuk jemi real dhe të përgjegjshëm. Serioziteti është ilaqi më i preferuar për t’iu shmangur të dëmshmës. Punë, angazhim, seriozitet dhe me përkushtim, por pa vetkënaqësi të tepruar mund të arrijmë atë që bota e qytetëruar e ka arritur me shekuj. Edhepse koncertin e dirigjoi një njeri me mjaft vlerë, me një diapazon të gjërë artistik, me një shpirt të madh prej artisti, i cili koncertoi nëpër shumë vende të botës, por kësaj radhe nuk pati rastin që të bëjë gjënë më të mirë dhe e dini pse? Sepse artistët kosovar ishin të tejkënaqur me atë që e shpasolën, duke u bërë pjesë e një gjenerate gati të dështuar (me përjashtin të një pakice prej tyre). E themi këtë sepse vetëm krahasimi të jep mundësinë më të mirë për të qenë pjesë e një rendi me vlerë estetike. Solistët kosovar duhet të jenë vetkritik, e mos të paraqiten me shumë vetkënaqësi, e pak seriozitet, sepse e fyejnë veten dhe të tjerët. Neve na mungon shumëçka që botës së qytetëruar nuk i mungon.

Atëherë duhet të parashtrohen disa pyetje. Çka i mungon njerëzve në Kosovë? Pse nuk kemi seriozitet? Pse vetëm i marrin gjërat shkel e shko? A me të vërtet na duhet një riformim edukativ?

Këtyre pyetjeve mund t’i përgjigjemi me shumë pak fjalë. NA MUNGON KULTURA PËR PUNË. Vetëm atëherë kur jemi në gjendje t’i përballojmë me sukses kërkesat estetike, do të bëhemi për lakmi. Pika më e diskutueshme e koncertit, ishte paraqitja tejet e dobët e korit të Filharmonisë së Kosovës. Kjo i dha një imazh të zbeht këtij evenimenti të organizuar për nder të festës së vitit të ri. Një gjë është e qartë, se nuk mungojnë kuadrot solistik (përveq atyre instrumental), por me ta duhet të punohet e të punohet, pa ndonjë lëvdat të tepruar, sepse performimi i tyre e tregoi të kundërtën e asaj që jemi mësuar ti dëgjojmë. Performime të tilla ndoshta nuk do të kemi në të ardhmën, sepse me të vërtet i kemi kaluar të gjithë kufijt e artit dhe këtë e kemi bërë për së mbrapshti, duke i dhënë vetes një komoditet, ndërsa po ta kthejmë shikimin kah e vërteta reale, atëherë…

A mundemi ne të jemi në hap me vendet tjera? Kjo mbetet të shihet në të ardhmën.


(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)

Thursday, December 4, 2008

Program artistik i mitrovicasëve në Prizren

Estetika dhe njeriu

Botuar më 04.XII.2008

Ajo që duhet të na jep një shtytje dhe të na tregoi rrugën e duhur të artit, është vullneti, angazhimi, serioziteti në secilën pjesë ku mund të tregojmë vlerat tona. Kori ishte mjaftë profesional (në suaza të shkollave të mesme), duke i shpalosur vlerat me një mjeshtri që ndriqoi porësi një llampë me rreze të qarta ndriquese.

Mr. Ilir Ramadani

Prizreni është vend i traditës muzikore dhe i përshtatshëm për të shpalosur programet e veta muzikore të gjithë ata që me të vërtetë merren me zhvillimin kulturor në vend, duke bërë të mundur orientimin e drejtë të komunitetit e në veqanti brezit të ri. Kjo është edhe një sinjal i qartë për këtë qytet që e ka humbur ekuilibrin dhe energjinë që e kishte dikur në përgatitjen e programeve (me të cilat ishin në hap të mirë) për të qenë gjithmonë të gatshëm për edukimin dhe ngritjen kulturore në vend. Bashkëpunimi në mes njerëzve është i domosmoshëm në të gjitha segmentet e jetës të çdo niveli profesinist e amator.
Ky bashkëpunim sjell në skenë shumë talent që janë të pa përvojë. Sa më shumë të kenë paraqitje skenike nxënësit dhe studiuesit e ri, aq më tepër do t’u shtohen ndjenjat për artin dhe muzikën. Freskia që sollën me vete nxënësit e Mitrovicës në Prizren, ishte e një rendi të krijimit të shëndosh të atyre që i janë përkushtuar artit muzikor. Fillimi i një lidhje të ngushtë emocionale mes të rinjëve është edhe qëllimi i shkëmbimit të përvojave individuale dhe kolektive, meqë muzika e shëndrron njeriun në unifikues të raporteve shpirtërore me të tjerët.
Programi ishte me një rëndësi për të dya palët, edhe të atyre që kishin ardhur për t’i shpaluar vlerat e tyre, gjithashtu edhe të mikërpritësve për të vënë veten e tyre në sprovë. Këto programe shkollore janë një mundësi e mirë për të krahasuar secila shkollë nivelin e saj karshi shkollave tjera, e kur flasim për shkollën e muzikës së Prizrenit (që është shkolla e parë e muzikës e themeluar në Kosovë), atëherë duhet pasur parasysh se gjeneratat e para ë ndritura të muziktarëve në vendin tonë, dolën pikërisht nga kjo shkollë.
Ndër pikat e shfaqura që duhen të theksohen, ishte paraqitja e korit të shkollës, që me mjaftë profesionalizëm (në suaza të shkollave të mesme), me të cilin është bërë një punë e ezauruar (me të gjitha elementet e nevojshme muzikore në paraqitjen e një kori) ku ai ndriqoi porësi një llampë me rreze të qarta ndriquese.
Kjo tregon në seriozitetin dhe përkushtimin e njerëzve profesionist që japin kontributin e tyre në afirmimin dhe ecjen drejt rrjedhave të zhvillimit kulturor. Pika tjetër e admirueshme padyshim ishte formacioni i orkestrës me parte të harmonizuara për të dhe që krijoi një atmosferë të këndshme, ku njëkohësisht do të ishte shembull adekuat edhe për shkollat tjera që të formojnë orkestra të të rinjëve.
Përshtypja e pëgjithshme ishte: ndjekje e hapave profesioniste dhe mishërimi me artin muzikor. Ajo që duhet të na jep një shtytje dhe të na tregoi rrugën e duhur të artit, është vullneti, angazhimi, serioziteti në secilën pjesë ku mund të tregojmë vlerat tona, e jo t’u jepen hapësirë atyre që janë dilitantë dhe të etshëm për karrierë dhe për të qenë të famshëm (duke shkaktuar një indinjatë të thellë tek profesionistët e vërtetë).
Kosovës i mungon një festival i koreve, si atyre amatore po ashtu edhe atyre profesioniste, i cili do të ishte shtytësi më i denjë për të ardhur deri te kualitati i performimeve korale dhe kështu do të krijohej një traditë e shëndosh e gjetjes dhe vërjes në pah të vlerave të mirëfillta muzikore. Shpresojmë që institucioneve kosovare do t’u shkoj në mend që të jenë të gatshëm të kontribuojnë në ripërtritjen e një fesitvali të tillë që me të vërtetë do të ishte një segment i artë dhënë zhvillimeve kulturore artistike në Kosovë. Vetëm me një bashkëpunim dhe bashkëveprim adekuat do të jemi në gjendje të tejkalojmë vështërësitë në përgatitjen e gjeneratave të reja që në të ardhmën do të jenë bartësit e zhvillimeve kulturore në vend.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)