Estetika dhe njeriu
Botuar më 03.III.2010
Koha është ar, atëherë duhet t’i hapim sytë që ta kthyejmë shikimin kah vlerat, kah njerëzit që janë ekspertë të fushave të tyre dhe kah nevoja e domosdoshme për përgjegjësi në detyrën historike që ka vendi ynë. Koha po kalon e ne vendnumërojmë
Mr. Ilir Ramadani
Heshtje ka kapluar intelektualët dhe artstët pas ngjarjeve të fundit që po godasin sferën e kulturës dhe artit, duke u bërë sikur nuk dëgjojnë dhe sikur nuk jetojnë në mjedisin e tyre. Ata që mund të ndikojnë në përparimin e kulturës – heshtin, ndërsa të tjerët - që janë dilitantë, dalin në skenë dhe në sipërfaqe (sepse ishin dje, janë edhe sot e “shpresojmë të jenë edhe në të ardhmën”). Po këta persona nuk dhanë asgjë për shoqërinë që mund të krenohen e të kenë kenë lavdata (në vend që të hetohen për keqpërdorime dhe ngulfatjen e kulturës në vend), ata edhe sot marrin poste të larta në qeverisjet komunale. Një gjë duhet të themi hapur që këta persona meritojnë të jenë aty ku e kanë vendin - në postet ku i kanë edhe sot, sepse ne si popull nuk meritojmë më shumë… Deri kur do të kemi këtë strukturë politike të verbër, që vetëm nëse ke arsim të mesëm të përfunduar mund të kesh post të lartë. Ky është momenti i përshtatshëm t’u thuhet STOP këtyre sërvilëve të kulturës e të artit që vrapojnë pas karrigeve, pas posteve, edhe pse e dinë shumë mirë që po kontribuojnë në ngulfatjen e më tutjeshme të kulturës dhe artit. Pyetjet konkrete që duhet të shtroheshin sot janë: Cili është vizioni për kulturë në vend? Pse anjë parti politike nuk ka program zhvillimor për kulturë dhe art? Cilët janë ata që marrin postet për kulturë në çdo komunë? Athua vallë kultura është pjesë e popujve tjerë, ndërsa neve na përket vetëm ngushllimi?
Dëshirojë të potencojë faktin se pa kulturë dhe art ne mund të jemi vetëm një vend i pazhvilluar (edhe pse mjerisht ky fakt është i prekshëm tek ne, sepse po vendosim njerëz që nuk njohin vlerat kulturore, madje madje edhe manipulojnë me to). Nëse do të vihej në provë aftësia profesionale, këta persona nuk e posedojnë një aftësi të tillë. Nëse do të vihej në pyetje se sa shfaqja kanë ndjekur këta persona, atëherë numëri mund të variojë nga 0 tek 0. E mos të pyesim se cili është koncerti i fundit i Filharmonisë së Kosovës që ata kanë përcjellur, përgjegjja do të ishe: Pse, ka Kosova Filharmoni?... E këta njerëz janë ata që udhëheqin kulturën e vendit tonë. Njerëz që përveq drekave e darkave nuk dinë gjë tjetër. Më vie turp nga këta të ngratë, fali zot se s’din çka bëjnë, sepse pikërisht kjo përzgjedhje ndikon tek gjeneratat e reja, të cilët nuk kanë se me çfarë të merren (duke ditur që kultura luan rol të rëndësishëm në edukimin e tyre njerëzor dhe human). Nga i padituri mos kërko të bëjë ndonjë mrekulli (sepse nga ai nuk ke asnjë dobi - atë edhe zoti ashtu e krijojë). Motoja e çdo partie është qeverisje e denjë për qytetarët, por me këta servil e matrapaz nuk do të ecim as edhe një milimetër nga vendi (vendi ec përpara me njerëz të aftë e të ndershëm, që japin maksimumin e tyre intelektual për të arritur vlerat më të larta europiane).
Duke parë punën e tyre vite me radhë vijmë deri tek konkludimi se asgjë nuk do të ndryshojë, asgjë nuk do të frymojë ndryshe kah kahja pozitive, asgjë nuk do t’u ofrohet gjeneratave të reja, asgjë nuk do të mund t’i ndalojë në përkeqësimin e kulturës, sepse këta servil janë edhe sot në pozitat e njejta. Kulturën e bëjnë njerëzit që kanë kulturë, ndërsa për udhëheqësit tanë… nuk është thjeshtë vetëm një dështim i tyre në përmbushjen e obligimeve që kanë marrë (dhe premtimeve kote që njerëzit e artit do ta udhëheqin artin), por edhe një përgjegjësi që kanë ndaj popullit dhe nevojave shpirtërore të tyre. Duke dashur të besojë që ky është një mesazh i qartë për të gjitha ata që kanë këto poste në vendin tonë dhe për institucionet vendore, ata do të këndellen dhe do ta kthejnë kokën kah e vërteta, kah realiteti, kah perspektiva e gjeneratave të reja, sepse me këtë që po ndodh vetëm mund të kemi regres e jo progres të zhvillimeve kulturore.
(Autori është magjistër për Estetikë dhë Publicistikë)