Estetika dhe njeriu
Botuar më 04.X.2009
Muzika është art kohor, i ndërthurur me elemente specifike si për nga gjuha, po ashtu edhe për nga shtrirja e saj interpretuese. Ajo është pjesë organike e njeriut, e pasqyruar si për nga forma gjithashtu edhe për nga përmbajtja. Harmonizimi i tyre sjell tek dëgjuesi ndjenjën e së bukurës përmes madhështisë së tingullit
Mr. Ilir Ramadani
Muzika është pjesë e pandashme e jetës së njeriut, duke u bërë pjesë e tij edhe atëherë kur nuk është në gjendje të perceptojë dhe kuptojë thelbin e artit muzikor dhe esencën e zanafillën e saj, por vetëm përjetojnë elektrizimin që shfaq ajo. Muzika dhe thelbi i saj kuptohen vetëm atëherë kur jemi pranë saj dhe në dimensionin estetikë që shfaqet tek masat e gjëra artdashëse. Interpretuesi – artisti gjatë performimit bënë që edhe tek ata që janë më pak muzikal të krijojë marrëdhënie të ngushta reciproke dialoguese, duke përjetuar muzikën përmes veprës muzikore. Ky dialog përfaqëson ndjenjën artistike që interpretët bartin në bagazhin e tyre formues dhe atë e përcjellin në paraqitjet e tyre tek publiku, i cili akcepton dhe bashkëjeton me përjetimin muzikore. Talentët e dalluar japin mesazh, që në të vërtetë është universal në vetvete. Artistët janë ata që transkriptojnë dhe e bëjnë më të lehtë kuptimin e muzikës, specifikave të saja dhe rolit që ajo ka në formimin tonë profesional. Pikërisht ky është edhe qëllimi që përmban në vete tingulli (sepse muzika është e dallueshme prej arteve tjera, përmes gjuhës së shprehjes, impakti që ajo shfaq në dialog me ta dhe mundësinë e krijimit të raporteve më të afërta në mes të interpretuesit dhe dëgjuesit). Prishtina ishte mjaft e nderuar gjatë javëve të kulturës gjermane, meqë pati rastin ti ndjek dy koncerte me mjeshtritë gjerman.
I pari ishte në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe i dyti koncert kamertal me veprat e kompozitorit gjerman Felix Mendelssohn Barthorldy-it. Ky ishte edhe rast i veçant meqë korospodon me 200 vjetorin e lindjes së kompozitorit dhe interpretimi i veprave të tij ishte në korelacion të ngushtë me javët e kulturës gjermane, duke i dhënë mundësi publikut në Kosovë që të jetë i pranishëm në dy koncertet e organizuar për këtë qëllim. Qëllimi i këtyre koncerteve ishte bashkëpunimi dhe shpalosja e kulturës gjermane tek shtresat intelektuale të Kosovës, bashkëpunimi i ndërsjelltë kulturor dhe human. Ky ishte edhe mesazhi gjerman i drejtuar popullit të Kosovës dhe gjithë artëdashësve dhe profesionistëve që nga afër të përjetojnë tingujt e kulturës gjermane. Këtë mesazh në Prishtinë e sollën Andreas Reiner (violinist me renome) dhe pianisti e dirigjenti shqiptar që jeton e vepron në Gjermani - Desar Sulejmani. Protagonistët e dy mbrëmjeve ishin të përgatitur, të cilët u bënë transformatorët e veprave muzikore, duke lançaur vizionin që kanë për artin muzikor tek publiku prishtinas. Me profesionalizëm të vërtetë, me pjekuri prej artistësh të mëdhenjë, me përkushtim, lançuan edhe njohurit e tyre filozofike për muzikën, për artin në përgjithësi, sepse tek ne sollën atmosferën e punës gjermane. Ata përcollën një formul të muzikimit, formulë kjo e deshifruar përmes artit dhe vlere të veçantë që populli gjerman posedon në kulturën e saj shekullore.
“Kultura e një shoqërie është rruga e jetës e anëtarëve të saj; koleksioni i ideve dhe zakoneve që ata i mësojnë, i shkëmbejnë dhe i transmetojnë brez pas brezi”.[1] Puna dhe talenti i tyre krijoj një lidhje miqësore dhe shumë të afërt si me publikun, gjithashtu edhe me vlerat e veprave të muzikës gjermane. Interpretimet e tyre ishin në një nivel tejet të lartë artistik e estetik, duke bërë që të përjetohet madhështia e veprave muzikore me të gjitha kërkesat estetike të një performimi artistik. Karakteristikë e dallueshme ishte edhe mobilizimi i anëtarëve të Filharmonisë së Kosovës që të paraqiten me një nivel të kënaqshëm dhe mbresëlënës (gjë e cila është e admirueshme nga njerëzit profesionist që të japin maximumin e tyre në paraqitjet skenike). Ndërsa, në koncertin kamertal dy artistët që përfaqësuan kulturën gjermane dëshmuan profesionalizëm dhe shpirt artistësh duke lënë mbresa të pashlyeshme në përmormimin e tyre. Artistët gjatë interpretimit të veprave muzikore, përcjellin me besnikëri emocionet që japin tingujt muzikor dhe atë e reflektojnë po me aq fuqi që vepra muzikore përmban në thelbin e saj, duke qenë në kontinuitet me ligjësit estetike. Kjo ishte edhe një mundësi e mirë për interpretët e rinj në Kosovë që të njihen me punën e zelshme dhe me vizionin e qartë të artistëve që kanë për muzikën dhe plasimin e kulturës së vendeve të tyre tek popujtë tjerë evropian.
(Autori është magjistër për Estetikë dhë Publicistikë)