Monday, June 15, 2009

Kreativiteti pjesë e lojës së fëmijëve

Estetika dhe njeriu

Botuar më 15.06.2009

Fëmijët krijojnë situata të tilla ku bëhen protagonistë për të shfaqur individualitetin dhe kjo është e lidhur ngushtë me lojërat e tyre dhe shprehjen përmes tyre. Andaj, kreativiteti është i domosmoshëm për të shfaqur botën e tyre shpirtërore.

Mr. Ilir Ramadani

Ekzistojnë teori të ndryshme për rolin e lojërave, qëllimin e tyre në edukimin e fëmijëve, zhvillimin fundamental që i japin fëmijëve në aspektin shpirtëror e fizik. Fëmijët përmes lojërave arrijnë deri në atë shkallë të përfytyrimit objektiv dhe subjektiv, zhvillimit të fantazisë për gjëra reale dhe joreale dhe kjo arrihet falë kompleksitetit që përbëjnë lojërat në vetvete. Ato janë pjesë të pandashme, të ndjeshme, emocionuese, të lira saqë nuk mund të paramendohej që në aktivitetet e tyre të përditshme të mos ketë lojëra (pikërisht ato i japin impulsin e duhur në zgjerimin e mundësive dhe shkathtësive për t’u shprehur dhe treguar individualitetin). Përmes tyre vihen në pah aftësitë e brendshme të trasheguara në mënyrë gjenetike, pozicionimet individuale, fantazia (për objektet reale dhe imagjinative), kreativiteti, interpretimi (në formë të pavarur) dhe përmes aktiviteteve dëgjimore të vazhdueshme bëhen protagonist të vërtetë të individualitetit në grup dhe në rreth. Loja fëmijëve u sjell kënaqësi, argëtim, vetëbesim, ndjenjë për të bukurën, ku përmes saj ata përceptojnë, prekin botën materiale dhe shpirtërore dhe bëhen pjesë e realitetit në të cilin jetojnë. Rëndësia e lojës për fëmijët konsiston në depërtimin drejt botës së tyre të brendshme, në shprehjen e tërë potencialit shpirtëror, në ekzistencën e jovarësisë tek ta për gjëra të prekshme dhe të paprekshme, ku pikërisht përmes lojës fëmijët reagojnë dhe reflektojnë e krijojnë në mënyrën e tyre individuale.

Përmes ndryshimit të vazhdueshëm të lojërave, korelacionit të tyre, në sistemin mendon sjellin freskimin e kujtesës, anët pozitive vihen në pah, ku fëmijët vetvetiu paraqesin pozitivitetin dhe pastëtinë shpirtërore përmes dëshirave që të bëhen të pavarura (ku njëkohësisht krijojnë idealet e tyre dhe reflektojnë në tip të liderit). Roli i artit muzikor tek fëmijët është mjaftë i rëndësishëm dhe komponentë fundamentale në edukimin e përgjithshëm, ku kjo lëmi është e planifikuar dhe e sistemuar në krijimin dhe zhvillimin intelektual e spirtual të fëmijëve. Tek fëmijët s’ka qëllim përcaktimin e vetëdijshëm për të krijuar diçka konkrete artistike në këtë moshë (por të nisin hapat e parë të krijimit), sepse për ta është i rëndësishëm procesi i fillimit të krijimit e jo rezultatet (sepse nuk mund të presim menjëherë rezultate të kënaqshme). Të gjitha ato që i bëjnë fëmijët e kësaj moshe, i realizojnë përmes lojës me matetrial tingëllor (duke plotësuar vendet e lëna bosh), pa pasur nevojë që të ndërhyjë pedagogu (vetëm atëherë kur u jep shpjegimet e duhura). Fëmijëve duhet mundësuar që të kënaqen, të shfaqin natyrën e tyre për fillimin e të krijuarit, duke i përpunuar përjetimet e tyre përmes këngëve, pjesëve melodike të shkurtëra, gjesteve e lëvizjeve. Energjia që tek ta është e akumuluar (përmes përjetimeve), duhet të shëndërrohet në praktikë, duke qenë vet ata protagonist të nismës për të krijuar atë që do të jetë produkt i tyre dhe vetëm i mendjes së tyre.

I tërë aktiviteti krijues (ku ne synojmë që tek ta të nxitet ndjenja e kreativitetit) të bëhet në formë loje (pa hequr dorë nga kërkesat elementare muzikore), ku ata duhet të motivohen, sepse ky është parakushti i krijimit të tërsive muzikore (varësisht se çfarë ne synojmë të arrijmë tek ta, me rëndësi është shprehja e lirë e tyre qoftë edhe jo e pëlqyeshme për ne). Kjo do të ishte baza e një procesi me të cilën ata që do të shfaqin talent, ta zhvillojnë atë edhe në fusha tjera (sepse e vetme muzika nuk mund të shpreh thelbin e artit dhe kemi nevojë që kjo të bëhet edhe përmes mjeteve tjera shprehëse). Lëvizja dhe vallëzimi paraqesin aktivitetet bazë përmes të cilave nxënësit shprehin përjetimet e tyre muzikore, por duhet të inkurajohen edhe që kreativitetin ta shprehin përmes artit figurativ dhe shprehjeve gjuhësore, të mbështetur në inspirim nga vet muzika e dëgjuar, meqërast nxënësit në mënyrë spontane të krijojnë atë se çfarë ata ndjejnë. Këtu duhet të ceket se të gjithë fëmijët e talentuar, talentin e tyre ta shprehin aty ku ata e ndjejnë më përzemër (përmes vizatimeve dhe ngjyrosjeve, përmes ndërtimit me mjete plastike, përmes poezive, tregimeve, përmes ritmit dhe melodisë në bazë të imagjinimeve tingëllore individuale). Përmes lojërave artistike, ne arrijmë të realizojmë pjesën shumë të rëndësishme të edukimit muzikor që është zhvillimi i kreativitetit tek brezi i ri, ku meqërast fëmijët eksperimentojmë materiale të ndryshme përmes dëgjimeve muzikore (dëgjimet muzikore paraqesin komponentën fundamentale në zhvillimin e kreativitetit edhe në lëmi tjera), zbulojnë botën e tyre të brendshme, bëhen kërkues dhe njëkohësisht shprehës.

Dëgjimet muzikore ofrojnë edhe më afër nxënësve krijimtarinë muzikore, me ç’rast nxënësit zgjerojnë horizontin e tyre dhe kjo ka për qëllim kuptimin esencial të të krijuarit muzikor. Arti muzikor, sikurse edhe çdo art tjetër mund të shërbejë edhe në korelacionin e shprehjes së kreativitetit dhe të jetë mjaftë efektiv, duke u bazuar në fuqinë shprehëse të tingullit (mjetit shprehës muzikor), që në të vërtet është më mbresëlënësi dhe depërtuesi në krahasim me mjetet shprehëse të arteve tjera. Andaj, arti muzikor mund të jetë edhe stimul për shprehje të kreativitetit edhe në artet tjera (artin figurativ, dramatik, koreografik, aplikativ, gjuhë etj), prandaj shfrytëzimi i potencialit muzikor për të arritur rezultate edhe në artet tjera është i dëshiruar. Këto rezultate janë bërë përmes dëgjimeve muzikore tek moshat parashkollore dhe shkollën fillore e të mesme të ultë. Dëgjimet muzikore japin impuls për të përfyturuar, imgjinuar dhe zhvillon kreativitetin tek fëmijët, sepse ngjallë ndjenjën e shpirtit krijues dhe kjo shpalos individin si person dhe mënyrën reale të shprehjes së tij përmes shqisës së të dëgjuarit. Korelacioni midis dëgjimit të veprave muzikore dhe shprehjes përmes artit figurativ është formë e shkëlqyer e vënies në funksion të mekanizmit kreativ dhe ajo bëhet me një përfytyrim që lenë gjurmë të thella në mendjen e fëmijut, duke transformuar depërtimin e tingujve drejt gjendjes emocionale në shprehje krative figurative.

Falë talentit të fëmijëve, transformimi i tingujve në vizatim me ngjyra, është edhe një formë e veçantë e mbresës që lenë vepra muzikore e dëgjuar, ku tek shumica e nxënësve arrin efektin e mobilizimit dhe zhvillimit të drejtë, duke shpërthyer në mënyra individuale në trajtimin që bëjnë gjatë vizatimit përmes përfytyrimeve. Me vet aktivitetin e fëmijëve, forcohet puna krijuese muzikore, e cila qëndron në zhvillimin e aftësive si sugjerim qenësor për hapat e duhur të një kreativiteti, por edhe formësimin e tyre si individ në aspektin artistik, ku meqërast më vonë vije deri tek profesionalizmi në shprehje.

(Autori është magjistër për Estetikë dhë Publicistikë)