Sunday, May 3, 2009

Kultura, arsimimi - përgjegjësi shoqërore

Estetika dhe njeriu

Botuar më 03.V.2009

Kultura është e përballëshme me çdo situatë të përditëshme e të prekur në secilin cep të jetës së njeriut, ndërsa arsimi është në ndërgjegjen e shoqërisë, në lidhëshmëri me etapat e zhvillimit, përmirësimin e kualitetit arsimor - pedagogjik, sidomos sot kur kemi një nivel tejet të lartë studimesh e përpjekjesh për të sendërtuar arsyen në qëllimin final (unifikimin dhe globalizimin jetësor)

Mr. Ilir Ramadani 

Që të flasim për kulturë dhe arsimim, së pari kemi nevojë të shfletojmë faqe të shumta historike me një përkushtim të veçantë dhe në mënyrë studioze për shoqërinë, proceset nëpër të cilat kaloi dhe elementet përcjellëse që mori e dha (pasi që ai komunitet që nuk merr e jep ose më mirë të themi që nuk shkëmben përvoja të tyre është budalla ose mbetet primitiv) ajo shoqëri, e asesi të kemi një pasqyrë të kotë të evinimenteve që ndodhin në sipëfaqe gjeografikisht të kufizuar dhe të kërkojmë nivele të larta të arsimimit dhe kulturës së njerëzve, të cilët janë pjesë e evoluimeve kohore. Së pari duhet të vështrohet aspekti kohë e pastaj të japim konkludime apo teza të ezauruar shkencore e filozofike. Prof.Dr. Fatmir Hysi në veprën e tij “Estetikë në tri pamje”, thotë: “Kultura e një shoqërie është rruga e jetës e anëtarëve të saj; koleksioni i ideve dhe zakoneve që ata i mësojnë, i shkëmbejnë dhe i transmetojnë brez pas brezi”. Pikërisht kultura është një reflektim shumëvjeçarë i njerëzve, jetës së tyre, pa marrë parasysh se cili do të ishte vendi i individit në shoqëri, trashegimin e bartur brez pas brezi, me të gjitha ato dukuri që i bartë shoqëria në evoluimin e saj. Nëpër etapa të ndryshme të evoluimit të popullit në kohë, dhe në faza të ndryshme që kalon për të ardhur deri në ditët e sotme (ku bota shkon kah unifikimi, globalizimi në të gjitha aspektet, si në atë ekonomike, arsimore, edukative, teknologjike, shkencore, filozofik), kulturat janë ato të cilat i bëjnë të ndihen të qetë popujtë e të privilegjuar për pasuritë e bartura nëpër shekuj.

Kultura është e përballëshme me çdo situatë të përditëshme e të prekur në secilin cep të jetës së njeriut dhe të afinitetit të tij për ta ndierë veten sa më komod në ndërgjegjen e tij, është kontribut i secilit individ me çfarëdo cilësishë, stilesh, pasionesh, azhurimesh në art-shkencë e gjetiu, realizim i përpjekjeve për të përfshirë të tërën në konditat e rregullave të përcaktuara me anë të mendimit logjik e intelektual. Edhe arsimi është në ndërgjegjen e shoqërisë me të gjitha të metat që posedon në çdo aspekt, në lidhëshmëri me etapat e zhvillimit e të avancimit, ngritjes së standardit për përmirësimin e kualitetit arsimor - pedagogjik, sidomos sot në kohën postmoderne kur kemi një nivel tejet të lartë studimesh e përpjekjesh për të sendërtuar arsyen në qëllimin final (unifikimin dhe globalizimin jetësor). Kultura në përgjithësi është pjesë përbërëse e njeriut, ku është pjesë e identifikimit të shoqërisë dhe ajo bartë pjesën e përgjegjësisë me të njejtën peshë aq sa mund ta ketë, sa bie fjala gjuha, evoluimi i jetës dhe veprimtaritë njerëzore nëpër kohëra. Kjo kulturë pasqyrohet edhe përmes artit muzikor (që paraqet një situatë tingëllore çfarëdo qoftë ajo), dhe bënë të pasqyrojë emocionin dhe mesazhin e përcjellur nga ana shpirtërore të një shoqërie. Për të pasur një jetë të begatshme në lëmin e muzikës medoemos duhet të kemi mbështetje të vazhdueshme dhe të pandërprerë të institucioneve shtetërore, që të ngrihet në piadestalin më të lartë të prioriteteve që ka kjo shoqëri, në përmirësimin e kushteve për këtë aktivit sa të bukurë, aq human.

Në një rast të tillë do të kishim mburrje me kulturën e identifikimin tonë, me lansimin e një boshti kurrizor për të gjitha brezat e kaluar e të ardhshëme, me një krenari e virtyt të lartë arsimor e shkencor drejtë botës postmoderne. Përveç obligimeve që ka njeriu gjatë segmenteve jetësore, të cilat e karakterizojnë atë me një forcë të vazhdueshme për rregullimin e bushtit kurrizor, që është ndërthurja e një kulture me bazë të shëndoshë, poashtu edhe me një arsim të garantuar për një të ardhme të një shoqërie me një prespektivë të ndritur, për veten e tyre si dhe për ata të cilët do ta trashegojnë atë gjatë jetës së tyre. Përkushtimi në aspekt të rregullimit të një sistemi arsimor, është obligim e posaqërisht detyrë që duhet të gjejë rrugë sa më të mira për implementimin e saj, si në aspekt teorik, poashtu edhe në atë praktikë (në gërshetimin sa më kompaktë dhe unik të të dy aspekteve së bashku). Kushtet që ndihmojnë realizimin e një shkalle të gjërë arsimore, plotësohen nga ana e individëve të aftë, të përgatitur e serioz, për të bartur në ndërgjegjen e tyre detyrat dhe obligimet shoqërore që u janë caktuar. Kulturë do të thotë paraqitje e shoqërisë në segmente të caktuara, duke marrë parasysh jo vetëm pjesën e elitës, por të gjithë komunitetin fizikë e shpirtëror, me të gjitha ato të arritura e të pa-arritura, me boshëllëqet që bartin me vete historikisht, në kohë, si dhe plasimin e tyre në shtresa të gjëra intelektuale e sociale. Jo vetëm në një rast të caktuar paraqitet kultura e njeriut, por ajo është çdo herë pjesë e ndërgjegjës së tij, e afërt me gjendjen e tij shpirtërore e humane, pjesë e veprimeve të ushtrura prej tij, si dhe paraqitjet e vazhdueshme në aktivitetet arsimore e jashtë procesit arsimor. Përgjegjësi shoqërore është që të japin sa më shumë shembuj të një komuniteti me një kulturë të lartë njerëzore (që besoj se deri sot jemi duke e plasuar kulturën në festivale të ndryshme botërore), me një hambar të thellë të paraqitjeve estetike (në secilën veprimtari duhet të synohet paraqitja estetike e së bukurës), diapazoni i gjërë i njohurive tona për folklorin që e posedojmë dhe në atë, të mbështesim ngritjen e themeleve të larta të artit muzikor. Kultura dhe arsimi janë pjesë të pandara të identitetin muzikor dhe atij shoqëror, pjesë të një njeriu me një arsimim të mirëfilltë edukativ, por edhe të atij që për dallim nga ky i pari nuk ka asnjë ditë të shkollimit të rregulltë (për shkaqe të ndryshme që nuk është në interesin tonë ta trajtojmë), të një pasqyre të pastër të mënyrës së jetesës e të zhvillimit të tij, evoluimit në hap me kohën (pasi që koha paraqet njërin ndër elementet kryesore estetike), si dhe interpretimin e asaj që plason në botën e artit, filozofisë e të shkencës. Nuk do të ishte e lehtë që me një anë të kemi kulturë të lashtë ilire dhe ta hedhim poshtë atë për interesa personale dhe të ulëta materiale (më parë duhet të kishim një përplasje me ndërgjegjën tonë, e pastaj të mund të thuhet për diçka të tillë), por edhe të kemi një çrregullim mental e social duke ulur në minimum këtë pjesë të bërthamës qelizore të bartur me anë të traditës e trashegimisë. Kultura nuk është vetëm paraqitje e individit në një situatë të caktuar, apo sjellje e tij në rrugë, gjuajtje e mbeturinave në vend e pa vend, por është thellë e futurë në boshtin e lëkurës dhe të eshtrave, në çdo ind të tij, në rrjedhjen e proceseve për të dhe rreth tij, në gjendjen e tij shpirtërore e humane. Reflektimi kulturor është në kontunuitet me ngjarjet që përcjellin komunitetin tonë, në raportet e krijuara që kontribuojnë për përmirësimin e imazhit në impakt me kulturat tjera dhe për të mos qenë në një gjendje të afeksionit (do të ishte e turpshme kur nuk disponojmë një gjendje afeksioni, pasiqë mud të mburremi me të mënyrën e paraqitjes dhe impaktit), kjo do të ishte një realitet i këndshëm për ne. Vetëm me një reagim të drejtë ndaj evenimenteve dhe segmenteve kulturore do të na bënte edhe më të fuqishëm për kulturën dhe arsimin - pjesë të pandashme të jetës, evoluimit, arsimimit dhe kulturës që përcillet në impakt me të gjitha mangësit ku ne çalojmë.

(Autori është magjistër për Estetikë dhë Publicistikë)