Saturday, March 28, 2009

Kosova dhe infeksionet mediatike

Estetika dhe njeriu

Botuar më 28.03.2009

Mediat po shkelin mbi çdo gjë, mbi parimet fundamentale eduaktive me orientim të pa dëshiruar, apo janë pasqyruese të drejtpërdrejta të një mentaliteti kosovar? Ndoshta i meritojmë këto media dhe këtë seleksionim të programe kote, që nuk janë koherentë me kodin etik. Mediat po ndihmojnë në krijimin e jovlerave dhe orientimin e brezit të ri kah një mentalitet i ultë edukativ

Mr. Ilir Ramadani

Mediat në Kosovë janë pjesë e rëndësishme e funksionimit informativ, të cilat përfaqësojnë një mekanizëm shumë të fuqishëm për drejtimin dhe orientimin e duhur të të gjitha evenimenteve që na përcollën që një dekadë. Fokusi i tyre duhet të shihet me një sy tejet kritik për nga ana e cilësisë që ofrojnë përmes programeve që megjithatë po ta nxënë frymën. Krahasueshmëria e tyre mes vete (si atij publik dhe atij privat) nuk mund të thuhet se kanë ndonjë dallim që do të ishte i theksuar (e posaqërisht të atij publik i cili financohet nga vet qytetarët e Kosovës), përpos asaj se të gjitha po kontribuojnë në diçka që nuk është e pëlqyeshme dhe që mund të krahasohet me mediat e orientimit të drejt. Avantazhi i televizionit publik prej atyre privat është vetëm për nga mënyra e financimit, sepse edhe tek ky televizion ka vend për të gjitha zhanret muzikore e vetëm për atë të muzikës klasike nuk po gjen hapësirë të mjaftueshme që në skenat programore të ketë minutazhin e rregullt të caktuar dhe që do t’i përgjigjej krijimit të një atmosfere artistike (që me të vërtet do t’i jepte karakter të një mediumi që është serioz dhe njeh vlera). Kur është fjala për terminet e përshtatshme kohore për transmetimin e muzikës klasike nuk aludojmë në shkurtimin e kohës së caktuar për zhanret tjera muzikore (sepse të gjitha zhanret janë futur në jovlera të thella), por që edhe ato që transmetohen në kohë e pa kohë duhet më tepër të analizohet se me të vërtet sa ia vlen të transmetohen shumë prej këngëve që zënë termine të përshtatshme për programe tjera që do të kontribuonin në orientimin kah vlerat.

Realitetin nëpër të cilin kalon Kosova është për të ardhur keq, është atribut i kulturës së varfër që po shfaqet në mediumet kosovare, ku duhet të pranohet se ato ndikojnë me një shpejtësi dhe veprimi i tyre është aq i fuqishëm sa që është i pa imagjinueshëm ndikimi i tyre në brezin e ri. Kë e përfaqësojnë mediat vendore? Cili është roli i tyre në shtetin e ri të Kosovës? Jo vetëm që ato janë pjesë fuqishme e informative të komunitetit kosovar, por edhe ndikues të drejtpërdrejt në drejtimin e vlerave kah jovlerat dhe anasjelltas, e jovlerave kah vlerat. Kështu së paku duhet të ishte, ku televizionet do të ishin atribuesit fundamental të krijimit të atmosferës për orientimin e komunitetit kah ajo që është e një niveli të lartë artistik e estetik, në mbrojtjen e asaj që është thelbi i gjendjes shpirtërore, në transmetimin e programeve me një kujdes të veçantë (të cilitdo lloji qofshin ato, si për nga termini kohor po ashtu edhe momentin e duhur), por kjo është gati thuajse e pamundur të gjesh e të kesh se me çfarë të kalosh atë kohë kur je i ulur para ekranit televiziv. Sa është i pranueshëm rrjedhja e emisioneve që kanë për qëllim bastardimin e gjuhës, traditës dhe përpjekjeve për zhanre të reja muzikore (që nuk e meritojnë as të ekzistojnë kështu çfarë janë e jo të emitohen dhe atë në termin kohor goxha të zgjatur), ndërsa për programe artistike nuk gjendet një termin i përshtatshëm (fjala për muzikën klasike që do të ishte një kontribut i çmuar në ngritjen e cilësisë programore)?

Këtu do të duhej të kishte një rishikim të drejpërdrejt të strategjisë për të kthyer në vend atë që është e pranueshme për shtresën intelektuale e jo të ketë vetëm programe të cilat të ngjallin neveri qysh në pah të parë. Cila do të ishte përgjigjja e saktë për raportet e shoqërisë për jovlerën, ku në mënyrë të pakrahasueshme dhe të fuqishme ndikojnë në krijimin e një rendi shoqëror që dalngadal bëhet i pafuqishëm ndaj presionit të vazhdueshëm të mediave, sepse janë prezente në çdo çast dhe në çdo kohë? Do të ishte e domosdoshme në përkrahjen e atyre emisioneve që japin leksion për shoqërinë dhe krijojnë një dëshmi se me të vërtet kemi se çfarë t’u ofrojmë shtresës intelektuale. Të gjitha zhanret muzikore duhet të kenë transmetimin kohor të përshtatshëm, por jo ato këngë që bastardojnë gjuhën, me tekst të pa vlerë (Uh, sa e kam … e mirë). Kjo tregon më së miri për nivelin e “këngëtarëve” (nëse quhen këngëtarë) dhe gjendjen e tyre shpirtërore që është thellësisht në kundërshtim me këngët që kanë vlerë universale (apo me atë se çfarë do të duhej të ishte një këngë). Këtu duhet të kishte një strategji efektive për mostransmetimin e asnjë kënge që nuk përmban një tekst që do të ishte në vete leksion për orientimin e shoqërisë kah vlerat me elementet fundamentale të artit. Vlerat e artit përcaktohen nga ana shpirtërore me bazë të menduarit intelektual dhe arrihet përmes një përkushtimi profesional në ngritjen e cilësive muzikore përmes mjeshtrisë.

Mediat po luajnë rolin e nënshtrimit ndaj çdo gjëje që është kundër vlerave të popullit tonë (apo ndoshta ato janë pjesë e mentalitetit kosovar edhepse është shumë e dhimbshme të pohohet një gjë e tillë, reflektojnë në atë mënyrë të orientimit kah ajo që më së paku kemi nevojë), duke u bërë peng i një atmosfere jokoherente me zhvillimet e artit. Ne jemi disident dhe puritan në atë se çfarë është e transmetueshme për të gjitha masat e gjëra popllore dhe jo vetëm që nuk po arrijmë të kemi një funksionim të duhur të rrjedhave të artit, por edhe po kontribuojmë fuqishëm në suportimin e tyre edhe atëherë kur është fjala për tronditje shpirtërore. Kontributi ynë do të ishte në parandalimin e emitimit të këtyre këngëve dhe zhanreve që janë të pavlera (jo në cenzurimin e tyre, por në klasifikimin e drejtë të tyre sipas kritereve estetike në përshtatshmërinë kohore të transmetimit), sepse po bëjmë çmos për të futur thellë në shpirtin e brezit të ri jokulturë, jovlerë, që do të na hakmirret. Koha është e artë për të riparuar mangësitë intelektuale që kemi…

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)