Friday, February 6, 2009

Sistemi Arsimor po dështon

Estetika dhe njeriu

Publikuar më 06.02.2009

Në Kosovë mungon strategjia e duhur për tejkalimin e gjendjes së rëndë në arsim, meqërast mungojnë ekspertë të cilët do të merreshin me hartimin e një plani që do ta nxirrte arsimin nga kjo gjendje e mjerueshme. E drejta e çdo individi është të arsimohet (arsimim për të gjithë), por jo që përmes kësaj të drejte të krijojmë “Analfabetizëm të Licencuar” (për të gjithë)

Mr. Ilir Ramadani

Edhepse u bë një dekadë pas vitit 1999, gjendje në arsim vetëm sa vjen e keqësohet. Parametrat e deshifrimeve të ndryshme programore po ndalin zhvillimin e duhur dhe të kënaqshëm në të gjitha nivelet arsimore. Kjo është pasojë e një varg moskoordinimesh për zhvillim cilësor dhe adekuat të brezave që nuk po mund të dalin nga amullia e sotme. Njëra ndër shtyllat primare për mosfunksionimin e sistemit arsimor është hartimi – përpilimi i planprogrameve të cilat do të ishin të përshtatshme me aftësitë dhe mundësitë e të nxënit të brezit të ri. Ky moskoordinim në mes të mekanizmave paraprak po shkakton një mori ngecjesh dhe shembujsh të keq menagjimit dhe keq interpretimit të raporteve midis njerëzve të cilët japin deklarata të kundërta me gjendjen faktike në terren. Arsimi fillor është niveli i cili po bartë me vete ngulfatje sa i përket e mundësive për fitimin adekuat të njohurive dhe diturive që do të luajnë rol të rëndësishëm në shkollimin e më tutjeshëm. Planprogramet janë të stërngarkuara dhe jo efektive për qasjen e duhur (tekstet e tyre janë shumë të ngjeshura, përtej mundësive psiko-fizike të brezit të ri, saqë ngjallin neveri vetëm pesha e tyre në çantat e një 6-7 vjeqari).

Arsimi fillor duhet medoemos të reformohet, duhet të ulën ekspertë (që merren me hartimin e teksteve shkollore), të cilët do të ishin pjesë e procesit mësimor fillor që në mënyrë adekuate të lehtësojnë të nxënit e jo të krijojnë huti tek nxënësit dhe tek vet stafi arsimor (e jo hartuesit e teksteve shkollore të mos kenë interes që të shohin për së afërmi mundësitë e të nxënit të nxënësve, meqë të nxënurit e nxënësve nuk përkon me atë se çfarë ofrojnë këto tekste, sepse hartuesit e teksteve nuk janë pjesë e arsimit fillor, ku meqërast do të ishin drejtpërdrejt në impakt me tekst shkollore dhe mundësitë e të nxënurit të nxënësve). Derisa ne marrim shembuj (modele) të ndryshëm prej vendeve që kanë arsim cilësor, zbatueshmëria e këtyre modeleve në Kosovë po bie preh e ngushtimit të mundësive për përfitimin e diturive në mënyrë sa më të lehtë (çdo përpjekje për reformimin e arsimit do të thotë lehtësim në nxënie, atraktivitet gjatë procesit mësimor me nxënësin në qendër, që do të rezultojnë me cilësi dhe  rezultate pozitive).

Shembulli më i mirë do të ishte testi i maturës ku nxënësit të cilët nuk arrijnë të nxënë gjatë procesit mësimor fillor (kalojnë dhe e përfundojnë shkollën fillore, sepse arsimi fillor është i obligueshëm ku duhet patjetër të përfundohet edhe nëse ata nxënës nuk kanë nxënë atë që është e paraparë për atë vit shkollor), futen në shkollë të mesme (ku edhe aty kalojnë klasët, sepse ekzistojnë rregullore nga drejtoritë e arsimit që nuk duhet të përsërisin klasën askush edhe nëse nuk janë të përgatitur për të kaluar në një klasë tjetër) dhe atëherë i vie radha testit të maturës. Pikërisht ky është momenti kur kthehen sytë kah realiteti nëpër të cilin kalon sistemi arsimor në vend duke shtruar pyetje dhe duke dhënë përgjigje nga më të ndryshmet. Përderisa kemi një mori rregulloresh që janë në kundërshtim me rregullat pedagogjike, në vendet e zhvilluara gjithashtu sistemi arsimor ka rregullore (përpos ligjit për arsim), por ato janë kryesisht në ngritjen e cilësisë dhe vlerës që ka arsimimi për brezin e ri, ndërsa rregulloret tek ne bëhen pa pyetur për mundësinë e të nxënit, cilësinë (që është kusht fundamental për të arritur rezultate që me të vërtetë pasqyrojnë zhvillim cilësorë në arsmin kosovar) dhe efektin e saj në tregun e punës, por refleksioni i shkollimit fillor dhe të mesëm pasqyrohet në testin e maturës dhe atëherë lind pyetja cili qenka niveli i shkollimit në Kosovë? Përgjigjja do të jetë shumë e shkurtë, po dështon sistemi arsimor në Kosovë.

Momenti tjetër me interes për arsimin në vend është qasja jo e drejt ndaj arsimit universitar, ku mungojnë një numër i konsiderueshëm i kuadrove (edhe atëherë kur ekzistojnë këto kuadro injorohen nga individ të caktuar që kanë zënë vend pa ndonjë meritë të veçantë), dhe kur mungojnë kuadrot, plotësohen me individ që nuk kanë shkollim adekuat. Aty zhvillohet një padrejtësi ndaj studentëve, sepse leksionet i mbajnë një numër i stafit që është i pakualifikuar (një numër i profesorëve janë pa titull përkatës që do t’i përgjigjej arsimit universitar). Gjithashtu kjo ndikon drejtpërdrejt në ngushtimin e mundësive që studentët të kenë trajtim adekuat gjatë leksioneve (sepse një profesor që nuk ka thirrje akademike nuk është në gjendje të përcjell informacionin e duhur që i përgjigjet nivelit të studimeve universitare dhe atyre pasuniversitare). Mënyrë e përshtatshme për ngritjen e cilësisë në arsimin universitar (sepse nga aty dalin persona të kualifikuar dhe këta të fundit bëhen pjesë e arsimit fillor e atij të mesëm) dhe reflektojnë drejtpërdrejt në arsimin parauniversitar, është që gjatë studimeve të tyre në arsimin universitar të kenë profesor të kualifikuar dhe adekuat për lëmit ku ata studiojnë.

Edhepse zotimi dhe përkushtimi i Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit është mjaftë serioz (jo vetëm sa i përket infrastrukturës), por edhe gjetjes së mundësive për ngritjen e cilësisë së arsimit në vend, prap se prap duhet një gadishmëri që të preket realiteti dhe të shihen mundësitë e tejkalimit të kësaj situate, ku arsimi duhet të jetë prioritet i prioriteteve. Nëse nuk do të merren seriozisht ekspert të mirëfillt në ndërtimin e një strategjie efektive në secilin prej niveleve arsimore, atëherë ne jemi ata që me vetëdije të plotë po insistojmë në nxjerrjen e sa më shumë gjeneratave të cilët janë “Analfabet të Liçencuar”. Shpresojmë që reformimi i sistemit arsimor të sjell sa më shpejt rezultate pozitive përmes ngritjes së cilësisë, ku do t’i plotësonim nevojat e tregut vendor.

(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)