Wednesday, October 15, 2008

Zëri i Kosovës - Nexhmije Pagarusha

Estetika dhe njeriu

Botuar më 15.X.2008

Nexhmije Pagarusha u ngrit në piadestalin më të lartë të artistëve shqiptar, duke simbolizuar njëherësh shkëlqimin e një këngëtareje të madhe në të gjitha trojet shqiptare. Interpretimi i Bareshës, ishte një mjeshtri e përkryer, duke dal në pah vlerat vokale muzikore (pikërisht mjeshtria është çelësi i suksesit) të një shpirti të madh prej artisteje.

Mr. Ilir Ramadani

Në artin muzikor shqiptar lanë gjurmë të pashlyeshme shumë këngëtarë dhe kompozitorë që falë aftësive të tyre (azhurimeve muzikore dhe vokale - interpretuese) arritën të jenë faktorë kryesor në mbajtjen gjallë të muzikës popullore shqiptare artistike dhe përmes tyre u avancua dhe mori hov zhvillimi i kulturës shqiptare. ?Qëllimi i njeriut në jetë është që brenda segmentit kohor që lind dhe vdes, të fikësoi atë që nuk vdes kurrë?. Dhe këtë qëllim e përmbushi me përpikëmëri legjenda e gjallë e muzikës shqipe ? Nexhmije Pagarusha. Gjenialiteti i saj u vu re qysh në paraqitjet e para, me një formim vokal madhështor, duke krijuar individualitetin e saj përmes mjeshtrisë së madhe për të bërë me lehtësi gjërat të cilat të tjerët do të ishin munduar gjatë dhe nuk do arrinin realizim estetik muzikor, duke u shëndrruar në ikonën e muzikës shqiptare. Diva e muzikës shqiptare dha shembullin më të mirë të një artisteje me intelekt të veçant, me një aftësi të jashtëzakonshme intepretuese që nuk kishte vetëm muzikalitetin në arteriet e saja, por atë e përcolli me azhurim të thellë si në muzikën popullore, poashtu edhe në atë klasike. Ajo është shquar me interpretime bravuroze, duke i përmbushur të gjitha dimensionet dhe kërkesat e artit muzikor (artit të të kënduarit), duke krijuar imazhin e një solisteje me kapacitete të jashtëzakonshme në paraqitetjet skenike. Përmes saj u krijua një imazh i ri për popullin, kulturën dhe vlerat e vërteta estetike të muzikës artistike shqiptare, e cila gjatë interpretimeve skenike bëri të mundur shpalosjen, ndriqimin dhe vërjen në pah të vlerave estetike të artit shqiptar. Ishte përfaqësuesja më e denjë e popullit shqiptar dhe kulturës së tij për një kohë të gjatë në impakt me kulturat e vendeve tjera, duke u bërë kështu figurë e ndritur në historinë e popullit shqiptar, e cila meriton një respekt dhe trajtim të veçant institucional. Trajtimi adekuat do të ishte përkujdesja institucionale, ndarja e një çmimi kulturor me emërin e saj, si dhe shfrytëzimin maximal të përvojës dhe talentit të saj në aspekt të krijimit të gjeneratave të reja muzikore. Ajo përmes të kënduarit ndriçoi thesarin e pashtershëm tradicional, dhe përmes këngës u shëndërrua në margaritar të vërtet të kombit shqiptar. Artisti e regjisori i mirënjohur shqiptar, Pirro Mani, thekson: ?Talenti është si prushi që rri poshtë hirit të vatrës. Duhet ta fshish, ta pastrosh që të shkëlqej si një margaritar i madh?. Këtë e shfrytëzoi me plotë mjeshtri burri i saj, kompozitori i madh, Rexho Mulliqi i cili duke vlerësuar saktësisht aftësitë vokale të së madhës Nexhmije Pagarusha, kompozoi veprën e artit të quajtur Baresha, ku ajo shkëlqeu në intepretimin e kësaj vepre në aspekt estetik, me bazë harmoninë tradicionale (pikërisht Baresha është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj artistik, e cila ishte një mundësi e shkëlqyer për t?i parë me të vërtetë vlerat vokale dhe muzikalitetin e saj). Me këtë interpetim, Nexhmije Pagarusha u ngrit në piadestalin më të lartë të artistëve shqiptar, duke simbolizuar njëherësh shkëlqimin e një këngëtareje të madhe në të gjitha trojet shqiptare dhe jashtë tyre. Ajo gjatë interpretimeve të saja e ndjeu këngën, komunikoi me publikun pikërisht përmes këngës dhe atë e bëri mjetin më të fortë intelektual me bazë sferën spirtuale, duke depërtuar emocionalisht thellë tek të gjithë artdashësit e këngës shqipe. Artisti është identifikus, pjesë e botës së madhe të artit, ku përmes mjeshtrisë së tij shpalos vlerat e veprës së artit dhe kur flasim për Nexhmije Pagarushën, kemi të bëjmë me një artiste të përkryer, me dimensione dhe horizonte të gjëra artistike estetike, me një shëmbëlltyrë dhe figurë që shëndrit në botën e artit universal shqiptar. Bashkëpunimi dhe koordinimi i saktë, i imagjinatës dhe mjeteve realizuese estetike, i asaj pjese organike në mes të kompozitorit dhe interpretuesit, i mendjes dhe shpirtit, i realizimit të të gjitha kërkesave estetike, ngjall ndjenjën e së bukurës në art dhe këtë e kanë arritur Rexho Mulliqi Nexhmije Pagarusha e Rifat Kukaj në veprën e artit "Baresha", duke u vendosur lartë në krijimtarinë artistike shqiptare. Diva e muzikës shqiptare është e papërsëritshme (vetëm veprat që lansojnë një mesazh universal janë të papërsëritshme), multidimensionale, me horizont të gjërë muzikal, me një formim shpirtëror të rrallë, duke begatuar jetën artistike dhe pikërisht ishte ajo që mbajti gjallë vite të tëra muzikën shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe artin muzikor shqiptar, përmes gjuhës dhe komunikimit në skenat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Nexhmije Pagarusha është në rangun më të lartë të artistëve të cilët intepretojnë vepra të zhanreve të ndryshme dhe këtë e bëjnë me shumë sukses. Ajo talentin e saj e zbuloi edhe në interpretimin e veprave klasike të kompozitorëve të mëdhenjë botëror të përkthyera në shqip: të Bethoveenit, Puçinit, Verdit, etj. Por, talenti i saj nuk mbaroi vetëm me këngën. Ajo botës së artit i dha kontribut edhe në një sferë tjetër - në sferën e aktrimit dhe atë ia doli me shumë sukses, si në film, po ashtu edhe në teatër, duke i treguar aftësitë e saja për botën e artit. Fatkeqësisht edhepse sot kemi shumë këngëtarë të cilët janë shkolluar dhe vazhdojnë të shkollohen brenda trojeve shqiptare dhe jashtë tyre (si në ato evropiane dhe botërore), nuk po shohim talent të cilët do ta zëvendësojnë atë si këngëtare dhe njëkohësisht të kemi performime bravuroze estetike. Kjo më së miri u vërejt në Gala Koncertin e organizuar për nder të 75 vjetorit të lindjes së Nexhmije Pagarushës, ku performimi i disave prej interpretuesëve ishte aq i zbehtë, i plogshtë, pa emocion, duke intepretuar në mënyrë amatoreske, edhepse janë duke studiuar nëpër fakultete të muzikës, madje edhe në shkallë të tretë për solo këndim. Kjo tregon më së miri për gjenialitetin dhe papërsëritshmërin e Nexhmije Pagarushës, figurës madhështore të saj në botën e artit shqiptar.

(Autori është magjistër i estetikës dhe publicistikës)