Sunday, April 22, 2018
Artistët - reflektuesit e kulturës kosovare
Wednesday, February 3, 2010
Kultura dhe ngulfatja e saj
Estetika dhe njeriu
Botuar më 03.III.2010
Koha është ar, atëherë duhet t’i hapim sytë që ta kthyejmë shikimin kah vlerat, kah njerëzit që janë ekspertë të fushave të tyre dhe kah nevoja e domosdoshme për përgjegjësi në detyrën historike që ka vendi ynë. Koha po kalon e ne vendnumërojmë
Mr. Ilir Ramadani
Heshtje ka kapluar intelektualët dhe artstët pas ngjarjeve të fundit që po godasin sferën e kulturës dhe artit, duke u bërë sikur nuk dëgjojnë dhe sikur nuk jetojnë në mjedisin e tyre. Ata që mund të ndikojnë në përparimin e kulturës – heshtin, ndërsa të tjerët - që janë dilitantë, dalin në skenë dhe në sipërfaqe (sepse ishin dje, janë edhe sot e “shpresojmë të jenë edhe në të ardhmën”). Po këta persona nuk dhanë asgjë për shoqërinë që mund të krenohen e të kenë kenë lavdata (në vend që të hetohen për keqpërdorime dhe ngulfatjen e kulturës në vend), ata edhe sot marrin poste të larta në qeverisjet komunale. Një gjë duhet të themi hapur që këta persona meritojnë të jenë aty ku e kanë vendin - në postet ku i kanë edhe sot, sepse ne si popull nuk meritojmë më shumë… Deri kur do të kemi këtë strukturë politike të verbër, që vetëm nëse ke arsim të mesëm të përfunduar mund të kesh post të lartë. Ky është momenti i përshtatshëm t’u thuhet STOP këtyre sërvilëve të kulturës e të artit që vrapojnë pas karrigeve, pas posteve, edhe pse e dinë shumë mirë që po kontribuojnë në ngulfatjen e më tutjeshme të kulturës dhe artit. Pyetjet konkrete që duhet të shtroheshin sot janë: Cili është vizioni për kulturë në vend? Pse anjë parti politike nuk ka program zhvillimor për kulturë dhe art? Cilët janë ata që marrin postet për kulturë në çdo komunë? Athua vallë kultura është pjesë e popujve tjerë, ndërsa neve na përket vetëm ngushllimi?
Dëshirojë të potencojë faktin se pa kulturë dhe art ne mund të jemi vetëm një vend i pazhvilluar (edhe pse mjerisht ky fakt është i prekshëm tek ne, sepse po vendosim njerëz që nuk njohin vlerat kulturore, madje madje edhe manipulojnë me to). Nëse do të vihej në provë aftësia profesionale, këta persona nuk e posedojnë një aftësi të tillë. Nëse do të vihej në pyetje se sa shfaqja kanë ndjekur këta persona, atëherë numëri mund të variojë nga 0 tek 0. E mos të pyesim se cili është koncerti i fundit i Filharmonisë së Kosovës që ata kanë përcjellur, përgjegjja do të ishe: Pse, ka Kosova Filharmoni?... E këta njerëz janë ata që udhëheqin kulturën e vendit tonë. Njerëz që përveq drekave e darkave nuk dinë gjë tjetër. Më vie turp nga këta të ngratë, fali zot se s’din çka bëjnë, sepse pikërisht kjo përzgjedhje ndikon tek gjeneratat e reja, të cilët nuk kanë se me çfarë të merren (duke ditur që kultura luan rol të rëndësishëm në edukimin e tyre njerëzor dhe human). Nga i padituri mos kërko të bëjë ndonjë mrekulli (sepse nga ai nuk ke asnjë dobi - atë edhe zoti ashtu e krijojë). Motoja e çdo partie është qeverisje e denjë për qytetarët, por me këta servil e matrapaz nuk do të ecim as edhe një milimetër nga vendi (vendi ec përpara me njerëz të aftë e të ndershëm, që japin maksimumin e tyre intelektual për të arritur vlerat më të larta europiane).
Duke parë punën e tyre vite me radhë vijmë deri tek konkludimi se asgjë nuk do të ndryshojë, asgjë nuk do të frymojë ndryshe kah kahja pozitive, asgjë nuk do t’u ofrohet gjeneratave të reja, asgjë nuk do të mund t’i ndalojë në përkeqësimin e kulturës, sepse këta servil janë edhe sot në pozitat e njejta. Kulturën e bëjnë njerëzit që kanë kulturë, ndërsa për udhëheqësit tanë… nuk është thjeshtë vetëm një dështim i tyre në përmbushjen e obligimeve që kanë marrë (dhe premtimeve kote që njerëzit e artit do ta udhëheqin artin), por edhe një përgjegjësi që kanë ndaj popullit dhe nevojave shpirtërore të tyre. Duke dashur të besojë që ky është një mesazh i qartë për të gjitha ata që kanë këto poste në vendin tonë dhe për institucionet vendore, ata do të këndellen dhe do ta kthejnë kokën kah e vërteta, kah realiteti, kah perspektiva e gjeneratave të reja, sepse me këtë që po ndodh vetëm mund të kemi regres e jo progres të zhvillimeve kulturore.
(Autori është magjistër për Estetikë dhë Publicistikë)
Sunday, November 1, 2009
Arti folklorik, popullor dhe profesionist
Estetika dhe njeriu
Botuar më 01.XI.2009
Mr. Ilir Ramadani
Në qenien njerëzore arti zë vend padyshim të rëndësishëm, pasiqë ai bashkëjeton me njeriun edhe atëherë kur nuk transmetohen mjetet shprehëse të saj, por janë vetëm në meditimet e thella intelektuale dhe artistike, duke paraqitur imazhe të tërthorta dhe të veçanta të imagjinatës njerëzore në një shkallë më të lartë të nivelit njerëzor. Njeriu në hapësirën globale ka qenë edhe është pjesë e proceseve të ndryshme jetësore, ku edhe arti - pjesë e jetës së tij është i ndarë prej tij dhe i konceptuar sipas shkallës së mundësive të zhvillimit dhe të intelegjencës që ka secili individ për të përceptuar dhe përjetuar mesazhin që lanson arti. Do të thoja më të thjeshtën e rrugëzimeve që arti i mundësohet çdo njeriu (pa marr parasysh nivelin e ngritjes së tyre intelektuale) duke u bërë pjesë e përjetimeve dhe korelacit estetik që shkakton tek ai përmes vlerave universale që ngërthen në vetvete. Arti është shfaqje e mendimeve individuale, i mbështetur në formën dhe mënyrën e përdorimit të mendimeve artistike përmes mjeteve shprehëse. Arti është i shtrirë në tri rrafshe apo në tri variante të të menduarit dhe të konceptuarit nga njeriu dhe përvojat e tija jetësore (duke u bërë i pandashëm në të gjitha gjendjet e tija ekzistuese). Ai është kontribut i veçant dhënë përditshmërisë njerëzore dhe pjesë përbërëse e kategorive estetike. Arti në hapësirën dhe përvojën e njeriut është i shfaqur në artin folklorik, artin popullor dhe atij profesionist (ku secili prej nesh është në gjendje të konceptojë dhe të konstruktojë përshtatjen dhe nevojën e tij intelektuale dhe humane).
Në të gjitha pikëpamjet ka për qëllim shpalosjen shpirtërore të vlerave të çdo komuniteti apo individi (pa marrë parasysh formën dhe mënyrën e gjetjes së rrugëve individuale). Prof. Dr. Fatmir Hysi në veprën e tij “Estetika në tri pamje” thekson: “Arti në të gjitha format e shfaqjes së tij, popullore, folklorike apo profesioniste, është i përirur të përditësohet e të gjejë vendin e vet të saktë në kompozimin superstrukturor të një shoqërie”. Ky do të ishte shembulli më i mirë i shfaqjes së artit në jetën e njeriut dhe vendit që stacionohet në shoqëri, duke prekur të gjitha segmentet dhe nivelet e zhvillimit dhe përdorimit nga ana e njeriut. Duke qenë baza e çdo interpretimi të mundshëm individual dhe shoqëror, arti folklorik është më i afërt me shumicën e njerëzve, të cilët për nga ana e zhvillimit të ngjarjeve historike kanë qenë bartës të idealeve dhe patriotizmit, që në njërën anë pasqyrojnë edhe thesarin që populli bart me vete shekuj me radhë gjatë ekzistencës së tij. Sa i përket mënyrës dhe vendit që ai trensmetohet gjeneratë pas gjenerate, është e kuptueshme për vështirësit e rrugëtimit që nganjëherë ka ardhur edhe në momente të ndryshimit si në anën deskriptuese dhe në anën tingëllore apo pamore. Arti folklorik për nga mundësitë e tija artistike është i kornizuar dhe nuk gëzon mundësitë e zgjerimit dhe përdorimit të mjeteve të reja shprehëse dhe kjo është për shkak të bazës së saj që ka te rrethanat e zhvillimit dhe avancimit artistik (baza e saj është në specifikimin e traditës përmes elementeve të saj), që në realitet është në një nivel që mund ta kaloj vetveten, përderisa arti popullore e ka këtë mundësi, duke gjetur frymë të re të përditësimit dhe zhvillimit dhe kjo falë teknologjisë së përdorimit të saj në kohën e sotme.
Arti popullor është në zhvillimin e dinamikës së jetës së njeriut dhe të të gjitha ato zhvillimeve teknologjike dhe shkencore. Arti popullor është më i avancuar në raport me artin folklorik dhe është më popullor duke i’u bashkuar dita – ditës masave të gjëra, e cila i ngjason rrugës së modës dhe mënyrës së konceptimit të saj, zhvillimit me dinamikën e jetës dhe mënyrës shumë të lehtë të përqafimit nga masa popullore. Nuk do të themi që për nga vlera e saj arti popullor është më avancuar apo edhe më i lartë artistikisht, sepse është në përputhje me rrugët dhe mënyrat e reja të gjetjes së asaj që është modë në ditën e sotme dhe plasimin e saj përmes një teknologjije që edhe i anashkalon dhe i injoron të gjitha ligjet estetike. Duke i’u referuar artit popullor dhe atij folklorik, në raport me dy të parat, arti profesionist është i thelluar, i medituar, sipas rregullave dhe formave artistike, është universal dhe për të gjithë brezërat e popujtë (duke u bërë ndriçues i vërtet i vlerave jo vetëm për një individ, një popull, por për të gjithë njerëzimin). Arti profesionit parasëgjithash është në një nivel të ngritur intelektual e shpirtëror, duke u bazuar në mënyrën e modelimit, formulimit dhe shpalosjes së mendimeve të avancuar të kohës, e cila është pjesë e vlerave jo vetëm të një populli, por duke u shëndrruar në një pikë integruese në hapësirën estetike.
Arti profesionist dallohet për nga pikëpamja e tij artistike, estetike, filozofike, duke kërkuar një nivel të ngritur artistik dhe estetik të përgatitjes, ku edhe adhuruesit e muzikës profesioniste padyshim që duhet të jenë në gjendje që t’a konceptojnë dhe të jenë në hap me zhvillimin intelektual që kërkon kuptimi dhe përjetimi i tij. Kjo arrihet atëherë kur ne jemi pjesë e tij dhe i kërkesave që ai shfaq për pëjetim dhe bashkëjetesë me universalitet artistik.
(Autori është Magjistër për Estetikë dhe Publicistikë)Wednesday, October 7, 2009
Arti muzikor – mobilizon artistët
Estetika dhe njeriu
Botuar më 04.X.2009
Muzika është art kohor, i ndërthurur me elemente specifike si për nga gjuha, po ashtu edhe për nga shtrirja e saj interpretuese. Ajo është pjesë organike e njeriut, e pasqyruar si për nga forma gjithashtu edhe për nga përmbajtja. Harmonizimi i tyre sjell tek dëgjuesi ndjenjën e së bukurës përmes madhështisë së tingullit
Mr. Ilir Ramadani
Muzika është pjesë e pandashme e jetës së njeriut, duke u bërë pjesë e tij edhe atëherë kur nuk është në gjendje të perceptojë dhe kuptojë thelbin e artit muzikor dhe esencën e zanafillën e saj, por vetëm përjetojnë elektrizimin që shfaq ajo. Muzika dhe thelbi i saj kuptohen vetëm atëherë kur jemi pranë saj dhe në dimensionin estetikë që shfaqet tek masat e gjëra artdashëse. Interpretuesi – artisti gjatë performimit bënë që edhe tek ata që janë më pak muzikal të krijojë marrëdhënie të ngushta reciproke dialoguese, duke përjetuar muzikën përmes veprës muzikore. Ky dialog përfaqëson ndjenjën artistike që interpretët bartin në bagazhin e tyre formues dhe atë e përcjellin në paraqitjet e tyre tek publiku, i cili akcepton dhe bashkëjeton me përjetimin muzikore. Talentët e dalluar japin mesazh, që në të vërtetë është universal në vetvete. Artistët janë ata që transkriptojnë dhe e bëjnë më të lehtë kuptimin e muzikës, specifikave të saja dhe rolit që ajo ka në formimin tonë profesional. Pikërisht ky është edhe qëllimi që përmban në vete tingulli (sepse muzika është e dallueshme prej arteve tjera, përmes gjuhës së shprehjes, impakti që ajo shfaq në dialog me ta dhe mundësinë e krijimit të raporteve më të afërta në mes të interpretuesit dhe dëgjuesit). Prishtina ishte mjaft e nderuar gjatë javëve të kulturës gjermane, meqë pati rastin ti ndjek dy koncerte me mjeshtritë gjerman.
I pari ishte në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe i dyti koncert kamertal me veprat e kompozitorit gjerman Felix Mendelssohn Barthorldy-it. Ky ishte edhe rast i veçant meqë korospodon me 200 vjetorin e lindjes së kompozitorit dhe interpretimi i veprave të tij ishte në korelacion të ngushtë me javët e kulturës gjermane, duke i dhënë mundësi publikut në Kosovë që të jetë i pranishëm në dy koncertet e organizuar për këtë qëllim. Qëllimi i këtyre koncerteve ishte bashkëpunimi dhe shpalosja e kulturës gjermane tek shtresat intelektuale të Kosovës, bashkëpunimi i ndërsjelltë kulturor dhe human. Ky ishte edhe mesazhi gjerman i drejtuar popullit të Kosovës dhe gjithë artëdashësve dhe profesionistëve që nga afër të përjetojnë tingujt e kulturës gjermane. Këtë mesazh në Prishtinë e sollën Andreas Reiner (violinist me renome) dhe pianisti e dirigjenti shqiptar që jeton e vepron në Gjermani - Desar Sulejmani. Protagonistët e dy mbrëmjeve ishin të përgatitur, të cilët u bënë transformatorët e veprave muzikore, duke lançaur vizionin që kanë për artin muzikor tek publiku prishtinas. Me profesionalizëm të vërtetë, me pjekuri prej artistësh të mëdhenjë, me përkushtim, lançuan edhe njohurit e tyre filozofike për muzikën, për artin në përgjithësi, sepse tek ne sollën atmosferën e punës gjermane. Ata përcollën një formul të muzikimit, formulë kjo e deshifruar përmes artit dhe vlere të veçantë që populli gjerman posedon në kulturën e saj shekullore.
“Kultura e një shoqërie është rruga e jetës e anëtarëve të saj; koleksioni i ideve dhe zakoneve që ata i mësojnë, i shkëmbejnë dhe i transmetojnë brez pas brezi”.[1] Puna dhe talenti i tyre krijoj një lidhje miqësore dhe shumë të afërt si me publikun, gjithashtu edhe me vlerat e veprave të muzikës gjermane. Interpretimet e tyre ishin në një nivel tejet të lartë artistik e estetik, duke bërë që të përjetohet madhështia e veprave muzikore me të gjitha kërkesat estetike të një performimi artistik. Karakteristikë e dallueshme ishte edhe mobilizimi i anëtarëve të Filharmonisë së Kosovës që të paraqiten me një nivel të kënaqshëm dhe mbresëlënës (gjë e cila është e admirueshme nga njerëzit profesionist që të japin maximumin e tyre në paraqitjet skenike). Ndërsa, në koncertin kamertal dy artistët që përfaqësuan kulturën gjermane dëshmuan profesionalizëm dhe shpirt artistësh duke lënë mbresa të pashlyeshme në përmormimin e tyre. Artistët gjatë interpretimit të veprave muzikore, përcjellin me besnikëri emocionet që japin tingujt muzikor dhe atë e reflektojnë po me aq fuqi që vepra muzikore përmban në thelbin e saj, duke qenë në kontinuitet me ligjësit estetike. Kjo ishte edhe një mundësi e mirë për interpretët e rinj në Kosovë që të njihen me punën e zelshme dhe me vizionin e qartë të artistëve që kanë për muzikën dhe plasimin e kulturës së vendeve të tyre tek popujtë tjerë evropian.
(Autori është magjistër për Estetikë dhë Publicistikë)
Monday, June 15, 2009
Kreativiteti pjesë e lojës së fëmijëve
Estetika dhe njeriu
Botuar më 15.06.2009
Fëmijët krijojnë situata të tilla ku bëhen protagonistë për të shfaqur individualitetin dhe kjo është e lidhur ngushtë me lojërat e tyre dhe shprehjen përmes tyre. Andaj, kreativiteti është i domosmoshëm për të shfaqur botën e tyre shpirtërore.
Mr. Ilir Ramadani
Ekzistojnë teori të ndryshme për rolin e lojërave, qëllimin e tyre në edukimin e fëmijëve, zhvillimin fundamental që i japin fëmijëve në aspektin shpirtëror e fizik. Fëmijët përmes lojërave arrijnë deri në atë shkallë të përfytyrimit objektiv dhe subjektiv, zhvillimit të fantazisë për gjëra reale dhe joreale dhe kjo arrihet falë kompleksitetit që përbëjnë lojërat në vetvete. Ato janë pjesë të pandashme, të ndjeshme, emocionuese, të lira saqë nuk mund të paramendohej që në aktivitetet e tyre të përditshme të mos ketë lojëra (pikërisht ato i japin impulsin e duhur në zgjerimin e mundësive dhe shkathtësive për t’u shprehur dhe treguar individualitetin). Përmes tyre vihen në pah aftësitë e brendshme të trasheguara në mënyrë gjenetike, pozicionimet individuale, fantazia (për objektet reale dhe imagjinative), kreativiteti, interpretimi (në formë të pavarur) dhe përmes aktiviteteve dëgjimore të vazhdueshme bëhen protagonist të vërtetë të individualitetit në grup dhe në rreth. Loja fëmijëve u sjell kënaqësi, argëtim, vetëbesim, ndjenjë për të bukurën, ku përmes saj ata përceptojnë, prekin botën materiale dhe shpirtërore dhe bëhen pjesë e realitetit në të cilin jetojnë. Rëndësia e lojës për fëmijët konsiston në depërtimin drejt botës së tyre të brendshme, në shprehjen e tërë potencialit shpirtëror, në ekzistencën e jovarësisë tek ta për gjëra të prekshme dhe të paprekshme, ku pikërisht përmes lojës fëmijët reagojnë dhe reflektojnë e krijojnë në mënyrën e tyre individuale.
Përmes ndryshimit të vazhdueshëm të lojërave, korelacionit të tyre, në sistemin mendon sjellin freskimin e kujtesës, anët pozitive vihen në pah, ku fëmijët vetvetiu paraqesin pozitivitetin dhe pastëtinë shpirtërore përmes dëshirave që të bëhen të pavarura (ku njëkohësisht krijojnë idealet e tyre dhe reflektojnë në tip të liderit). Roli i artit muzikor tek fëmijët është mjaftë i rëndësishëm dhe komponentë fundamentale në edukimin e përgjithshëm, ku kjo lëmi është e planifikuar dhe e sistemuar në krijimin dhe zhvillimin intelektual e spirtual të fëmijëve. Tek fëmijët s’ka qëllim përcaktimin e vetëdijshëm për të krijuar diçka konkrete artistike në këtë moshë (por të nisin hapat e parë të krijimit), sepse për ta është i rëndësishëm procesi i fillimit të krijimit e jo rezultatet (sepse nuk mund të presim menjëherë rezultate të kënaqshme). Të gjitha ato që i bëjnë fëmijët e kësaj moshe, i realizojnë përmes lojës me matetrial tingëllor (duke plotësuar vendet e lëna bosh), pa pasur nevojë që të ndërhyjë pedagogu (vetëm atëherë kur u jep shpjegimet e duhura). Fëmijëve duhet mundësuar që të kënaqen, të shfaqin natyrën e tyre për fillimin e të krijuarit, duke i përpunuar përjetimet e tyre përmes këngëve, pjesëve melodike të shkurtëra, gjesteve e lëvizjeve. Energjia që tek ta është e akumuluar (përmes përjetimeve), duhet të shëndërrohet në praktikë, duke qenë vet ata protagonist të nismës për të krijuar atë që do të jetë produkt i tyre dhe vetëm i mendjes së tyre.
I tërë aktiviteti krijues (ku ne synojmë që tek ta të nxitet ndjenja e kreativitetit) të bëhet në formë loje (pa hequr dorë nga kërkesat elementare muzikore), ku ata duhet të motivohen, sepse ky është parakushti i krijimit të tërsive muzikore (varësisht se çfarë ne synojmë të arrijmë tek ta, me rëndësi është shprehja e lirë e tyre qoftë edhe jo e pëlqyeshme për ne). Kjo do të ishte baza e një procesi me të cilën ata që do të shfaqin talent, ta zhvillojnë atë edhe në fusha tjera (sepse e vetme muzika nuk mund të shpreh thelbin e artit dhe kemi nevojë që kjo të bëhet edhe përmes mjeteve tjera shprehëse). Lëvizja dhe vallëzimi paraqesin aktivitetet bazë përmes të cilave nxënësit shprehin përjetimet e tyre muzikore, por duhet të inkurajohen edhe që kreativitetin ta shprehin përmes artit figurativ dhe shprehjeve gjuhësore, të mbështetur në inspirim nga vet muzika e dëgjuar, meqërast nxënësit në mënyrë spontane të krijojnë atë se çfarë ata ndjejnë. Këtu duhet të ceket se të gjithë fëmijët e talentuar, talentin e tyre ta shprehin aty ku ata e ndjejnë më përzemër (përmes vizatimeve dhe ngjyrosjeve, përmes ndërtimit me mjete plastike, përmes poezive, tregimeve, përmes ritmit dhe melodisë në bazë të imagjinimeve tingëllore individuale). Përmes lojërave artistike, ne arrijmë të realizojmë pjesën shumë të rëndësishme të edukimit muzikor që është zhvillimi i kreativitetit tek brezi i ri, ku meqërast fëmijët eksperimentojmë materiale të ndryshme përmes dëgjimeve muzikore (dëgjimet muzikore paraqesin komponentën fundamentale në zhvillimin e kreativitetit edhe në lëmi tjera), zbulojnë botën e tyre të brendshme, bëhen kërkues dhe njëkohësisht shprehës.
Dëgjimet muzikore ofrojnë edhe më afër nxënësve krijimtarinë muzikore, me ç’rast nxënësit zgjerojnë horizontin e tyre dhe kjo ka për qëllim kuptimin esencial të të krijuarit muzikor. Arti muzikor, sikurse edhe çdo art tjetër mund të shërbejë edhe në korelacionin e shprehjes së kreativitetit dhe të jetë mjaftë efektiv, duke u bazuar në fuqinë shprehëse të tingullit (mjetit shprehës muzikor), që në të vërtet është më mbresëlënësi dhe depërtuesi në krahasim me mjetet shprehëse të arteve tjera. Andaj, arti muzikor mund të jetë edhe stimul për shprehje të kreativitetit edhe në artet tjera (artin figurativ, dramatik, koreografik, aplikativ, gjuhë etj), prandaj shfrytëzimi i potencialit muzikor për të arritur rezultate edhe në artet tjera është i dëshiruar. Këto rezultate janë bërë përmes dëgjimeve muzikore tek moshat parashkollore dhe shkollën fillore e të mesme të ultë. Dëgjimet muzikore japin impuls për të përfyturuar, imgjinuar dhe zhvillon kreativitetin tek fëmijët, sepse ngjallë ndjenjën e shpirtit krijues dhe kjo shpalos individin si person dhe mënyrën reale të shprehjes së tij përmes shqisës së të dëgjuarit. Korelacioni midis dëgjimit të veprave muzikore dhe shprehjes përmes artit figurativ është formë e shkëlqyer e vënies në funksion të mekanizmit kreativ dhe ajo bëhet me një përfytyrim që lenë gjurmë të thella në mendjen e fëmijut, duke transformuar depërtimin e tingujve drejt gjendjes emocionale në shprehje krative figurative.
Falë talentit të fëmijëve, transformimi i tingujve në vizatim me ngjyra, është edhe një formë e veçantë e mbresës që lenë vepra muzikore e dëgjuar, ku tek shumica e nxënësve arrin efektin e mobilizimit dhe zhvillimit të drejtë, duke shpërthyer në mënyra individuale në trajtimin që bëjnë gjatë vizatimit përmes përfytyrimeve. Me vet aktivitetin e fëmijëve, forcohet puna krijuese muzikore, e cila qëndron në zhvillimin e aftësive si sugjerim qenësor për hapat e duhur të një kreativiteti, por edhe formësimin e tyre si individ në aspektin artistik, ku meqërast më vonë vije deri tek profesionalizmi në shprehje.
(Autori është magjistër për Estetikë dhë Publicistikë)